Të dhënat e raportit të autopsisë për policin Malsor Dashi nuk do të bëhen publike deri në fillim të javës së ardhshme. Kjo pasi që Instituti i Mjekësisë Ligjore ende nuk ia ka dorëzuar Prokurorisë së Shtetit raportin në fjalë.
Lajmin e ka konfirmuar për Blic prokurori i rastit Shukri Jashari. Sipas tij, ajo që dihet deri më tani është që procesi i autopsisë ka përfunduar dhe trupi i pajetë i viktimësi i është dorëzuar familjes për ceremoninë mortore.
“Raportin e autopsisë nuk e kemi pranuar ende nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. Besojmë se të hënën do ta marrim atë raport dhe do të dalim me detajet e autopsisë”, u shpreh Jashari.
Malsor Dashi u gjet dje në ujërat e lumit Lepenc disa ditë pasi ai ishte zhdukur pasi makina me të cilën udhëtonte ishte rrokullisur në afërsi të lumit.
Kolegu i tij me të cilin ai bashkëudhëtonte Armend Trena ende është në kërkim nga ekipet e shpëtimit të cilat po kërkojnë për disa ditë.
Varrimi i policit Dashi do të bëhet në orën 16:00 në varrezat e Stagoves në Kaçanik.