Presidenti në pubertet

E shtune, 19 Nentor 2016 –  Sakte.net  /

I rrezikshëm apo figurë qesharake? Bekim për Amerikën apo katastrofë për botën? Donald Trump është i panjohuri i madh i politikës. Rrjedhimisht, çdo parashikim mbi qeverisjen e tij është i vështirë. Një përpjekje

David Cay Johnston është njëri prej gazetarëve më të njohur amerikanë. Ka shkruar për “Los Angeles Times” dhe për “New York Times”. Sivjet ai ka botuar librin “The Making of Donald Trump”, ku shpjegon se si u bë kandidat për president një biznesmen aq kontrovers si Trump. Le të kujtojmë këtu çfarë ka thënë Trump gjatë fushatës elektorale për president: myslimanët do ta kenë të ndaluar të hyjnë në Amerikë, meksikanët janë dhunues. Ai ka rrahur gjoks kur gratë janë ankuar se i ka ngacmuar seksualisht, ka thënë së Barack Obama nuk është lindur në Amerikë, andaj as nuk kishte të drejtë të bëhej president, por kur kjo gënjeshtër e Trumpit është demaskuar, ai ka thënë se autore e gënjeshtrës na qenkësh Hillary Clinton.

A është një person i tillë i denjë për të qenë president i SHBA-së? Ka pak analistë politikë që thonë: po! Në një intervistë dhënë gazetës zvicerane “Tages Anzeiger”, David Cay Johnston ka thënë se Trump nuk është i aftë për këtë post. “Aktualisht (pas zgjedhjes, v.j.) Trump po sillet në mënyrë racionale dhe të arsyeshme. Por sapo të rritet presioni, ai bëhet i pakontrollueshëm. Kështu ka qenë përherë në jetën e tij. Pres që nga 20 janari ai do të bëhet edhe më i pakontrollueshëm”.
Natyrisht, ekziston Kushtetuta amerikane, gjykatat, politikanët në Kongres, të cilët kanë dije për politikën e jashtme dhe nuk do të pajtohen me presidentin, nëse ai do të synojë të rrotullojë krejt rendin botëror. Por ekziston një rrezik – ky rrezik quhet dobësi e karakterit të Trumpit. Mungesa e pjekurisë politike e bën atë të pakalkulueshëm si politikan, i cili s’ka asnjë ditë përvojë në pushtet, i cili ndoshta mendon se shteti menaxhohet si firmë. “Ai është një burrë 70-vjeçar me pjekurinë mentale të një 13-vjeçari. Më vjen keq për Donald Trumpin. Merreni me mend, ju jeni tërë jetën në fazë puberteti. Një jetë e tmerrshme. (…) Ai është një mediokër, i pasigurt, kryeneç, racist, seksist dhe narcist. Ai nuk ka qëndrim politik. Donaldi është glorifikim i Donaldit. E kam përjetuar vetë kur njëherë kam ngrenë drekë me të”, thotë David Cay Johnston.

Donaldi është Donald. Edhe kur flet për politikën e jashtme, për shembull për Rusinë. 17 shërbime sekrete amerikane, sipas David Cay Johnston, janë të një mendimi se hakerët rusë kanë sulmuar serverët e Partisë Demokratike dhe përmes “Wikileaks” kanë publikuar emailat, por Trumpi e adhuron Vladimir Putinin. Por gjatë fushatës zgjedhore Trump ka thënë se nuk do të ngurronte të sulmonte avionët rusë nëse do të rrezikonin ata amerikanë. I rrezikshëm apo figurë qesharake? Bekim për Amerikën apo katastrofë për botën? Donald Trump është i panjohuri i madh i politikës. Rrjedhimisht, çdo parashikim mbi qeverisjen e tij është i vështirë.

Është e mundshme që Trump të mbetet vetëm president i paralajmërimeve, por jo dhe i jetësimit të premtimeve të tij. Kur thotë se NATO-n do ta shikojë nga prizmi i kostos dhe i përfitimit, ai injoron faktin se SHBA-ja nuk e ka themeluar Aleancën Veriatlantike e shtyrë nga motivet altruiste, por edhe për të mbrojtur veten, për të mbajtur sa më larg rrezikun. Rrjedhimisht, për Amerikën është më lehtë të mbrohet nga agresioni rus në vendet baltike apo në Poloni sesa në Normandi. Për këtë amerikanët kanë nevojë për evropianët.

Megjithatë, rreziku nuk duhet nënçmuar. Siç shkroi Josef Joffe, editor i së përjavshmes gjermane “Die Zeit” dhe docent për politikë ndërkombëtare në München, në John Hopkins University, në Harvard dhe në Stanford, “zgjedhja e Donald Trumpit nuk është lëvizje normale e tektonikës, por një tërmet i shkallës 8,5 – i cili do të dridhë Amerikën dhe mbarë botën. Kur Trump shpalli kandidaturën në verën e vitit 2015, dukej se ky ishte vetëm fillimi i një shou televiziv grotesk. Por, ndërkohë, Trumpatori i ka hedhur anash së pari 16 rivalë republikanë në zgjedhjet paraprake (Primaries), pastaj Hillary Clintonin, trashëgimtaren e caktuar të Barack Obamas, së cilës vetëm dy herë arriti t’i afrohej në anketa. Më 20 janar seria fillon edicionin e dytë. Ajo quhet: ‘Shteti jam unë’. Sërish anketat dështuan, sepse deri në çastin e fundit kishin mashtruar se Clinton gëzonte epërsi, ndonëse të ngushtë. Ashtu si në rastin e Brexitit, ku një ditë para referendumit besnikët e BE-së ishin në epërsi me tri pikë përqindjeje. Pastaj fituan armiqtë e Evropës. Triumfi i pakuptueshëm i Trumpit tregon se shumë të anketuar nuk kanë guxim që në telefon të pranojnë se janë jokorrektë. Në të ardhmen anketat duhet të shikohen si lojë zbavitëse, jo si parashikim që duhet marrë seriozisht. Për fat të keq Trump qëlloi në cak kur shigjetat e tij me helm i gjuajti në drejtim të hulumtuesve elektoralë”.

Fitoren e Hillary Clintonit nuk e dëshironin vetëm shqiptarët, por edhe shumica e evropianëve progresivë – jo pak prej tyre nuk ishin të entuziazmuar me kandidaten, por e shihnin si të keqen më të vogël përballë Trumpit. Në gjithë këtë shou amerikan, që tani për tani mori fund me fitoren e Trumpit, ka diçka pozitive: gjasat që ndonjë politikan i Kosovës i dyshuar për krime e korrupsion do të pritet në Shtëpinë e Bardhë dhe do të krahasohet me Goerge Washingtonin janë zvogëluar dukshëm. Fitorja e Trumpit po ashtu e ka lënë pa punë analistin politik nga Tirana, Edvin Rama, i cili kur ishte për vizitë në Beograd, te miku i tij i ri Aleksandar Vuçiq, tha se e dinte dhe ishte i sigurt se Trump nuk do të bëhej president.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme