Thaçi ka ftuar gjitha partitë politike dhe Listën Serbe ta votojnë demarkacionin, raporton lajmi.net.
Shkrimi i plotë:
Ratifikimi i marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, sot në Kuvendin e Kosovës, do të thyejë përgjithmonë izolimin e Kosovës.
Sot, kur krejt bota është duke na shikuar, besoj thellë në vullnetin e të gjitha partive politike për të ratifikuar këtë marrëveshje, e cila krijon një dinamikë të re edhe në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Vota për ratifikimin e demarkacionit është votë për lirinë e lëvizjes së qytetarëve në zonën Shengen, është votë për Kosovën në Evropë.
Prandaj, ftoj të gjitha partitë që të respektojnë vullnetin e të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike dhe religjioze, për të lëvizur të lirë.
Ftoj Listën Serbe që të votojnë këtë marrëveshje, duke respektuar vullnetin e komunitetit serb në Kosovë.
Në kohën kur Kosova ka hyrë në fazën e fundit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, Lista Serbe nuk ka asnjë arsye që të mos e ratifikojë këtë marrëveshje.
Le të jetë kjo një ditë feste për qytetarët e Kosovës dhe një ditë unifikuese e të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvend. HTH