Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka përshëndetur performancën ekonomike të vendit të tij gjatë pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) përderisa “ekonomitë në të gjithë botën u tronditën”, raporton Anadolu Agency (AA).
“Në një periudhë kaq të vështirë, Turqia ka qenë jashtëzakonisht e suksesshme në luftimin e efekteve negative të pandemisë. Në vitin 2020, kur ekonomitë u tronditën thellë, ne regjistruam një rritje prej 1,8 për qind dhe u bëmë një nga vendet e pakta në mesin e vendeve të OECD-it dhe G20-tës që e arritën këtë”, tha presidenti Erdoğan pas një takimi të kabinetit në kompleksin presidencial në Ankara.
Erdoğan theksoi se Turqia ka miratuar politika të vendosura dhe efektive që luajtën një rol të madh në mbështetjen e rritjes ekonomike. Ai shtoi se ekonomia e vendit të tij vazhdoi të shënojë rritje pavarësisht të gjitha sfidave të brendshme dhe të jashtme.
“Rritja e fortë vazhdoi në gjysmën e parë të këtij viti. Ne arritëm një normë vjetore të rritjes prej 7,2 për qind në tremujorin e parë dhe 21,7 për qind në tremujorin e dytë. Duke e arritur këtë, Turqia u rendit e dyta në nivel global pas Mbretërisë së Bashkuar për sa i përket rritjes ekonomike në tremujorin e dytë”, u shpreh Erdoğan.
Më tej, presidenti turk po ashtu tha se prodhimi i brendshëm bruto (PBB) i vendit në vitin 2022 do të tejkalojë 850 miliardë dollarë, para se të arrijë në 973 miliardë dollarë në vitin 2023 dhe në 1 trilionë dollarë në vitin 2024, siç u tha në programin ekonomik afatmesëm të vendit të botuar në Gazetën Zyrtare mbrëmë vonë.
Sipas programit 3-vjeçar, qeveria turke synon një rritje prej 5,5 për qind në vitin 2023 dhe 2024, ndërsa objektivi mesatar i normës së rritjes së PBB-së është caktuar në 5,3 për qind.
Objektivi i eksporteve të vendit është 230.9 miliardë dollarë deri në vitin 2022 dhe 255 miliardë dollarë deri në vitin 2024.
Në fund të takimit, presidenti Erdoğan edhe një herë u bëri thirrje qytetarëve që të marrin vaksinën COVID-19 dhe të respektojnë masat kundër pandemisë, përfshirë distancimin shoqëror, rregullat e higjienës dhe mbajtjen e maskave.