Zhvillimi ekonomik, forcimi i shtetit ligjor, ngritja e cilësisë në arsim dhe shëndetësi, janë disa prej prioriteteve që qeverisja e Isa Mustafës planifikon t’i ketë prioritet, e për të cilat deri tash janë dhënë fjalë të mëdha. Megjithatë, janë njohësit e këtyre fushave të cilët thonë se prioritetet e kësaj Qeverie, në vazhdim të mandatit, janë vetëm premtime deklarative dhe pritjet në realizim janë të pashpresa.
Ekspertët vlerësojnë se parametrat makro-ekonomik janë mjaft shqetësues bazuar edhe në bilancin tregtarë të Kosovës për të realizuar të ashtuquajturat prioritete të qeverisjes Mustafa.
Nga ana tjetër, ditë më parë, vetë kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, tha se rritja ekonomike kryesisht ka qenë rezultat i investimeve private, por edhe rezultat i masave fiskale të cilat si Qeveri i kanë marrë për të krijuar një ambient më të mirë ekonomik në vend.
Mustafa: Jemi përcaktuar që si prioritet të kemi tani zhvillimin ekonomik
“Si Qeveri jemi përcaktuar që si prioritet të kemi tani zhvillimin ekonomik, përkatësisht rritje ekonomike dhe punësim, forcimin e shtetit ligjor që nënkupton luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, integrimet në institucionet e Bashkimit Evropian dhe ngritjen e cilësisë në fushën e arsimit dhe shëndetësisë, si dy fusha shumë të rëndësishme për ne, që nuk janë vetëm sociale por edhe ekonomike, sepse ndihmojnë zhvillimin ekonomik. Vitin e kaluar ne kemi përmbyllur me një rritje ekonomike prej 4 për qind, që ka qenë rritja më e lartë në regjion dhe po ashtu me trendë pozitive sa i përket punësimit”, ka thënë kryeministri Mustafa ditë më parë.
Por, sipas tij, nuk është arritur që të sigurohet një fluks i punësimit i cili e përballon numrin e të papunëve që hyjnë në tregun e punës diku rreth 22 mijë çdo vit, ndërkaq në vitin e kaluar është arritur që të jenë 18 mijë të punësuar.
Rexhepi: Parametrat makro-ekonomik janë bukur shqetësues
Drejtori i STRAS (Qendra për hulumtime strategjike dhe sociale), Ibrahim Rexhepi, për KosovaPress thotë se nuk mund të ketë zhvillim ekonomik me një rritje ekonomike prej 3.8 – 4 për qind, e cila sipas tij, nuk mund të reflekton tek mirëqenia e popullatës.
Rexhepi thotë se parametrat makro-ekonomik janë mjaft shqetësues bazuar edhe në bilancin tregtarë të Kosovës.
“Duhet analizohet struktura se prej nga po vjen kjo rritje dhe sa janë efektet e përgjithshme të kësaj rritje. Sektori privat nuk është bartës, prandaj, edhe nuk ka mundësi. Pa marrë parasysh se ka 4 përqind rritje megjithatë punësimi po ngecë. Problemi tjetër është parametrat tjerë makro ekonomik janë bukur shqetësues, posaçërisht e kam fjalën te bilanci tregtar i Kosovës. Përderisa Kosova nuk ka eksport dhe ngecë, e importi vazhdon të rritet , kjo tregon se megjithatë niveli ekonomik është shumë i ulët dhe kjo gjendje nuk ofron një mirëqenie të përgjithshme”, thekson Rexhepi.
Pupovci: Cilësia e arsimit ka degraduar
Duke vlerësuar gjendjen e arsimit të degraduar, drejtori i Qendrës për Arsim të Kosovës, Dukagjin Pupovci, thotë se është progres edhe vet fakti që njihet mungesa e cilësisë si problem në fushën e arsimit nga Qeveria. Sepse, sipas tij, në të kaluarën nuk është konsideruar fare si problem.
“Qeveria në fund të vitit 2015 ka aprovuar Stërgjinë për sigurimin e cilësisë, e cila duhet t’i adresojë këto çështje. Por, implementimi kësaj strategjie deri tani është relativisht i pjesshëm, pra, nuk është implementuar në mënyrë të plotë dhe mendoj se hapi i parë që duhet të bëhet është implementimi i plotë i kësaj strategjie, në mënyrë që të kemi rezultate pas katër-pesë vjetëve, sepse cilësia në Kosovë e arsimit ka degraduar thuajse një çerek shekuj, diku prej fillimit të viteve ’90-ta. Kjo herë për shkaqe objektive (okupimi dhe lufta) e herë për shkaqe subjektive që janë sjellë nga keq qeverisja ose keq menaxhimi i sistemit të arsimit”, tha Pupovci.
Ai mendon se me zbatimin e strategjisë, do të jetë e mundur që të rritet përgjegjësia e shkollave për rezultatet e punës së tyre. Sepse, kjo është diçka që mungon , dhe sipas tij, shkollat në Kosovë nuk japin as një lloj përgjegjësie për rezultatet e punës së tyre.
Edhe sektori i shëndetësisë i cili po konsiderohet i rëndë nga deputetja në Kuvendin e Kosovës, Time Kadrijaj, e cila vjen nga fusha e shëndetësisë, thotë për KosovaPress se ndarja e buxhetit nuk është e mjaftueshme për shëndetësinë prej 180 milionë euro, dhe sipas saj, ky buxhet duhet dyfishuar.
Andaj, sipas deputetes, fatkeqësisht edhe pse ky buxhet është i vogël po keqmenaxhohet dhe po keq qeverisët nga institucionet përkatëse.
E keqja në shëndetësi, sipas saj, është se po bëhen ligjet dhe nuk po implementohen.
Kadrijaj: Shëndetësia ngelet vetëm prioritet deklarativ
“Secili mandatar i qeverisë po deklarohet se shëndetësinë e kanë në prioritet dhe kjo po ngelet vetëm prioritet deklarativ, sepse në fakt nuk po ndihmohet, duke filluar nga ndarja e buxhetit po shihet se me një buxhet të tillë nuk mundet me pas prosperitet sa duhet në një lami aq të përfolur të shëndetësisë. Në fakt, në fund të çdo mandati po del se shëndetësia nuk është në prioritet.”, thotë Kadrijaj.
Ajo thotë se nuk mund të flitet për një sistem të mirë shëndetësor, përderisa nuk zbatohet një ligj i miratuar tash e dy vjet, Ligji për Sigurimet Shëndetësore.
Për sa i përket sundimit të ligjit, zyrtarë të Institutit Demokratik të Kosovës(KDI) vlerësojnë se problem mbetet mbivendosja institucionale në luftimin dhe parandalimin e korrupsionit, gjë që shkakton huti te qytetarët.
Një vërejtje tjetër e theksuar sipas Visar Sutaj, është edhe numri i ulët i dënimeve për korrupsion.
Sipas Sutajt, në Kosovë, korrupsioni vlerësohet si një prej problemeve më të mëdha karshi ekonomisë së dobët dhe papunësisë.
Kjo vjen si pasojë e performancës të kufizuar të sistemit të gjyqësisë për ta luftuar atë. Ai shtoi se kjo më së lehti mund të vërtetohet duke iu referuar mungesës së rezultateve konkrete nga prokuroria dhe gjyqësori.