Hashim Thaçi do ta shpallë sot dëshmor të kombit një aktivist të LDK-së, për vrasjen e të cilit presidenti është cilësuar përgjegjës nga vëllai i tij.
Thaçi pritet të bëjë homazhe në fshatin Turiqec të Skenderajt dhe të mbajë akademi përkujtimore në nderim të Haki Imerit.
Ka marrë përsipër gjithë organizimin së bashku me Komunën e Skenderajt.
Për vite të tëra Thaçi dhe Shërbimi Informativ i Kosovës (SHIK) është bërë përgjegjës nga vëllai i Haki Imerit, Imeri se ka gisht në vrasjen e këtij aktivisti.
Por sot, Imeri që drejton një shoqatë të quajtur “Thirrje për drejtësi” është tërhequr nga akuzat që i ka bërë Thaçit dhe është bindur se nuk ka gisht në këtë vrasje.
Në një bisedë për Insajderin, Imer Imeri ka thënë se presidenti i vendit “i është larë” duke i bërë be me 124 pleq se nuk ka lidhje me këtë vrasje.
“E kom akuzu gjithnjë…, kam ardhë në përfundim që ai (Thaçi v.j.) ka mujt mu la… I ka ba do thirrje m’i hetu vrasjet e mas luftës, gjatë luftës edhe me rafikimin e Gjykatës Speciale, diçka mund pastrohet”, ka thënë Imeri.
Ai zotohet se nuk do të ndalet së kërkuari drejtësi për të vëllanë të vrarë 18 vjet më parë, ani se tash nuk e akuzon Thaçin më.
Imeri tregon se Thaçi është i gatshëm t’i bëjë be se është i pastër.
“Ai më ka thanë që muj me bo be 124 pleq me kanun, që s’kom hak e as hile”, ka treguar Imeri për të shtuar se është bindur se presidenti i vendit nuk është përgjegjës për vrasjen e vëllait të tij.
“Unë kurrë nuk kom thanë që Hashimi ma ka vra vllaun. Kom thanë që e din kush e ka vra. Sipas raportit të KFOR-it para 8 qershorit 2014, SHIK-u është organizatë kriminale, Kadri Veseli drejtor, i raportoj Hashim Thaçit edhe gjithmonë kom mendu që Hashimi duhet me ditë edhe këta e dinë. Po tash njeri me luftu me to nuk po mundet, po duhet me nda dikon, e me marr dikon”, thotë Imeri.
Imeri tash po e akuzon LDK-në që nuk ka bërë asgjë për zbardhjen e vrasjes së vëllait të tij, por vetëm ka përfituar vota duke u thirrur në emrin e tij.
Sipas tij, vrasja e Haki Imerit është vrasja e parë në Drenicë e motivuar politikisht.
“LDK ka mujt ni përvjetor, ni tufë lule te varri me ja pru. Kurrë niherë se bani. LDK ka mujt me ja parmen emrin në gazetë. Kurrë nuk e bëri. Me vdekjen e Rugovës, LDK shkoi me to. Unë nuk di çfarë i them kësaj LDK-je”, ka thënë Imeri.
“Ata që nuk e ka bërë LDK, është duke e bërë Hashim Thaçi. 18 vjet luftë këta veç përfituan, kurgjo s’bonën”, thotë Imeri.
Pos vëllait që i kanë vrarë, Hakiun, Imer Imeri ka qenë i burgosur i UÇK-së në Cahan të Shqipërisë. Atje është mbajtur dhe torturuar nga pjesëtarë të UÇK-së. Për këtë krim dhe të tjera, janë dënuar disa pjesëtarë të UÇK-së, përfshirë Sabit Gecin.
Imer Imeri pos në intervista, nuk ka reshtur së akuzuari PDK-në dhe Thaçin për krime dhe përfitime. Madje ka postuar edhe një videomesazh në vitin 2014 duke i bërë thirrje popullit që mos ta votojnë Thaçin, sepse sipas tij është kriminel./Insajderi.com