Prodhuesit vendorë janë ata që po përfitojnë më së shumti nga taksa e vendosur për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Kompanitë vendore që nga periudha e vendosjes së taksës kanë shtuar prodhimin, e në të njëjtën kohë kanë rritur edhe numrin e punëtorëve. Përfaqësues të disa kompanive vendore bëjnë thirrje që kryeministri Ramush Haradinaj, të mos heq dorë nga taksa që iu ka vendosur produkteve serbe dhe boshnjake, duke thënë se kështu po fuqizohen prodhuesit vendor.
Kompania “Liri” është një nga prodhuesit më të mëdhenj të ëmbëlsirave në vend, e cila që pas vendosjes së taksës ka punësuar 40 punëtorë, duke e rritur numrin e të punësuarve nga 120 në 160, raporton kosovapress.
Menaxheri i kësaj kompanie, Arben Tërshnjaku, për KosovaPress ka treguar se që pas vendosjes së taksës si kompani është dashur të shtojnë prodhimin.
“Pas vendosjes së taksës në kompaninë tonë ka pasur ndikime mjaftë të mëdha pasi siç dihet ne shumicën e konkurrencës i kemi që vijnë prej importit nga Serbia, nuk na ka ndikuar negativisht aspak pasi që ne nuk kemi importuar asnjë lëndë të parë dhe asnjë produkt nga Serbia. Kjo ka ndikuar që ne me u zgjerua shumë në treg në këtë kohë, ku vetëm pas vendosjes së taksës ne kemi punësuar 40 punëtorë dhe me statistikat e fundit që i kemi marrë kemi pasur ngritje diku 101 përqind…Është një atmosferë e mirë patriotizmi kohëve të fundit në terren, prej krejt analizave që i kemi bërë në terren është një atmosferë shumë e mirë e njerëzve që po i bojkotojnë, edhe pse ende kanë mbetur sasi të produkteve të Serbisë po i bojkotojnë, po vendosin më shumë për të blerë produkte vendore, në këtë rast jo vetëm të Lirit por të gjitha prodhuesve të Kosovës”, është shprehur ai.
Tërshnjaku thotë se qytetarëve u ofrojnë produkte shumë kualitative dhe se nuk e kanë shfrytëzuar rastin për të rritur çmimet, madje ai thotë se gjatë gjithë këtyre muajve kanë dal me zbritje të ndryshme.
Numrin e punëtorëve pas vendosjes së taksës e ka shtuar edhe kompania “Meka” e cila merret me produkte nga mishi i pulës dhe i gjedhit.
Pronari i kompanisë “Meka”, Burim Piraj, ka thënë se kompania që ai drejton ka punësuar 8 punëtorë që pas vendosjes së taksës, duke e dërguar numrin e të punësuarve në 85.
Po ashtu, ai ka treguar se cili produkt që e prodhon kompania “Meka” është ndikuar nga taksa e vendosur për produktet serbe dhe boshnjake.
“Edhe pse vitin e kaluar ne kemi pasur ngritje të vazhdueshme të prodhimeve, taksa ka ndikuar dhe ka pasur ndikim dhe pas aplikimit të taksës ne jemi detyruar të punësojmë punëtorë të ri. Nuk do të thotë se punësimi ka qenë fiks për shkak të taksës, mirëpo ndërlidhet me taksën pasi që është aplikuar taksa ne kemi punësuar afërsisht 8 punëtorë të ri…Një produkt ka qenë drejtpërdrejtë i ndikuar nga taksa dhe ajo është pashteta e pulës, pasi që pashteta është importuar prej Bosnjës dhe me aplikimin e taksës është ndaluar nga Bosnja. Ai produkt ka pasur rritje shumë të madhe mbi 50 përqind ka pasur rritje në shitje, po edhe tani që është stabilizuar tregu shitja po vazhdon”, ka deklaruar ai.
Piraj thotë se ndonëse taksa ka qenë një vendim politik ka sjell të mira tek prodhuesit vendor, e për këtë arsye ai thotë se taksa duhet të vazhdojë të mbetet në fuqi.
Por, përveç taksës Piraj thotë se një ndikim për fuqizim të prodhuesve vendos e ka pasur edhe vendosja e flamujve të shteteve të origjinës. Në këtë mënyrë, sipas tij konsumatorët po zgjedhin më lehtë për të blerë produkte vendore.
“Përveç vendosjes së taksës në të njëjtën kohë ka qenë edhe vendosja e flamujve të shteteve të origjinës së produkteve. Këto dy gjëra kanë ngritur vetëdijen e konsumatorit dhe ka një patriotizëm ekonomik, i cili i ka munguar vendit prej kohësh. Ngritjet e këtij patriotizmi të kohëve të fundit konsumatorët janë orientuar të blejnë më shumë prodhime vendore. Por, me këtë nuk humbin vetëm fitojnë shumë më shumë, se prodhimet vendore kanë cilësi jashtëzakonisht të lartë dhe mund të mburremi me prodhimin vendor. Nuk është një prodhim që mund të themi se është më i dobët se ai serb ose i vendeve të tjera, por është prodhim që ia vlen”, ka thënë ai.
As kompania “Meka” sipas Pirajt nuk ka rritur çmimet e produkteve.
Që taksa të vazhdojë është edhe pronari i kompanisë “Frutex”, Shaqir Palushi, i cili për KosovaPress ka thënë se vendosja e taksës ka qenë pozitive për kompaninë që ai drejton.
“Vendosja e këtyre taksave për prodhimet përgjithësi në Kosovë dhe në këtë rast për kompaninë tonë kanë pasur impakt pozitiv, sepse në vazhdimësi kemi pasur një rritje dhe rritja më e madhe është vërejtur sidomos gjatë muajit dhjetor, por edhe janar dhe shkurt. Mendoj që kjo ka pasur ndikim në dy rrafshe, në rrafshin e parë duke u zëvendësuar me ato produkte serbe, kurse rrafshi tjetër që është ndoshta edhe më i rëndësishëm është ngritja e vetëdijes së konsumatorit për konsum të këtyre produkteve. Kjo ka ndikuar që të kemi një rritje rreth 30 përqind…Sigurisht që për ne si prodhues është e rëndësishme vazhdimi i kësaj takse, por në rrafshin politik mendoj që aty duhet Qeveria të merr vendime. Por, sa i përket anës ekonomike sigurisht që efekti ka qenë pozitiv”, ka thënë ai.
Janë bërë 5 muaj që kur Kosova i ka vendosur taksë 100 përqind produkteve që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, e për këta muaj vlera e importit nga këto dy vende ka rënë në 99 përqind.
Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, zëdhënësi i Doganës së Kosovës Adriatik Stavileci, i cili ka treguar se ka rritje të importit nga shteti i Gjermanisë dhe Italisë.
“Realisht nga Serbia dhe Bosnja importit të këtyre produkteve ka rënë në vlera minimale, kemi një ulje prej 99 për qind. Nëse mund ta përmbledhim si vlerë, rreth 1 milionë euro kemi që pas vendosjes së taksës import nga Serbia, por nëse kjo krahasohet me periudhën para taksës ne kemi pasur 1.2 deri në 1.4 milionë brenda një dite. Kurse tani për afër 4 muaj kemi vetëm 1 milionë…Eksportet e Kosovës kanë rritje, viti 2019 krahasuar me vitin 2018 ka një rritje të lehtë prej rreth 8 përqind”, ka bërë të ditur ai.
Sa i përket shqetësimit të prodhuesve vendos, se përkundër që janë bërë 5 muaj nga vendosja e taksës ende nëpër markete ka produkte të shumta me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, Stavileci thotë se qytetarët i kanë bojkotuar dhe për këtë arsye produktet po vazhdojnë të jenë prezentë.
“Ne kemi paraparë që stoqet e produkteve serbe të përfundojnë nga gjysma e muajit shkurt, por çfarë ka ndodhur në këtë periudhë është se edhe konsumatorët nuk kanë vazhduar me i ble këto produkte. Për këtë arsye jemi duke pa jetëgjatësi të këtyre produkteve, sepse import ligjor nuk ka dhe është e pamundur që sasia e produkteve në 40 mauna në ditë të cilat janë importuar nga Serbia të zëvendësohen me kontrabandë”, ka deklaruar ai.
Qeveria e Ramush Haradinajt, me 21 nëntor i ka vendosur taksë 100 për qind produkteve që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, e kjo taksë sipas kryeministrit Haradinaj nuk do të hiqet pa ndodhur njohja e Kosovës nga Serbia. Madje, ai ka refuzuar ta largojë taksës edhe pas presioneve të shumta që i janë bërë nga përfaqësues vendor e ndërkombëtarë.