Ka përfunduar procesi i autopsisë së të ndjerit Astrit Dehari, i cili ndërroi jetë dy ditë më parë në Burgun e Prizrenit.
Pas përfundimit të autopsisë, Kryeprokurori i Prokurorisë së Prizrenit, Sylë Hoxha ka thënë se për momentin nuk ka të dyshuar për vdekjen e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.
Hoxha ka thënë se rasti do të ndriçohet deri në fund dhe se në vendin e ngjarjes nuk janë gjetur medikamente, siç është raportuar më parë.
“Si informacion i parë mund të thuhet se si pasojë e vdekjes së tani të ndjerit Astrit është asfiksia apo mos frymëmarrja dhe pengesat në frymëmarrje. Sigurisht që rezultati përfundimtar i kësaj ekspertize do të del së shpejti. Do të informohet edhe i autorizuari i familjes dhe të gjithë me kohë do të informoheni . Po siguroj edhe këtë se prej ditës së parë kemi qenë mjaft transparent. Kemi qenë mjaft të angazhuar ne si Prokurori e Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovë, hetuesit , forenzikën dhe me ekspertët e mjekësisë ligjore. Prej ditës së parë kemi qenë të angazhuar dhe transparent dhe do të jemi deri në përfundimin e këtij procesi”, tha Hoxha.
Prokurori ka mohuar deklaratat se Dehari kishte konsumuar medikamente.
Sipas tij në qelinë e tij ku qëndronte në paraburgim që nga 30 gushti nuk janë gjetur barëra, ndërsa konfirmoi se ai ka disa gërvishtje në qafë.
Hoxha tha se deri më tani nuk ka ndonjë të dyshuar për vdekjen e paqartë të Deharit.
“Hetimet janë duke u zhvilluar prej momentit kur kemi marr informacionin për këtë akt dhe për momentin ende nuk kemi të arrestuar as të dyshuar. Mirëpo hetimet janë duke u zhvilluar. Shkakun duhet ta japë ekspertiza mjeko- ligjore. Nuk kemi informacione të tilla. Wshtë bërë incizimi i vendit të ngjarjes në mënyrë më profesionale. Nuk janë gjet barëra … Ka disa gërvishtje, një në qafë edhe një në byzylykun e dorës së majtë. Kështu shkaqet po ju them përsëri , krejt janë egzaminu edhe këto gërvishtjet edhe gjitha tjera edhe në pjesë të brendshme të trupit dhe sigurisht do ta japin rezultatin pas raportit përfundimtar… Për momentin nuk kemi të dyshuar “, tha Hoxha.
Përfaqësuesi i familjes Dehari, avokati Tomë Gashi tha se ekspertiza do të dërgohet edhe në Angli për ekzaminim.
“Ne kemi pasur një obduksion i cili ka zgjatë përafërsisht dy orë e gjysmë. Ne, si përfaqësues të familjes kemi angazhuar ekspertë të mjekësisë ligjore doktor Besim Ymaj që është nga Shqipëria dhe doktor Besim Latifaj që është nga Anglia. Këta kanë marr pjesë aktive në obduksioni. Jjanë marrë të gjitha mostrat e nevojshme në rast të nevojës. Një pjesë e tyre do të dërgohen edhe në Angli dhe ne presim rezultate preliminare të Institutit të Mjekësisë Ligjore për ta vërtetuar shkakun e vdekjes së Astrit Deharit, i cili është mbajt në paraburgim. Në fund ka qenë në Prizren me vendim të gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Sido që të jetë rezultatet preliminare do t’i thotë mjekësia ligjore. Por tani për tani janë kryer vetëm procedurat sa i përket obduksionit“, tha Gashi.
Astrit Dehari ka vdekur të shtunën pasdite në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Ai së bashku me pesë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje është arrestuar me 30 gusht si i dyshuar se kanë kryer sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës më 3 gusht të këtij viti.
Dehari do të varroset nesër në orën 14 në varrezat e fshatit Zllatar ndërsa paradite do të mbahet një mbledhje komemorative ndërsa në orën 12 në sheshin kryesor të Prishtinës do të mbahet edhe një marsh protestues.