Presioni ndërkombëtar sërish e dështoi dërgimin e Speciales në Kuvend

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, e paralajmëruar për t’u mbajtur sot dhe nga pritej të procedohej për në Kuvend çështja e shfuqizimit të Ligjit për Gjykatën Speciale, nuk arriti të mbahej pasi nuk pati kuorum.

Në mbledhje, prezentë ishin, përveç kreut të Kuvendit, Kadri Veselit, Xhavit Haliti nga PDK, Avdullah Hoti e Kujtim Shala nga LDK dhe më vonë arriti edhe Ahmet Isufi i AAK-së, por që në të munguan anëtarët e Vetëvendosjes dhe ata të pakicave, gjë që bëri që mbledhja të dështonte.

E pak para se të niste kjo mbledhje, Ambasadori Amerikan në Kosovë, Greg Delawie, përmes një adresimi, tha se zhbërja e Gjykatës Speciale do të kishte pasoja të rënda për ata që e votojnë.

“Më lejoni të jem i qartë, deputetët që e mbështesin këtë nismë dhe politikanët që i prijnë asaj, përkundër mohimeve të tyre, do t’iu nënshtrohen pasojave specifike dhe të ashpra. Ata e dinë këtë sepse ua kemi thënë”, ka thënë Delawie, raporton Koha.net.

Por, Ahmet Isufi, shefi i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pas dështimit të mbledhjes së Kryesisë, deklaroi se qëndrimi i partisë së tij është i pandryshueshëm edhe përkundër deklarimit të Ambasadorit amerikan pak kohë para nisjes së mbledhjes.

Në pyetjen se si i komenton AAK deklarimet e ambasadorit Greg Delawie, se nëse zhbëhet Specialja do të ketë pasoja të rënda, Isufi tha se nuk i komentojnë këto deklarata.

“Gjykata Speciale dëmton Kosovën dhe luftën e UÇK-së. Qëndrimi ynë është i qartë prej fillimit. Kemi qenë kundër edhe atëherë kur është votuar ky Ligj e jemi edhe tani”, tha Isufi, duke theksuar se AAK është kundër kësaj Gjykate pasi konsideron se vepron vetëm kundër një etniteti, që janë shqiptarët, dhe kështu dëmton imazhin e Kosovës.

Por, Ambasadori Delawie, në adresimin e tij, tha se “Gjykata Speciale nuk është për drejtësi për një shtet, për një ushtri apo për një grup etnik, ka të bëjë për drejtësinë për viktimat individuale”.

“Kosova ka luftuar një luftë në vitin 1999 dhe ne kemi qëndruar krah jush, kemi qëndruar me viktimat, kemi qëndruar përkrah drejtësisë. Askush nuk do të mund t’i rishkruajë librat e historisë për fushatën e krimeve mizore të Republikës federale të Ish-Jugosllavisë. Por, realiteti është se disa individë që kanë luftuar për kauzën e drejtë të lirisë së Kosovës kanë kryer krime të rënda kundër të tjerëve, për çka duhet të japin llogari dhe kjo është përse është krijuar Gjykata Speciale”, deklaroi Ambasadori amerikan në këtë konferencë me gazetarë, raporton Koha.net.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, pas dështimit të mbledhjes së Kryesisë, në prononcimin e tij para mediave, kritikoi koalicionin qeverisës për zvarritjet që po bëhen.

Ai ka pranuar se ka qenë në rend të ditës edhe kërkesa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, për të cilën tha se GP i LDK-së është kundër.

“Ne shkuam në mbledhje për të marrë pjesë për caktimin e seancave të radhës në bazë të rendit të ditës. Normalisht për pikën që lidhet me Ligjin për shfuqizimin e Gjykatës Speciale ju i dini qëndrimet e LDK-së, ne në atë pikë do të jemi në ‘linjën’ tonë dhe do të lëshonim mbledhjen”, ka thënë Hoti.

Kundër shfuqizimit të Ligjit për Specialen është deklaruar edhe raportuesi i posaçëm në Parlamentin Evropian për Kosovën, Igor Sholtes, i cili tha se shfuqizimi i Gjykatës Speciale do ta izolojë Prishtinën.

Ai shpjegoi se një lëvizje e tillë do të përcillte shenja shumë të këqija për respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe detyrimeve ndërkombëtare, e do të ketë pasoja për negociatat e mëtejshme të Bashkimit Evropian me Kosovën.

Ditë më parë, në Prishtinë qëndroi një delegacion i përbërë nga zyrtarë shtetërorë të Gjermanisë dhe Francës, të cilët zhvilluan takime të ndara me zyrtarë të shtetit, e nga të cilët kërkuan që të jenë të kujdesshëm në këtë çështje, rrjedhimisht të mos procedojnë me shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Deri më tani, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma për Kosovën kanë dalë hapur kundër Gjykatës Speciale, ndërsa LDK e AKR e përkrahin një gjykatë të tillë. PDK është ende e ndarë për këtë çështje pasi kreu i saj, Kadri Veseli, përmes një letre publike, tha se Gjykata Speciale do të ndodh dhe s’mund të ndalet, ndërsa deputetë të kësaj partie janë kundër saj.

Edhe në tentimin e kaluar, natën e 22 dhjetorit të vitit të kaluar, për të thirrur një seancë për shfuqizimin e Ligjit për Specialen, Kryesia e Kuvendit nuk arriti të mblidhej në mungesë kuorumi. Edhe atë natë, Ambasadorët e SHBA-së dhe të Britanisë zhvilluan takime me parti politike parlamentare për të bindur ata që të mos procedojnë me seancë ku pritej të votohej shfuqizimi i Speciales.

© KOHA. 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme