Politologu Ramush Tahiri, i cili një kohë ka shërbyer edhe si këshilltar i presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga e quan të qëlluar idenë e Edi Ramës për një president të përbashkët Kosovë-Shqipëri.
Ai shprehet se kritikat nga analistët vendorë ndaj idesë së Ramës janë pa vend. Ai e quan të pavend edhe reagimin e Brukselit zyrtar, derisa sipas tij edhe Beogradi zyrtar po punon për një platformë të përbashkët për të gjithë serbët në Ballkan, dhe për këtë nuk është qortuar nga askush.
“Njerëzit sot po tuten të flasin hapur për këtë punë. Ne e kemi Vuçiqin në Serbi që është duke e bërë platformën me Republikën Srbska në Bosnjë dhe serbët e Kroacisë për të përcaktuar minimumin e kritereve për kombin serb që shtrihet në krejt rajonin. Është duke e përcaktuar edhe në Rumani, edhe në Slloveni e Kroaci dhe askush nuk po i jep vërejtje për këtë”, ka thënë Tahiri.