Kryetari i Komisionit Evropian Jean Claude Juncker thotë se 2025-ta nuk është viti kur Serbia dhe Mali i Zi “domosdo” do të hyjnë në Bashkimin Evropian, porse kjo është një datë indikative dhe inkurajim.
“Është gabim të paraqitet sikur unë dhe Komisioni Evropian kemi thënë se Serbia dhe Mali i Zi gjithsesi do të jenë në BE deri në vitin 2025. Jo, kjo është një datë indikative dhe inkurajim që këto dy vende të punojnë me përkushtim dhe ta ndjekin atë rrugë”, deklaroi Juncker në Strasburg para prezantimit të Strategjisë për zgjerim.
Ai thotë se Serbia dhe Mali i Zi, si vende që më së kanë përpraruar, kanë fituar “datë të re që do të duhej t’i përshpejtojë punët”.
“Duam të shohim zgjerim drejt Ballkanit Perëndimor, por nuk duam të shohim hyrje pa plotësimin e kushteve. Ata ende s’i kanë plotësuar kushtet, kurse disa janë larg kësaj”, ka theksuar Juncker para Parlamentit Evropian.
Ai ka shtuar se BE dëshiron t’ua “zgjasë dorën” partnerëve të vet në Ballkanin Perëndimor dhe t’u ndihmojë ta vazhdojnë “rrugën e vështirë” të euro-integrimeve”. “Mendoj se Serbia dhe Mali i Zi mund ta përballojnë këtë rrugë të vështirë”, ka porositur kryetari i KE-së.
Juncker edhe një herë ka theksuar se nuk do të ketë zgjerim drejt Ballkanit Perëndimor përderisa të mos zgjidhen çështjet e hapura të kufijve. “Të thuhet se kjo do të bëhet pasi që të hyhet në BE – nuk do të ndodhë më. Problemet duhet të zgjidhen para anëtarësimit, ose s’do të ketë më anëtarësime”, ka përfunduar Juncker, përcjell Expressi.
Përndryshe, siç kumtoi dje portali EUobserver.com Juncker do ta realizojë një turne nëpër Ballkanin Perëndimor prej 26 shkurtit deri më 1 mars. Sipas mediumit të BE-së, Juncker do të qëndrojë në Prishtinë, Tiranë, Shkup, Beograd, Podgoricë dhe Sarajevë.