Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e SPAK për sekuestrimin e anijes me qymyr që mbërriti në Portin e Durrësit më 17 maj. Në anije u gjetën dhe sekuestruan 59 kg kokainë.
Pas marrjes në pyetje të ekuipazhit dhe verifikimeve të anijes, SPAK e sekuestroi atë për shkak se hetimet vijojnë. Çështja u shqyrtua nga gjyqtari Erjon Çela, i cili pranoi kërkesën e SPAK.
Sakaq, droga është gjendur në hambarin e anijes Unistream me flamur të Antigua Barbuda. Ajo u ankorua me datën 16 maj në kalatën lindore të portit detar të Durrësit. Ajo ka transportuar qymyr me destinacion portin e Durrësit.
Anija me kapiten rus po transportonte 6500 ton qymyr nga Kolumbia në vendin tonë. Nga kontrolli imtësishëm rezultoi se në hambarin e anijes ndodheshin 53 pako me drogë të cilat peshonin 59 kg. Droga dyshohet të jetë futur në ngarkese në Kolumbi.
Kapja e drogës në anijen me qymyr
Para rreth një muaji, një sasi e konsiderueshme prej kokaine është kapur, në anijen me qymyr që vinte nga Kolumbia.
Kanë qenë partnerët ndërkombëtar që kanë sinjalizuar Policinë Shqiptare për sasinë e drogës dhe më pas është kryer edhe operacioni nga Task Forca e Durrësit që ka zbuluar kokainën në anijen që sillte qymyr nga Kolumbia.
Anija “Unistream” u ankorua më 16 maj në portin e Durrësit, teksa më parë ka ndaluar në portin Barranquilla të Kolumbisë. Ajo është nisur nga porti i Barranquilla në Kolumbi në 26 prill në orën 11:32 dhe ka mbërritur në Portin e Durrësit në 16 maj, në orën 08:32.



