Profesori i Mjekësisë, Dyshime për Avancim me Plagjiaturë e Falsifikim

lbena Reshitaj, asistente në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, po e akuzon profesorin e saj Milaim Sejdini që ia përvetësoi një punim shkencor.

Të njëjtin, pasi e përvetësoi, sipas asistentes Reshitaj, profesori e përdori për t’u avancuar në profesor të asocuar. Prej ditës së përvetësimit të punimit shkencor e deri te pranimi i fajit nga profesori, kanë kaluar plot tre vjet, gjatë të cilëve asistentja Reshitaj kishte bërë shumë mund për të gjetur fillimisht e më vonë edhe për të faktuar që ajo ishte autore e parë e punimit shkencor që u publikua në një revistë shkencore në Bosnjë e Hercegovinë.

Albena Reshitaj ishte asistente e profesorit Milaim Sejdini në Universitetin e Prishtinës. Ajo në pranverën e vitit 2013, ishte në përgatitje të temës së doktoratës me titull “Prevalenca e Hipodoncionit, Karakteristikat dhe Lidhmëria e tij me Anomalitë e tjera Dentare në Grupmoshat 12- 16 Vjeç në Kosovë”. Derisa ishte në përgatitje të punimit, ajo thotë se morr sugjerime nga profesori Sejdini për publikim të këtij punimi shkencor.

“Kur unë isha në fazën e përgatitjes së punimeve shkencore të nxjerra nga materiali i tezës së doktoratës sime, profesor Milaim Sejdini më kishte propozuar që ta dërgoj një nga punimet në një revistë shkencore të quajtur ‘Bilten Stomatologia BiH’”, tha Albena Reshitaj për Gazetën Jeta në Kosovë.

Transporti si kontribut shkencor

Ajo tregon se profesori e kishte kushtëzuar ndihmën e tij për publikim të punimit me përfshirjen e emrit të tij si një nga autorët e punimit, edhe pse nuk kishte kontribuuar fare në bërjen e tij. Sipas saj, kontributi i vetëm i profesorit Sejdini në punim ishte transporti i punimit nga Kosova në Bosnjë e Hercegovinë, në zyrë të redaksisë së revistës shkencore.

“Profesor Milaim Sejdini dhe kolegët e tjerë kurrë nuk më kanë ndihmuar asgjë në punimin tim. Asnjë pikë se ka vënë në punimin tim. Për këtë rast profesor Milaim Sejdini më ka bërë presion më shumë për t’ia qitur emrin si bashkëpunëtor i dytë në punimin tim”, tha Reshitaj.

Por, profesori Milaim Sejdini thotë se ka qenë dëshira e asistentes Reshitaj që emri i tij të figurojë në punimin shkencor.

“Për atë duhet ta pyetni atë. Le të më tregojë ajo mua se kush e ka detyruar të më vejë mua si emër, kush? Askush. Ka qenë dëshira e saj. Ajo pa më pyetur më ka shti si autor në punim”, tha Sejdini.

Në anën tjetër, Reshitaj thotë se ndihma për të publikuar punimin në revistën shkencore ishte kushtëzuar nga profesor Sejdini me vendosjen e emrit të tij si bashkëpunëtor në këtë punim shkencor.

Ajo kishte pranuar që ta fuste Sejdinin në punim si bashkautor. Thotë se profesor Sejdinin e kishte futur si autor të tretë të këtij punimi që duhej të publikohej në revistën shkencore në Bosnjë.

“Më datën 3 maj 2013 unë i kam dërguar profesor Milaim Sejdinit punimin e përgatitur për shtyp në mënyrë elektronike duke e vendosur emrin e tij të tretin me radhë të bashkautorëve”, deklaroi Reshitaj.

Asistentja thotë se Sejdini e kishte kryer obligimin që kishte marrë, publikimin e punimit në revistën shkencore. Profesori ishte kthyer me një dëshmi se punimi i saj do të publikohej.

“Pas një muaji profesor Sejdini më ka sjellë në zyrën time një vërtetim në kopje të datës 13 qershor 2013 me të cilin është vërtetuar se punimi shkencor ishte pranuar për botim dhe se unë ass. Albena Reshitaj figuroja si autore e parë e këtij punimi”, tregoi Reshitaj për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ky vërtetim e kishte bindur atë se gjithçka ishte në rregull me publikimin e punimit të saj shkencor.

E Sejdini tash thotë se ai vërtetim të cilin e posedon edhe asistentja Reshitaj është dëshmi se ai nuk e ka përvetësuar punimin.

“Unë nuk kam marrë asnjë punim, kjo është një gënjeshtër jo 100 për qind, por 1000 për qind. Edhe unë dua të di se çka ka ndodhur, jam më i interesuar se ajo”, tha profesor Sejdini

Përvetësimi i pronës intelektuale

Albena Reshitaj

Por, një muaj më vonë, profesor Sejdini ishte avancuar nga profesor ssistent në profesor të asocuar. Avancimi i tij ishte publikuar në buletinin e avancimit akademik me datën 31 korrik 2013. Në buletin, Reshitaj zbulon diçka për të cilën ajo ndihet e habitur.

“Ai (Milaim Sejdini) figuronte si autor i parë në renditjen e punimit tim shkencor dhe jo i treti me radhë ashtu siç do të duhet të ishte në të vërtetë”, deklaroi ajo.

Kjo është vërtetuar edhe nga Gazeta Jeta në Kosovë. Në buletinin për zgjedhjen e personelit akademiktë publikuar në faqen e Universitetit të Prishtinës që mban numrin 25 të datës 31 korrik 2013 të  siguruar nga Gazeta Jeta në Kosovë shihet që profesor Milaim Sejdini është autor i parë i punimit shkencor të asistentes Albena Reshitaj.

Buletini e kishte befasuar edhe profesor Sejdinin. Thotë se me të parë emrin e tij si autor i parë i punimit të Albena Reshitajt, ai ka reaguar në Rektorat për përmirësim të gabimit.

“Si ka dal buletini unë kam reaguar vetë në Rektorat me shkrim dhe nuk e ka marrë zyrtarja, emrin nuk ia di në prezencë të sekretarit (Esat Kelmendi). Ai e ka sjellë komplet dosjen dhe ka thënë se nuk ka nevojë të bëhet me shkrim reagimi, sepse nuk ka ndikim punimi i juaj dhe nuk ka ndonjë rol. Te tilla gabime teknike kanë ndodhur edhe më herët”, tha Sejdini.

Për t’i vërtetuar pretendimet e profesor Sejdinit, Gazeta ka kontaktuar me sekretarin e Universitetit të Prishtinës, Esat Kelmendi. Ai për Gazetën Jeta në Kosovë ka mohuar të ketë pasur takim me profesor Milaim Sejdinin për çështjen e punimit shkencor të Albena Reshitajt.

“Në lidhje me çështjen që e keni ngritur, nuk mbaj mend të kam pasur ndonjëherë takim dhe diskutim me prof. Milaim Sejdinin”, tha Kelmendi. “Kah fundi i vitit 2014, ose fillimi i vitit 2015, kam pasur takim të shkurtër me prof. Milaim Sejdinin, i cili kishte ardhur për t’u sqaruar rreth statusit të marrëdhënies së punës, pasi kishte dëgjuar se emri i tij figuron në listën e profesorëve të cilëve ish- rektori Zejnullahu do t’ua ndërronte statusin e marrëdhënies së punës.”

Sekretari Kelmendi madje ka kërkuar edhe ndihmën e zyrtarëve për çështje akademike që merren me përgatitjen e buletinit.

“Zyrtarët për çështje akademike… mohuan që për këtë çështje të kenë pasur informatë apo kërkesë për sqarime nga prof Sejdini. Në lidhje me këtë rast ne si rektorat jemi njoftuar vetëm pas deponimit të ankesës nga asistentja Albena Rashitaj”, tha sekretari Kelmendi.

Sipas tij, profesor Sejdini është dashur që ta njoftojë me shkrim Komisionin Vlerësues apo Këshillin e Fakultetit, në mënyrë që të bëhen korrigjimet eventuale në raportet e tyre vlerësuese, e poashtu të njoftohen edhe përgjegjësit e revistës shkencore për korrigjimin e gabimit të pretenduar.

“Nuk i di arsyet pse është lakuar emri im në deklaratën e prof. Sejdinit, por në asnjë rrethanë unë si sekretar nuk marr guximin që të bëj vlerësim të punimeve, pasi nuk jam kompetent për një gjë të tillë. Zakonisht për çështje që nuk jam kompetent apo nuk janë të fushës sime, palët i referoj për të kërkuar sqarime te personat apo organet kompetente të UP-së”, është shprehur ai.

Buletini i plagjiaturës

Pas publikimit në buletin, asistentja Reshitaj kishte kërkuar sqarime nga kryeredaktorja e revistës shkencore “Bilten Stomatologia Bih”, Maida Ganibegoviq. Por, përgjigje nuk kishte pranuar. Në ndërkohë, profesor Sejdini kishte arritur ta bindte, se në revistë ajo figuron si autore e parë dhe se gabimi ishte bërë në Rektorat gjatë publikimit të buletinit. Arritjen e ujdisë e konfirmojnë të dy personat e përfshirë në kontestin për pronësi intelektuale.

“Së bashku me Albenën jemi ulur këtu dhe së bashku me bashkautorët e tjerë kemi marrë qëndrim që direkt të intervenojmë në revistën dhe të shohim nga ka ardhur ky gabim dhe të intervenojmë”, deklaroi profesor Sejdini. “Bazuar në lojalitetin kolegial, unë i kam besuar arsyetimit të profesor Sejdinit”, tha Reshitaj.

Një vit pas ujdisë, punimi shkencor ishte publikuar online në revistën shkencore “Bilten Stomatologia BiH”. Reshitaj sërish ishte befasuar. Emri i profesor Sejdinit ishte listuar si autor i parë i punimit. Ajo iu drejtua prapë revistës shkencore për të kërkuar llogari.

“Pas një kohe të gjatë të tentimeve të mia të vazhdueshme të kontaktoj me revistën, anëtarja e bordit editorial Mutlu Ozcan nga Universiteti i Cyrihut në Zvicër i është përgjigjur ankesës sime përmes e-mailit duke shprehur shqetësimin rreth gjetjes në këtë çështje”, tregoi ajo.

E pas kësaj përgjigjeje, Reshitaj kishte marrë edhe një e-mail nga ish redaktorja Maida Ganibegoviq.

“Redaksia e kishin marrë në mënyrë elektronike (përmes një CD kopje) punimin shkencor të dërguar nga një person i quajtur dr. Sabetim me renditje të atillë, pra profesor Sejdini si autor i parë dhe se nuk kanë intervenuar asgjë”, tha Reshitaj.

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar dokumentet e korrespodencës mes Albena Reshitajt dhe ish- redaktores Maida Ganibegoviq.

Po ashtu GJnK, gjatë hulumtimit të saj ka vërtetuar se personi që ka dorëzuar punimin e Albena Reshitajt në revistën shkencore është Sabetim Çerkezi, profesor i Stomatologjisë në Universitetin Shtetëror të Tetovës.

GJnK, provoi të marrë një përgjigje nga profesor Çerkezi, mirëpo i njëjti përmes telefonit tha se nuk dëshiron të japë deklaratë dhe të gjitha pyetjet mund t’ia drejtojnë në e-mail adresë.

Sipas Çerkezit, përgjigjet për këtë rast mund të merren kur ai do të jetë i lirë për t’u përgjigjur, ndërsa GJnK është në pritje të tyre.

E kur kjo situatë u sqarua me revistën, asistentja Reshitaj tregoi se profesor Sejdini e shkroi një letër të shkurtër, të cilën e posedon Gazeta Jeta në Kosovë.

“Unë Prof. Asoc. Miliaim Sejdini, deklaroj se jam koautor në punimin me titull- Prevalenca e Hipodoncionit, Karakteristikat dhe Lidhshmëria e tij me Anomalitë e tjera Dentare në Grupmoshat 12- 16 Vjeç në Kosovë, të botuar në revistën Journal Oral Science and Events of Dental Association of Bosnia and Herzegovina në volumin 44-45, tetor të vitit 2014. Autor i parë është Dr. Sc. Albena Reshitaj”, thuhet në letrën e siguruar nga Gazeta Jeta në Kosovë e që mban datën 20 dhjetor 2016 dhe nënshkrimin e profesor Milaim Sejdinit.

Por, në këtë letër të shkurtër ai nuk ka treguar se si ka ardhur deri te listimi i emërit të tij si autor i parë. Profesor Sejdinit i janë dashur tre vjet për të pranuar se ai nuk ka qenë autor i parë i punimit shkencor.

Asistentja Albena Reshitaj sërish ka kërkuar përgjegjësi nga revista “Bilten Stomatologia BiH”, ku më 18 mars 2017 ka kërkuar nga Bordi Editorial  të përmirësojë punimin e saj duke e vendosur atë si autore të parë.

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar këtë letër në të cilën Albena Reshitaj ka kërkuar të drejtën e autorësisë së saj, por që po bëhen gati një muaj dhe akoma nuk ka marrë përgjigje nga Bordi Editorial i Revistës Shkencore “Bilten Stomatologia BiH”, me bazë në Sarajevë.

Dyshim për falsifikim të nënshkrimit

Përvetësimi i pronës intelektuale nuk është e vetmja vepër për të cilën po e akuzojnë kolegët profesorin Milaim Sejdini. Ky i fundit ishte avancuar nga profesor asistent në profesor të asocuar në vitin 2013. Për t’u avancuar, profesor Sejdini është dashur të ketë vlerësimin e tre anëtarëve të Komisionit Recensues të Fakultetit të Mjekësisë.

Hulumtimi i Gazetës Jeta në Kosovë ka gjetur se profesor Sejdini kishte marrë një raport nga Komisioni Vlerësues që përbëhej nga kryetarja Maria Zhuzhelova nga Universiteti i Shën Kirilit në Shkup, profesor Halil Ahmetaj nga Universiteti i Prishtinës dhe profesoresha Xhina Mulo nga Universiteti i Tiranës.

Në këtë raport shkruhej për shkollimin dhe publikimet shkencore të profesor Sejdinit që duheshin për t’u avancuar dhe po ashtu figuronte edhe punimi i asistentes së tij, Albena Reshitaj.

Gazeta JnK e ka vazhduar hulumtimin duke kontaktuar me anëtarët e Komisionit Recensues për bazën për të avancuar profesor Sejdinin.

Dy nga anëtarët e Komisionit Vlerësues Maria Zhuzhelova dhe Halil Ahmetaj për Gazetën Jnk e kanë pranuar se kanë vlerësuar profesor Sejdinin për t’u avancuar.

Gazeta Jnk ka gjetur se një nga anëtarët nuk mori pjesë në avancimin e Sejdinit. E kontaktuar nga Gazeta Jnk, profesoresha Xhina Mulo nga Tirana mohoi të ketë qenë pjesë e këtij komisioni.

Profesoresha dhe zëvendës-dekania e Departamentit të Stomatologjisë prej tetë vjetësh në Universitetin e Tiranës, Xhino Mula, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se ajo nuk ka nënshkruar në recension për profesorin Sejdinin.

“Është një turp që falsifikime të tilla (nënshkrimi), me punime shkencore të ndodhin në një rreth profesorësh dhe akademikësh në Kosovë. Të njëjtën gjë i kam thënë edhe dekanes së Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë”, tha Mula.

Në Raportin e Komisionit Vlerësues për Milaim Sejdinin që posedon Gazeta Jeta në Kosovë, shihet edhe nënshkrimi i profesoreshës Xhino Mula për të cilin nënshkrim ajo thotë të mos e ketë hedhur fare, pra që ishte i falsifikuar.

Kur GJnK, kontaktoi profesor Sejdinin, ai nuk deshi të flasë për këtë çështje duke thënë se është i zënë me studentë të tij.

“Nuk dua për këtë punë të bisedoj. Këtë punë e kam paraqitur në organet e hetuesisë dhe do të përgjigjet çdokush për të. Nuk dua të diskutoj për këtë punë, sepse dikush do të mbajë përgjegjësi penale. Ka organe të hetuesisë dhe do të shohë edhe Xhina Mulo, edhe Milaimi edhe çdonjëri”, tha Sejdini.

Madje profesor Sejdini shkoi edhe më larg, kur u kontaktua për herë të dytë nga GJnK, për të pyetur rreth akuzave për falsifikim të nënshkrimit.

“Ju lutem mos më shqetëso, nuk ke të drejt ti, nuk je ekspert të merresh me këtë punë. Ka ekspertë për atë punë, ai problem është diku tjetër dhe të lutem mos i futni hundët. Nuk kam çka të tregoj, sepse nuk je kurrfarë faktori të të tregoj. Ai problem është në organe tjera dhe mos i futni hundët ku nuk e keni punën”, u shpreh profesor Sejdini duke mbyllur më pas telefonin.

Rasti i nënshkrimit të profesoreshës nga Shqipëria, Xhino Mula, është diskutuar edhe në njërën nga mbledhjet e Senatit të mbajtur më 17 mars 2017.

Dekania e Fakultetit të Mjekësisë Suzana Manxhuka-Kërliu pati hapur këtë çështje në diskutim.

“Unë personalisht kam kontaktuar me zëvendësdekanen Xhina Mulo dhe ajo e ka kthyer me shkrim se nuk ka qenë anëtare e komisionit. Pastaj unë meqë nuk kam kompetenca për të vendosur në këtë çështje e kam informuar rektorin me shkrim dhe Këshillin Etik dhe të shikojmë më tutje, sepse falsifikimi i nënshkrimit është vepër penale”, tha dekania para senatorëve.

Profesori Milaim Sejdini thotë se ai dyshon që asistentja e tij po e shantazhon dhe akuzon duke e përdorur këtë rast.

“Kush ka ndërhy (në revistën shkencore), mos vallë e ka ditur ajo dhe ka ndërhy dhe ka marrë ndonjë konfirmim prej gazetës. Kjo më jep të dyshoj për qëllime të caktuara që ta mbajë si alibi që mua të më shantazhojë, akuzojë dhe të më shtyjë që unë të kërkoj në dekanat dhe rektorat për avancim të saj”, tha ai.

Sejdini thotë, se asistentja e tij e ka kërcënuar edhe duke përdorur emra të lartë politikë. Por kur u pyet nëse mund të ofrojë fakte për këto kërcënime, Sejdini nuk pranoi të japë asgjë.

Por asistentja Reshitaj mohon shantazhin ndaj profesorit të saj.

“Puna ime shkencore ndër vite dëshmon që nuk kam pasë dhe nuk kam nevojë të përdor e as shantazhoj askënd, e aq me pak atë, kurse ta akuzoj po dhe me plot të drejtë. Unë punoj për ta merituar vendin e punës”, tha Reshitaj.

Vepër penale apo shkelje etike

Avancimi i Milaim Sejdinit, nga profesor asistent në profesor të asocuar duke shfrytëzuar punimin e Albena Reshitajt është diskutuar edhe me bartësit e lartë të Universitetit të Prishtinës.

Asistentja Reshitaj ka pasur një takim me rektorin Dema, i cili për Jeta në Kosovë ka pranuar se nuk mund të ndërmarrë asgjë për këtë rast.

Ai ka “hedhur” përgjegjësinë te Këshilli Etik i Universitetit të Prishtinës, në të cilën asistentja Reshitaj ka bërë ankesë.

“Ne e kemi Këshillin e Etikës dhe ajo është lëndë për aty. Në Këshill të Etikës ende nuk e kemi kaluar Rregulloren për Masa Disiplinore që jemi kah përfundimi i saj. Këshilli Etik nuk mund të mbajë mbledhje dhe të marrë vendime pa pasur rregullore”, tha rektori Dema.

Derisa GJnK, ishte duke hulumtuar këtë rast, Këshilli Etik i Universitetit të Prishtinës nuk ka pasur rregullore të punës për të marrë vendime disiplinore ndaj stafit akademik.

E përfaqësuesit e UP-së më 11 prill 2017 kanë aprovuar Rregulloren për Masat dhe Procedurat Disiplinore ndaj Personelit Akademik.

“Për dijeninë e juaj pas hyrjes në fuqi (11 prill 2017) të Rregullores për Masat dhe Procedurat Disiplinore ndaj Personelit Akademik, me datë 12.4.2017 i kemi përcjellë lëndët në Këshill të Etikës ku pritet që brenda 30 ditëve ky këshill të propozojë masat për miratim nga Senati apo Këshilli Drejtues, varësisht nga shkelja e konstatuar”, tha Esat Kelmendi, sekretar i UP-së.

Kryetarja e Këshillit Etik, Myzafere Limani thotë se e ka parë ankesën e bërë nga Albena Reshitaj, por sipas saj aty ka elemente të veprës penale.

“Përvetësimi i pronës intelektuale të dikujt është shumë më e rëndë se çështje etike, është penale dhe Rektorati mund të merret me këtë rast duke e dërguar në Komisionin për Ankesa dhe Parashtresa që ka rregullore”, deklaroi Limani.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme