Portali që shpifi ndaj Adnan Ismailit i kërkon falje publike

Pas publikimit të disa lajmeve shpifëse ditëve të fundit ndaj drejtorit të shtëpisë botuese, Logos A, Adnan Ismaili, ai ka reaguar përmes një shkrimi ku ka theksuar se tendencat e fundit mediatike janë vetëm se shpifje dhe të pavërteta.

Më poshtë e gjeni reagimin e Pr. Dr. Adnan Ismailit:

Pas publikimit të një lajmi nga një portal (special.mk – 27.11.2016), ku radhiten një varg shpifjesh dhe spekulimesh, ndonëse nuk dua të merrem me këtë gjëra, ndjej përgjegjësi të reagoj – jo vetëm për ta qartësuar opinionin nga shpifjet, por edhe për të treguar se sa joserioze dhe e padrejtë është të abuzohet me fotografi personale të kujtdo qoftë dhe ato të vendosen në funksion të fushatës parazgjedhore dhe të atyre që gjithë jetën e tyre janë mësuar që me këso insinuatash të përfitojnë.
Njëra nga ato fotografi është marrë nga ueb-faqja e Universitetit të Tetovës, ku unë jam mësimdhënës i rregullt, e cila është realizuar gjatë një takimi që e kisha në Arabinë Saudite me udhëheqësin e Fondacionit për Shkencë, Arsim dhe Kulturë të Arabisë Saudite, me seli në Rijad, Shkëlqesinë e Tij Welid al-Tuvejxhiri (i cili para do kohe ka qenë edhe vetë e ka vizituar Rektoratin e Universitetit në Tetovë). Le që fotografia nuk është nga Katari, porse ajo është dëshmi e bashkëpunimit të mirë të Universitetit të Tetovës me institucionet më të larta arsimore dhe shkencore të Arabisë Saudite. E të vendoset ajo fotografi në kontekst të fushatës parazgjedhore në Maqedoni, kjo është abuzim jo vetëm me fjalën e shkruar, por edhe me privatësinë e secilit njeri.
Ndërkaq fotografia tjetër është nga një takim i para tre viteve me Emirin e Shtetit të Sharjas, Dr. Sultan b. Muhamed al-Kasimi, i cili është edhe drejtues i Bordit të Universitetit Amerikan të këtij vendi, me të cilin – duke qenë bashkë me kryetarin e Fondacionit “Qendra e Civilizimit Islam”, Bajrambenjamin Idriz – është biseduar për bashkëpunimin në fushën e kulturës, ndërsa me këtë rast atij ia kemi dhuruar edhe librin “Architecture in Macedonia: The Ottoman Heritage”, i botuar nga SHB “Logos-A”, të autores Teresa Waltenberger – bashkëshorte e ish ambasadorit spanjoll në Shkup. Me Shkëlqesinë e Tij, Dr. Sultan b. Muhamed al-Kasimi, është diskutuar edhe për mundësinë e këmbimit të studentëve shqiptarë me Sharjan.
Nëse të bashkëpunosh për zhvillimin e arsimit, shkencës dhe kulturës – duke u takuar me personalitete që i respektojnë kodet e veshjes së tyre, kjo i duket dikujt vepër e ligë, atëherë kemi problem me sistemin e vlerave që e promovojnë këta shpifës që hedhin gurin e fshehin dorën.
Bashkë me këto shpifje në fund të kësaj paçavure është edhe një lajm, po ashtu i vjetër më shumë se tre vjet, për një të a.q. aferë financiare në Turqi, që përsëri synohet të vihet në lidhje me mua dhe gjithë kjo të vendoset në kontekst politik parazgjedhor.
Siç shihet, këtu nuk ka asnjë lidhje Shteti i Katarit dhe vendosja e këtij shteti në këtë kontekst, paraqet problem që ky portal do të duhet ta zgjidhë me Ambasadën e Katarit në Shkup.
I gjendur në situatë kur edhe ndihma për arsimin shqip dhe për kulturën shqiptare në Maqedoni, që promovohet edhe nga universiteti im amë – Universiteti i Tetovës, por edhe për investimet e mundshme në fushën e rritjes ekonomike, tashmë konsiderohet krim, mua nuk më mbetet mundësi tjetër shpjegimi, pos që të kërkoj që ata që e kanë bërë atë palo-lajm t’i shpjegojnë arsyet në gjykatë. Përveç meje, edhe tre zotërinjtë e nderuar (që janë në fotografi) mbase do ta shqyrtojnë këtë mundësi.
Secili njeri në një vend demokratik ka të drejtë t’i ruajë bindjet e tij politike, por askush nuk ka të drejtë të abuzojë me emrin dhe fotografinë e askujt që dikush, i treti, të përfitojë politikisht. Në të kundërtën, kjo nuk është më as demokraci, as liri e fjalës, por thjesht një shpifje, për të cilin feja jonë – Islami – na mëson se është më e rëndë se vrasja.

Adnan Ismaili,
pedagog në Universitetin e Tetovës

Ndërkohë, redaksia e portalit special.mk i kërkon falje publike z.Adnan Ismaili në lidhje me këtë rast, pasi që nuk ka poseduar informacione të plota.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme