Banorët e ndërtesës në të cilën jeton Arbana Xharra kanë shprehur dyshimet se ajo nuk ka thënë të vërtetën kur ajo ka deklaruar se është sulmuar dhe ka marr lëndime të cilat duhej të trajtoheshin në klinikën e QKUK’së.
Në kushte anonimiteti për portalin Sakte.net, banorët që jetojnë në të njëjtën ndërtesë me ish gazetaren Xharra, kanë thënë se janë ndjerë keq kur kanë dëgjuar lajmin se ajo është sulmuar në ambientet ku edhe ata jetojnë, mirëpo, ngelen të befasuar nga përshkrimi i kojshikes së tyre.
“Në fakt, në ndërtesë tonë nuk është bodrumi në mënyrën që e ka përshkruar ajo dhe nuk kemi pasur probleme me mungesën e dritave”, është shprehur një banor i këtij pallati në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së rastit.
Anëtarja e re e PDK – së, Arbana Xharra sipas deklarimeve të saj ishte sulmuar në muajin maj të këtij viti kur sapo kishte filluar fushata parazgjedhore.
Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja kishte ndodhur në afërsi të banesës së saj pas orës 01.00 pas mesnate ndërmjet së premtes dhe të shtunës. Xharra, nga lëndimet trupore që kishte marrë, ishte dërguar në spitalin e Prishtinës.
Kanë kaluar disa muaj nga ky sulm dhe nuk ka pasur asnjë zhvillim nga ana e policisë për ndriçimin e rastit.
“Ne tani po punojmë me të gjitha kapacitetet tona policore, të gjitha njësitë duke përfshirë edhe kapacitete e forenzikës dhe hetuesit policor në mënyrë që të vijmë deri te zbardhja sa më parë e këtij rasti dhe arrestimin e personave që kanë qenë të përfshirë në këtë rast”, kishte deklaruar Baki Kelani zëdhënës në Policinë e Kosovës.
Sulmin ndaj Xharrës e dënuan përfaqësues institucionesh vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë.
Anëtarja e re e PDK’së, Arbana Xharra flet për herë të parë pas aderimit të saj në PDK, që u përcoll me shumë kritika ndaj saj e më pas edhe me një sulm fizik në parkingun e banesës së saj.
Në një intervistë duke folur pas sulmit, Arbana Xharra kishte pretenduar se dy persona e kanë sulmuar.
Xharra tha se ishin dy persona, ata tentun të më ndalin por nuk kanë tentuar ta dhunojnë.
Ajo pati deklaruar se ka qenë nën përcjelljen e dy shoqëruesve kur është kthyer dhe është futur në garazhë dhe se ajo garazhë nuk ka ndriçim, e as në pjesën e jashtme kur më pas, sipas saj, nis ndriçimi.
Por, ka qenë pikërisht ky përshkrim që i ka bë konfuz bashkëbanuesit në pallatin ku jeton edhe ajo të cilët kanë pretenduar se kati përdhesë nuk duket sipas përshkrimit të ish gazetares.
E, mbase deklarimet jo të sakta të ish gazetares lidhur me rastin kanë ndikuar që të vështirësohet zbardhja e rastit nga ana e Policisë së Kosovës, e cila tash e disa muaj nuk e ka zbardhur këtë ngjarje që ngjalli reagime dhe kundër reagime nga më të ndryshmet dhe seriozisht u rrezikua jeta e anëtares së PDK – së, Arbana Xharra, sipas saj, nga persona të panjohur!
“Në ora 1 e 5 jam kthyer në Prishtinë, shumë lirshëm jam nis shkallëve, jam kthyer te vetura ime. Shoqëruesit më kanë përcjellë deri tek shkallët e garazhës…. Thash ti marrë gjërat dhe ta dorëzoj nesër veturën. Unë me dritë të telefonit e kam hap veturën, për një moment jam tërheq prej flokëve prapa, komplet panika ka qenë të frymarrja. Kam bërë përpjekje të lirohem. Dy persona më kanë tërheq njëri më ka mbyll gojën tjetri më ka tërheq. Pjesë pjesë më kujtohen. Me kokë jam përplas për muri, aty kam hup vetëdijën. Aty është fol diçka, janë ndij shumë parë këmbë,” u shpreh Xharra në një intervistë të saj.
Po ashtu, Policia e Kosovës deri më tani nuk ka zbardhur asnjë rast të kërcënimeve që Xharra pretendonte se janë bërë në adresë të saj./Sakte.net