Presidenti i Kinës, Xi Jinping, paralajmëroi se shpejtësia e përhapjes së koronavirusit është duke u rritur. Ai e dha këtë deklaratë gjatë një takimi të veçantë të kabinetit me rastin e një feste zyrtare.
Udhëheqësi i shtetit me popullsinë më të madhe në botë tha para zyrtarëve të lartë se vendi i tij po përballet me një situatë të rëndë.
Së paku 56 persona kanë vdekur dhe rreth dy mijë të tjerë janë infektuar në mbarë botën deri më tash.
Hulumtuesit britanikë kanë thënë se Kina mund të mos e luftojë me sukses përhapjen e virusit, ndonëse janë marrë masa të rrepta për kufizimin e udhëtimeve dhe qarkullimit të njerëzve.
Autoritetet kineze kanë vendosur ta ndërtojnë spitalin e dytë brenda disa javësh për t’i strehuar 1300 pacientë dhe pritet të përfundohet për dy javë.
Shumë qytete kineze tashmë i kanë anuluar organizimet festive, të cilat ishin planifikuar për ta shënuar Vitin e Ri Kinez.
Në Hong Kong, autoritetet e kanë ngritur në nivelin më të lartë alarmin paralajmërues dhe i kanë mbyllur të gjitha shkollat fillore dhe të mesme.
Pacientët në të gjitha vendet po trajtohen me kujdes të shtuar dhe po mbahen në izolim të plotë për shkak të frikës nga përhapja e virusit te stafi mjekësor, shkruan “BBC”, tansmeton Gazeta Express.