Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka prezantuar Raportin e punës së Prokurorit të Shtetit për vitin që shkoi.
Gjatë prezantimit të këtij raporti, kryeprokurori Lumezi ka thënë se gjatë vitit të kaluar prokurorët e shtetit kanë treguar efikasitet të lartë, duke zgjidhur në total 74.031 dosje penale të natyrave të ndryshme, të cilat kanë pasur në fokus veprat penale të korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizmit, krimet e luftës, krimet ekonomike, vrasjet, trafikimit të qenieve njerëzore, dhunës në familje, trafikimit të drogës dhe shumë vepra të tjera penale.
Gjithashtu, kreu i institucionit të Prokurorit të Shtetit, ka theksuar se janë ngritur akte akuzuese kundër deputetëve, ministrave, ish-ministrave, zëvendësministrave, kryetarëve të komunave, drejtorëve të ndërmarrjeve publike, Komisionit qeveritar për njohjen e statusit të veteranëve të luftës, zyrtarëve policorë dhe zyrtarëve të tjerë shtetëror.
Sipas Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, prokurorët dhe policët hetues kanë dërguar porosi të qarta për të gjithë kryerësit e veprave penale dhe grupet kriminale se nuk mund të vihen mbi interesat e shtetit dhe, herët a vonë, sa herë që e shkelin ligjin do të përballen me drejtësinë.
Megjithatë, detaje të shumta nga prezantimi i Kryeprokurorit të Shtetit para anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, në takimin e 165-të me radhë, mund të lexoni në vijim:
“Gjatë vitit që lamë pas janë zgjidhur 74.031 dosje penale të natyrave të ndryshme, ndërsa në punë janë 59.788 dosje penale, që do të thotë se janë zgjidhur 12.243 lëndë më shumë sesa janë pranuar në punë.
Prokurori i Shtetit ka pranuar në punë 27.484 kallëzime penale për kryerësit madhorë, ndërsa janë zgjidhur 30.478 kallëzime penale dhe kryer 2.994 lëndë më shumë me kryerësit madhorë. Në fund të vitit kanë mbetur të pazgjidhura 11.958 kallëzime penale.
Sa u përket kallëzimeve penale me kryerësit e mitur, janë pranuar në punë 2.540 kallëzime penale, ndërsa janë zgjidhur 2.746 kallëzime apo 206 lëndë më shumë sesa janë pranuar. Mesatarisht, secili prokuror në departamentet e të miturve ka zgjidhur nga 392 lëndë në vit. Në fund të vitit kanë mbetur të pazgjidhura 883 kallëzime penale me persona të mitur.
Departamentet e krimeve të rënda të prokurorive themelore gjatë vitit 2018 kanë pranuar në punë 1.553 kallëzime penale, ndërsa janë zgjidhur 1.788. Kemi kryer 235 lëndë më shumë sesa janë pranuar, ndërsa kanë mbetur të pazgjidhura 1.162 lëndë.
Departamentet e përgjithshme në kuadër të prokurorive themelore, të cilat i trajtojnë lëndët deri në 10 vjet burg, kanë pranuar në punë 25.898 kallëzime penale për vepra të ndryshme penale, ndërsa janë zgjidhur 28.627 kallëzime penale. Edhe në këtë departament janë kryer 2.729 lëndë më shumë sesa janë pranuar, ndërsa kanë mbetur të pazgjidhura 10.298 kallëzime penale.
Po ashtu, gjatë periudhës raportuese janë pranuar 11.821 raporte të veçanta, ndërsa janë zgjidhur 16.892 dosje, pra janë zgjidhur 5.071 lëndë më shumë sesa janë pranuar, kurse të pazgjidhura kanë mbetur 19.893 lëndë.
Sa u përket lëndëve me persona të panjohur janë pranuar 10.784 lëndë, ndërsa janë zgjidhur 16.828 lëndë, pra janë zgjidhur 6.044 lëndë më shumë.
Vëmendje të posaçme iu ka kushtuar edhe kërkesave që kanë ardhur nga shtetet e huaja për ndihmën juridike ndërkombëtare. Në këtë fushë janë zgjidhur 270 raste, duke ndërmarrë veprime hetimore sipas kërkesave të shteteve të tjera.
Gjatë vitit të kaluar rëndësi të posaçme iu ka dhënë edhe mekanizmit ndërinstitucional për përzgjedhjen dhe shënjestrimin e krimeve më të rënda, ku janë shenjëstruar 11 lëndë të profilit të lartë, që kanë të bëjnë me krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë dhe janë ngritur 9 aktakuza.
Në vitin raportues është treguar sukses i mirë edhe në trajtimin e lëndëve të terrorizmit, me ç’rast janë zgjidhur 15 raste që ndërlidhen me veprat penale të terrorizmit, kurse, si rezultat i punës së përbashkët edhe me institucionet e tjera të drejtësisë, asnjë shtetas i Kosovës gjatë vitit të kaluar nuk iu ka bashkangjitur vatrave të luftës.
Rëndësi të veçantë iu ka kushtuar edhe luftës kundër korrupsionit, ngaqë në këtë drejtim janë ndërmarrë veprime konkrete, duke zgjidhur 408 raste të korrupsionit dhe 435 dosje penale, që kanë të bëjnë me krime ekonomike dhe financiare.
Në kuadër të krimeve të rënda janë intensifikuar veprimet në drejtim të sekuestrimit të pasurisë së përfituar me vepër penale, ku janë ngrirë dhe sekuestruar pasuri që kapin shifrën prej 27 milionë e 867.000 eurosh. Fatkeqësisht konfiskimet përfundimtare janë shumë më të vogla, mirëpo dua të theksoj se prokurorët nuk nxjerrin vendime përfundimtare për konfiskim. Të gjitha hallkat e sistemit gjyqësor duhet të japin kontribut në këtë drejtim dhe duhet të kuptojnë se çelësi i suksesit kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë qëndron në konfiskimin e pasurisë dhe dobësimin e fuqisë ekonomike të grupeve kriminale.
Sa u përket rasteve të krimeve të luftës janë përfunduar 16 raste, ndërsa Departamenti i Krimeve të Luftës është plotësuar edhe me dy prokurorë. Nga prokurorët e EULEX-it janë transferuar te prokurorët vendorë 970 dosje penale që kryesisht kanë të bëjnë me krime lufte, të cilat janë ndarë në punë.
Gjithashtu janë zgjidhur edhe 1.581 lëndë që kanë të bëjnë me veprat penale kundër trafikimit të substancave narkotike dhe psikotropike.
Në vijim të vitit paraprak janë edhe 25 raste me 72 persona që kanë të bëjnë me trafikim të qenieve njerëzore, me ç’rast është përmirësuar hetimi i këtyre rasteve dhe në 92% ka pasur aktgjykime për këto raste.
Vendimet gjyqësore përkitazi me aktet akuzuese, të cilat janë ushtruar nga prokuroritë themelore dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në 81% të rasteve kanë përfunduar me aktgjykime fajësuese. Kjo më së miri tregon për punën profesionale të prokurorëve, por në këtë drejtim duhet angazhim më shumë që nëpërmjet të akuzave profesionale dhe të mbështetura në prova të lehtësohet puna e gjykatave.
Sipas njoftimit të prokurorisë, edhe Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmë Viktimave, e cila funksionon në kuadër të ZKPSH-së, ka ofruar shërbime dhe ndihmë për viktimat e krimit, duke zgjidhur gjithsej 1.620 raste të dhunës në familje, ngacmimit seksual, trafikimit të qenieve njerëzore dhe mundësimit të prostitucionit.”
Në fund të prezantimit të raportit të punës për vitin 2018, Kryeprokurori Lumezi, ka deklaruar se pavarësisht punës së madhe që është bërë vitin e kaluar, prokurorët e shtetit dhe stafi mbështetës duhet shtuar angazhimin dhe efikasitetin në mënyrë që të forcohet sundimi i ligjit në Republikën e Kosovës dhe të ngritët besimi i qytetarëve në institucionet e drejtësisë.