‘Presim arrestimin e Ramës e Belindës’/ Protestuesit para SPAK: Nuk duam arrestime për show, të ndiqet i gjithë zinxhiri

Qytetarët që prej ditësh protestojnë para ambienteve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) kanë vijuar të përcjellin mesazhet e tyre për drejtësi dhe hetime të plota.

Një prej protestueseve tha për gazetarin e SYRI Fation Gjinaj se arrestimet nuk duhet të mbeten thjesht veprime të momentit, por duhet të shoqërohen me hetimin e plotë të rrjeteve dhe gjurmimin e parave.

 “Ne nuk kërkojmë arrestime për show. Kërkojmë drejtësi, konfiskim parash dhe që drejtësia të jetë e barabartë për të gjithë. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin”, u shpreh ajo.

E pyetur nëse ky qëndrim lidhet edhe me arrestimin e biznesmenit Ergys Agasi, protestuesja tha se hetimi duhet të shkojë përtej një individi dhe të zbardhë të gjithë zinxhirin.

“U arrestua, por a do të ndiqet zinxhiri? Nuk është vetëm ai. Është një rrjet shumë i madh dhe drejtësia duhet të shkojë deri në fund”, deklaroi ajo.

Një tjetër protestues kërkoi nga SPAK që në muajt e ardhshëm të ketë veprime konkrete dhe jo vetëm hetime. Ai tha se qytetarët presin arrestime, konfiskim pasurish dhe rikthimin e aseteve tek shteti.

“Ne presim drejtësinë. Presim Belindën, presim Ramën, presim që të bëhet drejtësi për të gjithë shqiptarët. Nuk duam më vetëm hetime, duam veprime, urdhra arresti dhe konfiskim pasurish”, tha ai.

Protestuesi theksoi gjithashtu se drejtësia nuk duhet të funksionojë vetëm në periudha të caktuara, por gjatë gjithë vitit.

“Ligji nuk është sezonal. Duhet të jetë aktiv 24 orë, shtatë ditë në javë, 365 ditë të vitit”, u shpreh ai.

Protestuesit kanë vijuar të qëndrojnë pranë SPAK, duke përdorur pankarta për të kërkuar hetime dhe transparencë për çështje të ndryshme që janë nën vëmendjen e organit të akuzës.

Në lidhje me arrestimin e Ergys Agasit, ai akuzohet për disa vepra penale, mes tyre grup i strukturuar kriminal, organizatë kriminale, shkelje të barazisë në tendera dhe pastrim parash. Seanca për vlerësimin e masës së sigurisë pritet të zhvillohet të shtunën.

Transmetimi në studio:

Moderatorja: Në këto çaste me të tjera informacione dhe zhvillime, do të fokusohemi sërish në këto momente tek të tjera detaje që lidhen me arrestimin e Ergys Agasit. Do të kem kolegun Fation Gjinaj i cili do të jetë i përqendruar në këto momente tek Prokuroria e Posaçme. Ndërkohë që kemi edhe të tjera zhvillime atje, sa i përket prezencës së qytetarëve protestues të cilët kanë prej ditësh që janë përpara dyerve të SPAK për të kërkuar drejtësi dhe për të kërkuar vëmendje më të shtuar ndaj problematikave të cilat janë denoncuar në dyert e këtij institucioni. Lidhemi menjëherë me kolegun. Fation të përshëndes sërish.

Fation Gjinaj: Të përshëndes Eneida. Ditën e shtunë, ende nuk dimë datën, pritet të zhvillohet seanca për vlerësimin e kushteve të caktimit të masës së sigurisë për Ergys Agasin, biznesmenin kontrovers i cili u arrestua një ditë më parë në zonën e Plevave në Durrës, në shoqërinë e ish-drejtuesit të lartë policor Ulijan Shpataraku, që drejtonte automjetin luksoz me të cilin udhëtonte biznesmeni i cili është vendosur gjithashtu në pranga. Ndërkohë që sa i takon zhvillimeve me çështjen Agasi, pritet që gjykata t’i komunikojë vendimin e saj përfundimtar pasi të kërkojë edhe marrjen në pyetje sërish të tij në seancën për vlerësimin e masës së sigurisë, nëse do ta vijojë atë masë që ka marrë prej hetuesit të kaluar në mungesë, arrest në burg apo do të ketë një masë tjetër. Sot Agasi e priti ditën e sotme në ambientet e paraburgimit, në bllokun e sigurisë në rrugën Mine Peza, ku në orët e paradites u vizitua nga avokati i tij Maksim Haxhia, i cili mbajti edhe një deklaratë për mediat ku kundërshtoi akuzën dhe pati vërejtje për organin e akuzës, duke thënë se pavarësisht se kanë kaluar disa muaj nga komunikimi i akuzave dhe shpallja në kërkim ndërkombëtar e klientit të tij, nuk i është vënë në dispozicion dosja. Avokati Haxhia pretendon se klienti i tij nuk ka asnjë ngarkesë juridike…

Prej disa ditësh, prej disa ditësh flamingo-t janë zhvendosur, protestuesit, ata që njihen në fakt si një grupim që vijnë përditë në ambientet e prokurorisë së posaçme, japin mesazhet e tyre përpara SPAK. Pankarta juaj shkruan: “Ne nuk kërkojmë arrestime për show, kërkojmë gjurmën e parave deri tek i fundit.” Çfarë do të thotë?

Protestuesja: Do të thotë që qeveria, opozita, oligarkët, si dhe mediat janë të gjithë bashkë një klikë. Ky establishment duhet ta lirojë Shqipërinë. Për vite e kanë marrë peng, për vite është një zinxhir shumë i gjatë i lidhur me njëri-tjetrin dhe ka ardhur koha për drejtësi. Shqiptarët kërkojnë drejtësi. Ne nuk kërkojmë arrestime për shoë, arresto sot nxirreni nesër. Ne kërkojmë drejtësi, konfiskim parash dhe drejtësia të jetë e barabartë për të gjithë. Askush mbi ligjin!

Fation Gjinaj: Kur thoni drejtësi për show, mes të tjerave, e keni fjalën edhe për ngjarjen dhe zhvillimet e djeshme me biznesmenin Agasi pra?

Protestuesja: Sigurisht, sigurisht, sigurisht edhe për atë. Ideja është që ai u arrestua, por a do ndiqet zinxhiri? Kush është, nuk është vetëm ai. Ky është një rrjet shumë i madh dhe drejtësia duhet të shkojë në fund. Hetimet duhet të jenë të plota dhe të ndiqet i gjithë zinxhiri.

Fation Gjinaj: Dhe meqë jemi në fund të ditëve të muajit gusht dhe me nisjen e sezonit të ri ose nëse mund të themi të stinës së vjeshtës ku rikthehen edhe administrata apo institucionet në vendin e punës, çfarë prisni nga SPAK në vjeshtë?

Protestuesi: Ne presim drejtësinë! Presim Belindën, presim Ramën, presim të bëhet drejtësi për të gjithë shqiptarët. Rezultate, ne nuk duam më hetime, hetimet i di e gjithë Shqipëria, janë në Google, janë kudo. Ne duam drejtësi, ne duam veprime. Ne duam urdhra arresti dhe konfiskim pasurish. Shqiptarëve t’u kthehet pasuria, shqiptarëve t’u kthehet dinjiteti dhe integriteti. Edhe mbi të gjitha unë dua të them që ligji nuk është sezonal. Ligji duhet të jetë 24 orë, në 7 ditë, në 365 ditë të vitit, duhet të jetë gjithmonë, gjithmonë aktiv. Nuk është ligji sezonal. Çfarë do ndodhë në shtator, çfarë do ndodhë në tetor? Ra një koordinator i grupeve kriminale që quhet Ergys Agasi, dhe ndërkohë do vihet një koordinator tjetër. Koka e krimit dhe narko-shtetit quhet Edvin Kristaq Rama. I pari, gjithashtu edhe hierarkia. Çfarë u bë me Belinda Ballukun? Qytetarët duan transparencë. Zoti Klodian Braho që po flet gjumë, jep dorëheqjen në qoftë se ti po bën shoë politik! Jep dorëheqjen edhe shko bëj ndonjë punë tjetër, puno ndonjë polic ose ndonjë pastrues, ndonjë diçka tjetër, sepse për këtë punë nuk je. Faleminderit.

Fation Gjinaj: Ishte konkret edhe qytetari që sapo foli. Mbi kërkesat e tij, ndalur edhe tek ai perceptimi që është krijuar edhe në publik, sa i takon vjeshtës. Është një artikulim që e dëgjojmë shpesh edhe të përvitshëm. Në fakt qytetarja u shpreh se drejtësia nuk duhet të ketë stinë, drejtësia duhet të jetë gjithmonë funksionale dhe duhet të jetë gjithmonë në shërbim të qytetarëve. Ndërkohë që qytetarët që sapo folën dhe ata që i shoqëronin janë të përditshëm prej disa javësh në dyert e prokurorisë, simbolikat e tyre flasin qartë. Në shumicën prej tyre ka të shkruara në pankarta çështje që janë nën hetim nga SPAK apo subjekte që janë nën hetim nga SPAK dhe nuk ka patur veprime konkrete dhe përfundimtare sikurse rasti që përmendën të dy folësit i Belinda Ballukut…

Për t’u rikthyer edhe një herë te çështja Agasi, është një kontraditë në këtë mes, ose nxjerr në pah edhe punën e autoriteteve të zbatimit të ligjit apo atë kufirit, për mënyrën se si eksponentë të tillë qarkullojnë të lirshëm jo vetëm brenda territorit të Shqipërisë, ashtu siç ishte Ergys Agasi prej më shumë se tetë muajsh, por kanë aftësinë dhe mundësinë për të lëvizur edhe jashtë territorit të Shqipërisë, duke shfrytëzuar me shumë gjasë influencat dhe kontaktet e tyre. Siç ishte ai që sapo u konfirmua nga zoti Haxhia, sa i takon lëvizjeve të tij edhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Gjë e cila u pa edhe në rastin e Ermal Beqirit, i cili ndonëse në kërkim ndërkombëtar nga SPAK, arriti të futej në territorin francez me avionin e tij privat, për qëllime që ende nuk dihen… Agasi akuzohet për shtatë akuza, mes të cilave grup të strukturuar kriminal, organizatë kriminale, shkelje të barazisë në tendera, pastrim i parave etj. Në momentin e arrestimit ai lëvizte me një automjet në vlerë rreth 80 mijë euro, ndërkohë që është sekuestruar ky mjet në posedim të Ulijan Shpatarakut. Sa i takon aksesit të gazetarëve, pritet që nga 1 shtatori të ketë masa të reja kufizuese që pengojnë qasjen e lirë dhe transparencën…

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme