Gazetar: Suad Bajrami
Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka lëshuar urdhër për hetim për gjashtë persona lidhur me kapjen e 5 tonëve marihuanë në Serbi, që dyshohej se origjinën e ka nga Maqedonia e Veriut. Organi i akuzës ka arritur të zbardhë skemën e organizimit dhe rrugën përmes së cilës është transportuar droga. Të akuzuarit janë kujdesur për të siguruar tërë logjistikën e nevojshme për marrjen, mbajtjen dhe transportin e drogës me qëllimin final për ta shitur.
“Në dhjetor të vitit 2025, i dyshuari i parë u ka dhënë urdhër të punësuarve të tij që të paketojnë lule të thatë të kanabisit në vlerë të përgjithshme prej 8.832 kilogramë, e cila paraprakisht është furnizuar nga një person juridik në Strumicë. Të punësuarit i kanë paketuar në afat prej dy javëve në 200 kuti dhe pastaj kanë shkuar në pushim kolektiv”, njoftojnë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar.
Dita “D” e operacionit të drogës ka qenë pasditja e 13 janarit kur 200 pakot me rreth 9 tonë drogë janë dërguar në Sveti Nikollë. Derisa droga është bërë gati për ta transportuar, një ekip prej 5 personave në fshatin Saramzalinë të Llozovës kanë bërë gati mjetin transportues.
“Në parkingun e kishës lokale është shkarkuar mall i zhdoganuar nga një kamion me rimorkio dhe i njëjti është ngarkuar në një kamion tjetër. Pastaj, të dyshuarit kanë shkuar në Sveti Nikollë ku kamionin e zbrazur e kanë ngarkuar me kutitë me lule të thatë të kanabisit”, thonë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar.
Pas ngarkesës, dy të dyshuarve që paraprakisht iu caktua paraburgim afatshkurtër me kamionin e ngarkuar me drogë, bashkë me tre persona të tjerë të cilët kanë udhëtuar me veturë janë nisur për në kufirin Tabanovcë. Në ora 3:41 minuta, kamioni me drogë e ka lëshuar autostradën dhe është drejtuar për në fshatin serb Konjuh, ku bashkë me persona të tjerë të paidentifikuar janë shkarkuar kutitë me lule të thata të marihuanës në objekt të një personi juridik nga Krushevci, e cila është siguruar paraprakisht nga personat e dyshuar. Prokuroria kërkon që dy të dyshuarve të cilëve paraprakisht u është caktuar paraburgim afatshkurtër, t’u vazhdohet për 30 ditë. Kompania prej ku ka dalë sasia e drogës rezulton te një pronësi te një shtetasi serb dhe maqedonas. /Alsat.mk



