Në bazë të një deklarate të kryetares së Dhomave të Specializuara, Eketarina Trendafilova, pas emërimit të gjykatësve, shumë shpejt pritet të miratohet edhe Rregullorja e Procedurës dhe Provave që rregullon kryerjen e procedurave gjyqësore në këtë Gjykatë.
Kryeprokurori i Zyrës së Prokurorit të Specializuar David Schwendiman, shumë shpejt mund të ngrejë aktakuzat e para për krime lufte ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së pasi shpejt pritet miratimi i Rregullores së Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara. Kjo është bërë e ditur nga vetë kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.
“Përshëndes emërimin e juristëve me kualifikime të tilla të larta. Secili prej tyre padyshim që do të japë një kontribut të shquar në realizimin e mandatit tonë të administrimit të drejtësisë në mënyrë të drejtë dhe efikase. Hapi i ardhshëm është seanca e parë plenare, të cilën unë do ta thërras së shpejti, dhe gjatë së cilës do të miratohet Rregullorja e Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara, që rregullon kryerjen e procedurave gjyqësore para Dhomave të Specializuara”, deklaroi kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.