Ndonëse jozyrtarisht ka nisur fushata e partive politike pas dorëheqjes së Ramush Haradiajt nga posti i kryeministrit, zgjedhjet nuk duken të jenë afër.
Edhe pse në deklaratat e tyre publike janë shprehur të gatshëm për zgjedhje të reja, asnjëra nga partitë politike nuk ka marrë iniciativën për ta mbledhur seancën me të cilën do të shpërbëhej Kuvendi, e vendi do të shkonte në zgjedhje.
E presidenti i cili pas dorëheqjes së Haradinajt për ditë të tëra qëndroi në heshtje, ka lajmëruar se që nga java e ardhshme do t’i nisë konsultat me kryetarët e partive.
Analisti i çështjeve politike, Ramush Tahiri, ka thënë se nuk ka gatishmëri të partive politike për mbajtje të zgjedhjeve. Ai thotë se nëse partitë do ta kishin gatishmërinë, do të dorëzonin kërkesën për seancë të jashtëzakonshme me të vetmen pikë të rendit të ditës, atë për shpërbërje të kuvendit.
Tahiri për Koha.net thotë se pas dorëzimit të kërkesës nga deputetet, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli është i obliguar që për më së largu pesë ditë të thërrasë seancë të jashtëzakonshme.
Sipas tij, ekziston edhe një mundësi tjetër për mbajtjen e zgjedhjeve në të cilën tre partnerët e koalicionit do të dorëzonin kërkesë për zgjedhje tek presidenti.
“Ata duhet me i thënë se ne partnerët e koalicionit nuk kemi kandidat tjetër për kryeministër dhe kërkojmë nga ju që ta dërgojmë vendin në zgjedhje”, thotë ai.
Ai thotë se momentalisht fajet kryesore janë tek presidenti pasi ai duhet t’i thërrasë kryetarët e tri partive, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj sepse ata janë në koalicion dhe në bazë të ligjit kanë të drejtë me e propozu një kandidat të ri nëse kandidati i tyre ka dhënë dorëheqje.
“Presidenti është dashur t’i thërrasë, brenda 15 ditëve ata duhet me e dhënë propozimin. Nëse brenda 15 ditëve ata nuk e japin propozimin ose nuk i ka thirr presidenti atëherë presidenti ka bërë shkeljen. Në qoftë se nuk ka kandidatë të ri me e zëvendësua Haradinajn i cili votohet në Kuvend sepse duhet me i marrë 61 vota atëherë presidenti i shpallë zgjedhjet e reja”, thotë ai.
Sipas tij, të gjitha partitë që i mbledhin nënshkrimet kanë të drejtë të thirrin seancën për shpërbërje. Ai thotë se këtë seancë mund ta thërrasin ata që e kanë bë mocionin me e rrëzu qeverinë.