Prishtina e mbushur me qen endacakë, kur do të bëjë komuna diçka? (Foto)

Prania e madhe e qenve endacakë nëpër rrugët e Prishtinës vazhdon t’i shqetësojë qytetarët të cilët rrezikohen përditë edhe nga kafshimi  që mund të bartë sëmundje.

Bredhja e qenve endacakë, shpeshherë edhe me sëmundje epidemike shihet si një gjë e zakonshme, madje ata enden të lirë duke mos u penguar nga askush edhe në sheshin ‘Zahir Pajaziti’.

Para disa ditësh, një qytetare ka raportuar rastin e kafshimit nga një qen endacak midis Prishtinës.

Ajo ka thënë se rreth orës 7:00, gjersa po shkonte në punë, në Sheshin “Zahir Pajaziti” është sulmuar nga një qen endacak, i cili më pas e ka kafshuar në këmbë duke i shkaktuar lëndime. Ajo është dashur të marrë tretman mjekësor për ta qepur plagën.

Raste të tilla janë të shpeshta, por edhe më i shpeshtë është shqetësimi që ata shihen nëpër rrugë, pa kurrëfarë përkujdesje.

Periskopi ka kontaktuar Komunën e Prishtinës lidhur me planet që ka për të mënjanuar këtë problem të përhershëm, jo vetëm në kryeqytet, por në gjithë Kosovën.

Zyrtari nga Drejtoria për Shërbime Publike në Komunën e Prishtinës, Habib Qorri për Periskopin ka thënë se ky problem është evident në gjithë Kosovën, përfshirë edhe kryeqytetin. Sipas tij, komuna në vazhdimësi ka kontratë për trajtimin e tyre sipas ligjit.

‘Problemi me qentë endacakë është një problem i madh jo vetëm për Komunën e Prishtinës por në nivel vendi, për faktin se migrojnë nga një vend në tjetrin, mandej mund të ketë edhe prurje nga rrethina ngase këtu qyteti është i madh dhe ka mundësi më të mira për ushqim. Ne si komunë në vazhdimësi kemi kontratë për trajtimin e tyre sipas ligjit për kafshët dhe normave të lejuara humane, ka thënë Qorri.

Sipas tij, eliminimi nuk lejohet përveç rasteve të veçanta që janë të specifikuara në ligj.

Ai ka treguar  se në  bashkëpunim me Agjencionin Veterinar të Kosovës-AVK janë duke punuar një plan për të bërë trajtimin e qenëve endacakë, në mënyrë që të rritet shkalla e sigurisë.

‘Duke parë numrin e madh të tyre, në bashkëpunim me Agjensionin Veterinar të Kosovës jemi duke e punuar një plan pasiqë edhe Qeveria ka ndarë një fond, duke i shtuar edhe mjetet që kemi planifikuar, do të mundohemi të bëjmë trajtimin e tyre në mënyrë që të rrisim shkallën e sigurisë’, ka deklaruar zyrtari i Komunës.

Sipas komunës së Prishtinës, në këtë mënyrë do të trajtohet çështja e qenve endacakë, deri në kohën kur do të inicohet ndonjë projekt më i gjerë në nivel të vendit.

‘Përndryshe ne kemi edhe tani kontratë dhe çdo ditë kompania vepron në lagje të ndryshme të qytetit dhe periferisë. Ne kështu do të vazhdojmë në trajtim ligjor deri të fillohet të ketë projekt edhe më të gjerë në nivel vendi dhe të fillohet të bëhet zgjidhje e përhershme dhe e qëndrueshme., thuhet më tej.

Ligji në fuqi për përkujdesjen ndaj kafshëve në Kosovë e parasheh sterilizimin e kafshëve si metodë për zvogëlimin e numrit të qenve endacakë.

“Me qëllim të zvogëlimit të popullacionit të kafshëve endacakë, të rrezikshme dhe atyre të papërshtatshme për mbarështim, mund të përcaktohet steriliteti i obligueshëm i kafshës”, thuhet në nenin 6 të këtij ligji.

Ndërkaq , eliminimi i kafshëve në rastet e domosdoshme përshkruhet se duhet të bëhet vetëm me procesin e vrasjes pa dhimbje me preparate mjekësore, procedurë kjo që quhet eutanazi.

Një draft rregullore e punuar nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari e Kosovës (AUVK) parasheh që qentë pa pronarë mund të qëndrojnë deri në 30 ditë në strehimore para se të eliminohen me procedurën e eutanazisë nëse askush nuk ofrohet për t’i adoptuar brenda kësaj periudhe.

Qeveria e Kosovës po ashtu  në tetor të vitit 2017 ka miratuar vendimin e Agjencisë së Veterinarisë dhe Ushqimit për Menaxhimin dhe kontrollin e qenve endacakë.

Sipas këtij vendimi, të gjitha Komunat e Republikës së Kosovë në territorin e tyre duhet të shpallin gjendjen emergjente dhe të mobilizojnë strukturat e sistemit të mbrojtjes, shpëtimit, ndihmës dhe shërbimeve të tjera emergjente, të cilat do të merren me trajtimin e qenve endacakë për të zvogëluar rrezikun ndaj qytetarëve, ku do të përfshinë, zënien, kastrimin, sterilizimin, vaksinimin, dehelmentizimin, identifikimin dhe lëshimin e tyre.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme