Ndaj deklarimeve të deputetit Rexhep Selimi ka reaguar sot përmes një, siç cilësohet, sqarimi edhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, duke i cilësuar pohimet e tij për falsifikimin e provimit të jurisprudencës të Aleksandër Lumezit të pavërteta, paushalle e tendencioze.
Duke respektuar funksionin të cilin e kryen deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Rexhep Selimi, Prokurori i Shtetit rikujton se organet kompetente kushtetuese vendore (të mbikëqyrura nga EULEX-i) kanë nxjerrë vendim ligjor i cili vërteton se Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumëzi, e ka dhënë në mënyrë të rregullt provimin e jurisprudencës, thuhet në sqarimin e .
Andaj ftojmë përfaqësuesit e zgjedhur të popullit që të përmbahen nga deklarime të pavërteta dhe në kundërshtim me vendimet legjitime të organeve shtetërore. Këta përfaqësues do të duhej të promovojnë respektimin e ligjit dhe vendimeve të organeve shtetërore dhe jo të japin deklarata paushalle, të pabazuara dhe qëllimisht tendencioze.
Këto fjalime politike përbëjnë një praktikë negative të cilat dëmtojnë drejtuesit e institucioneve dhe zbatimin e ligjit nga institucionet e pavarura kushtetuese si dhe mund të konsiderohen ndërhyrje në kryerjen e funksioneve në mënyrë të pavarur dhe objektive, mbi parimet e ligjshmërisë dhe barazisë para ligjit.
Në fund sigurojmë se institucioni i Prokurorit të Shtetit, nuk do të mbështesë asnjë individ që ka shkelur apo do t’i shkelë ligjet e këtij vendi, por Prokurori i Shtetit punon dhe do të vazhdojë të punojë në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjit, e jo sipas pritjes së personave të caktuar, thuhet në fund të sqarimit.