Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani flet për AA lidhur me luftën Rusi-Ukrainë

NAZLI YÜZBAŞIOĞLU/BEHLÜL ÇETİNKAYA

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu tha se edhe ata vetë kanë qenë viktima të krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit nga regjimi i Millosheviçit i cili nuk njihte asnjë rregull, ligj ndërkombëtar dhe të drejtë ndërkombëtare të njeriut.

Osmani e cila mori pjesë në Forumin e Diplomacisë Antalya 2022 (ADF) që u mbajt në Qendrën e Kongresit NEST në zonën turistike Belek në Antalya ku Anadolu Agency (AA) është “Partner Global i Komunikimit”, u është përgjigjur pyetjeve të gazetarit të AA-së.

ADF në dy vite është rritur shumë, tha Osmani e cila theksoi: “Falënderoj presidentin (Recep Tayyip) Erdoğan dhe ministrin e Jashtëm (Mevlüt) Çavuşoğlu, të cilët na mblodhën të gjithëve bashkë në këtë kohë të vështirë, veçanërisht për t‘i treguar Evropës dhe pjesës tjetër të botës se si mund ta përdorim diplomacinë për të bashkuar njerëzit, për më shumë paqe, më shumë demokraci dhe më shumë prosperitet”.

Duke vënë theksin mbi kohën e mbajtjes së Forumit dhe rëndësinë e çështjeve që ai nxori në pah, Osmani shpjegoi se në kuadër të ADF zhvilloi takime me politikanë dhe akademikë nga shumë vende, me përfaqësues të organizatave të mendimit dhe anëtarëve të mediave.

– “Jemi shumë me fat që kemi një mike si Turqia”

Presidentja e Kosovës, Osmani foli edhe për marrëdhëniet dypalëshe Turqi-Kosovë, ku ajo tha se “Jemi shumë me fat që kemi një mike si Turqia”.

Ajo shtoi se Turqia gjithmonë në kohë të vështira dhe të mira ka qëndruar pranë Kosovës dhe se në çdo hap të hedhur e kanë shikuar Turqinë pranë tyre.

“Gjithashtu Turqia është një vend që mbështet edhe pavarësinë e Kosovës. Turqia mbështet pavarësinë e Kosovës dhe është një prej investitorëve më të mëdhenj të jashtëm që krijon shumë vende pune në Kosovë. Padyshim që shpresojmë që do të hapen kapituj të rinj bashkëpunimi, sepse besoj se ende nuk e kemi arritur potencialin tonë të plotë”, tha Osmani.

Më tej Osmani shtoi se marrëdhëniet diplomatike dypalëshe janë në një nivel shumë të mirë dhe se një fushë tjetër e bashkëpunimit në rritje është në fushën e mbrojtjes.

Pasi bëri të ditur se Turqia është një nga dy partnerët më të rëndësishëm të Kosovës në industrinë e mbrojtjes, Osmani vuri theksin se marrëveshja e nënshkruar për tregtinë e lirë ka ndikuar pozitivisht në tregtinë reciproke.

“Përpara forumit kam zhvilluar takime në Ankara dhe Stamboll dhe biznesmenët e Kosovës më kanë shoqëruar”, tha Osmani e cila shtoi se “Kam parë se sa potencial ka për të rritur bashkëpunimin në fusha të tilla si bujqësi, industri e metalit dhe drurit, ushqimit dhe tekstilit. Bashkëpunimet që do të zhvillohen në këtë fushë do të krijojnë punësime të reja në Kosovë por edhe do të jenë në dobi të të dy vendeve”.

Osmani tha se Kosova ka përcjellë dëshirën e saj për të zhvilluar marrëdhëniet në fushën e kulturës, turizmit, mbrojtjes dhe diplomacisë.

– “Shqetësohemi se lufta mund të përhapet edhe në Ballkanin Perëndimor”

“Ministrat e Jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës u takuan në kuadër të Forumit në Antalya dhe përpjekjet që Turqia ka treguar janë mirëpritur”, nënvizoi Osmani e cila shtoi se iniciativa të tilla duhet të mbështeten edhe në të ardhmen.

Presidentja Osmani tha se Kosova është një prej vendeve që ka bërë më shpejt deklaratën për solidarizim me Ukrainën. “Dëshirojmë të tregojmë solidarizimin me popullin e Ukrainës edhe duke ndërmarrë masa të reja shtesë. Ukraina është një vend i pavarur dhe demokratik dhe ka të drejtën që të vendosë vet lidhur me çështjet për veten e saj”, tha Osmani.

Ajo tërhoqi vëmendjen se edhe Kosova ka kaluar në një proces të ngjashëm si Ukraina. “Edhe ne vetë kemi qenë viktima të krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit nga regjimi i Millosheviçit i cili nuk njihte asnjë rregull, ligj ndërkombëtar dhe të drejtë ndërkombëtare të njeriut. Si pasojë edhe ne kemi qenë refugjatë. Prandaj, ne mund ta kuptojmë atë çka ndien Ukraina”, u shpreh Osmani.

Presidentja kosovare vuri në dukje se dyert e tyre janë të hapura për të pritur emigrantët ukrainas dhe se do të vazhdojnë mbështetjen e tyre në luftën kundër propagandës ruse ndaj gazetarëve ukrainas.

Sipas saj, ndikimi i luftës do të jetë mbi të gjithë, jo vetëm mbi Ukrainën. “Jemi të shqetësuar se lufta mund të përhapet edhe në Ballkanin Perëndimor, sepse Rusia prej disa kohësh e përdor Serbinë si një përfaqësues të saj në rajon. Ka ndikim ushtarak, politik dhe ekonomik mbi Serbinë”, tha Osmani.

Ajo potencoi se Kosova po punon me partnerët e saj për të penguar që kjo situatë të mos ndodhë. “Besoj se do të jemi të suksesshëm, por duhet të jemi të kujdesshëm duke ditur qëllimet hegjemoniste dhe imperialiste të Rusisë”.

– “Nëse ka njohje, gjysma e problemeve zgjidhen”

Osmani foli edhe për negociatat e zhvilluara me Serbinë, ku ajo pretendoi se Serbia pengon negociatat nëpërmjet pjesëmarrjes.

Ajo ka mbrojtur idenë e saj se Serbia e cila është ulur në tryezën e negociatave ka nxjerrë pengesa të reja dhe se Kosova vazhdon punimet për dialog dhe ka bërë rekomandime për stabilitet.

“Nëse ka njohje, gjysma e problemeve zgjidhen”, tha Osmani e cila shtoi se shpresojnë që Serbia t‘i bashkohet qasjes së BE-së ndaj Rusisë.

Duke rikujtuar se Serbia ka mbajtur hapur hapësirën e saj ajrore për Rusinë, Osmani tha se “Ata sigurojnë oksigjen për qeverinë e Putinit duke ndihmuar ekonominë ruse dhe oligarkët rusë”.

Osmani vlerëson se kriza në Ukrainë është shembull se çfarë do të ndodhë kur përballë agresionit nuk bëhen reagimet e nevojshme.

– “Duhet të krijojmë një mjedis ku brezat e ardhshëm të mos shohin luftë gjatë gjithë jetës së tyre”

Presidentja Osmani theksoi se ushtria e Kosovës është me standardet e NATO-s dhe se ajo mbështetet nga aleatët e NATO-s.

“Kosova fillimisht dëshiron të anëtarësohet në NATO pas Partneritetit për Paqe (PfP), i cili synon të ndërtojë besimin ndërmjet anëtarëve të NATO-së në Evropë dhe ish-vendeve sovjetike. Më duket absurde që PfP bashkëpunon me Serbinë dhe (presidentin bjellorus, Alexander) Lukashenko që janë anti-NATO dhe nuk i dërgon ftesë një vendi si Kosova që është vendi më pro NATO në botë”, tha Osmani.

Pasi tërhoqi vëmendjen mbi rëndësinë e anëtarësimit në NATO në aspektin e sigurisë, Osmani tha se anëtarësimi i Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi ka pasur një kontribut të madh në NATO.

Ajo ka përmendur rëndësinë për ekzistencën e më shumë institucioneve ndërkombëtare në Kosovë në aspektin e sigurisë kombëtare dhe theksoi se vendet paqedashëse duhet të punojnë së bashku.

Osmani rikujtoi se Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina kanë humbur shumë civilë në luftën me Serbinë dhe se ende në vend ka 1.600 të zhdukur.

Duke vënë theksin se nuk dëshirojnë ta përjetojnë sërish këtë, Osmani tha: “Fjala ‘Kurrë më‘ nuk është vetëm një slogan. Nënkupton se hedhim hapa në jetën tonë të përditshme, në politikat tona, që brezat e ardhshëm të mos i përjetojnë edhe njëherë këto. Çdo gjë që bëjmë duhet të kontribuojë për paqen dhe mirëqenien”.

“Duhet të krijojmë një mjedis ku brezat e ardhshëm të mos shohin luftë gjatë gjithë jetës së tyre. Jo vetëm për Ukrainën, por në asnjë luftë nuk duhet të dëmtohet asnjë i pafajshëm, sepse në luftëra dëmin më të madh e pësojnë civilët, kryesisht gratë dhe fëmijët”, tha presidentja e Kosovës, Osmani.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme