Pretendimi i demokratëve se efektivi tregoi pistoletën përgjatë tubimit, ministri Hoxha: Keqardhje për deputetët e opozitës! Policët nuk ishin të pajisur me armë zjarri

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, përmes një prononcimi për media, ka reaguar lidhur me pretendimin e demokratëve se një ditë më parë, një efektiv i ka treguar armën si shenjë kërcënimi përgjatë tubimit të tyre përballë Kuvendit të Shqipërisë.


Hoxha e mohon të ketë ndodhur një gjë e tillë, teksa bazohet në ligjin e tubimeve, nga ku efektivët nuk kanë qenë të pajisur me armë zjarri.

Ministri u shpreh se ndjen keqardhje për deputetët e opozitës, pasi sipas tij ka dhunuar Policinë e Shtetit dhe Gardën e Republikës.

Ervin Hoxha: Keqardhje për deputetët e opozitës, të cilët ushtruan dhunë ndaj punonjësve të Policisë dhe punonjësve të Gardës, që ishin atje për të kryer detyrën.

E drejta e tubimit do të garantohet gjithmonë nga ana e punonjësve të Policisë, kurse e drejta e dhunës, e djegies, shkatërrimit, goditjes së punonjësve të Policisë, nuk do të tolerohet.

Pyetje: Ka pasur tentativë për nxjerrjen e armës nga efektivi siç pretendohet?

Hoxha: Në deklaratën e Policisë së Shtetit të dhënë dje, rreth mesditës është shprehur qartë se nuk ka pasur asnjë tentativë të nxjerrjes së armës nga ana e punonjësve të policisë. Dua të ritheksoj e një herë, në ligjin për tubimet është përcaktuar shprehimisht rastet e përdorimit të armëve të zjarrit. Forcat e Policisë së Shtetit, të cilët kanë qenë pjesë e planit të masave të Drejtorisë Policisë Tiranë, nuk kanë pasur dhe nuk kanë qenë të pajisur me armë zjarri.

I pyetur nga gazetarët e pranishëm nëse është normale përballja e policisë me deputetët, Hoxha u përgjigj se sulmi i opozitës ndaj Forcave Policore dhe Gardës nuk është i pranueshëm në pragë të ditës së negociatave Shqipëri-BE.

Pyetje: Është normale përballja e policisë me deputetët?

Hoxha: Sulmi i deputetëve ndaj policisë dhe Gardës së Republikës në prag të marrjes, së ditës së negociatave dhe anëtarësimit të Shqipërisë në BE, nuk është i pranueshëm sepse Forcat e Policisë dhe Garda e republikës është atje për të mbrojtur institucionet kushtetuese.

Lidhur me pretendimin nëse në Kuvend ka pasur prezencë të FNSh-së, Hoxha u shpreh: Forcat e Policisë së Shtetit, të cilat kanë qenë të planëzuar në shërbim për mbrojtjen e institucioneve kanë qenë atje për të bërë detyrën dhe mbrojtjen e institucioneve. E ritheksoj edhe një herë, ndjej shumë keqardhje që forma dhe mënyra e intimidimit dhe imponimit të kësaj mazhorance me mjete shkatërruese djegëse, nuk është forma e duhur dhe bie ndesh me parimet e demokracisë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme