
Gazetar: Miki Trajkovski
Derisa vazhdon vuajtja e struganëve për ujë, problemi po merr edhe dimension politik. Kryetari i Strugës Mendi Qyra, akuzoi Zijadin Selën se në kohën kur ka qenë kryetar i Komunës janë dhënë koncesione për hidrocentrale mbi burimet në Belicë të Epërme, prej nga gjithashtu furnizohet Struga me ujë.
Alsat kontaktoi Selën, i cili tha se nuk ka dhënë asnjë leje për koncesione për ndërtimin e hidrocentraleve. Sipas asaj që tha dje Qyra, gërmimet e kryera nga dy kompani ndër vite me gjasë janë shkaku kryesor i dëmit të shkaktuar në burimet e Shumit.
Zëvendësministri i Drejtësisë thotë se sipas të dhënave që ka marrë nga institucionet kompetente, këtu bëhet fjalë për vepër penale “shfrytëzim i paligjshëm i lëndëve minerale”.
“Për këtë vepër parashikohet dënim nga 1 deri në 10 vite. Detyrë e Prokurorisë është të gjejë prova, me të cilat do të vërtetohet lidhja mes shfrytëzimit të paligjshëm dhe ndotjes së burimeve, të hapë procedurë para-hetimore dhe të ndjekë autorët edhe për vepra të tjera penale siç është ndotja e ujit të pijshëm, pra ekocidi”, deklaroi Alen Dereban – Zëvendësministër i Drejtësisë.
Edhe matjet e sotme të Qendrës së Shëndetit Publik tregojnë vlera mbi turbullirën e lejuar. Në burimet e Shumit është 3.44, në spitalin e nefrologjisë 3.54, ndërsa në Spitalin e Përgjithshëm 1.88. Kjo do të thotë se edhe këtë fundjavë struganët do të jenë pa ujë të pastër. Të hënën do të kryhen analiza të reja. /Alsat.mk



