Presidenti Ilir Meta ka vendosur që të mos dekretojë kandidaturën e Genti Cakajt si Ministër i Jashtëm i Shqipërisë, një propozim ky i Ramës i cili ka sjellë mjaft debate në arenën politike shqiptare.
Presidenti i është drejtuar me një letër vetë Kryeministrit, ku shkruan se emri i Genti Cakës është një propozim që nuk përmbush një sërë elementësh të përvojës politike, diplomatike e administrative, në një kohë kur Shqipërisë i duhet një kryediplomat me kapacitete të larta.
Gjithashtu Meta e vë theksin tek qëndrimet e dhëna së fundmi nga ana e Cakajt në lidhje me çështjen e kufijve mes Kosovës e Serbisë, që sipas Kreut të Shtetit provojnë një mungesë të theksuar të eksperiencës së Cakajt.
Kujtojmë se ditën e djeshme Presidenti vendosi të dekretojë emrat e ministrave të mbetur pezull që nga dekreti që urdhëroi shkarkimet e ministrave të mëparshëm. Dje Kreu i Shtetit dekretoi emërimin e 4 ministrave: Elva Margariti, Ministre E Kulturës, Besa Shahini, Ministre E Arsimit, Sportit Dhe Rinisë, Anila Denaj, Ministre E Financave Dhe Ekonomisë dhe Belinda Balluku, Ministre E Infrastrukturës Dhe Energjisë.
Pezull mbeti vetëm emri i Genti Cakës, gjithaq dhe dekreti për shkarkimin e Ministrit aktual të Jashtëm Ditmir Bushati.