Gazetar: Avni Tahiri
Prokuroria Themelore Publike nisi hetimet ndaj një personi që dyshohet për prodhim dhe shpërndarje të pornografisë me fëmijë. Sipas prokurorisë, i dyshuari, 27 vjeç, kishte siguruar dhe poseduar foto dhe video pornografike me fëmijë, të cilat i ruante në telefonin e tij celular dhe tablet për një periudhë kohore. Ai ka siguruar materialet në formën e fotove dhe videove që përshkruanin akte seksuale eksplicite me fëmijë nga individë të tjerë përmes aplikacioneve të ndryshme në internet, faqeve të internetit dhe forumeve.
“Për sigurimin e personit gjatë procedurës, prokurori publik propozoi që t’i caktohen disa masa paraprake, të cilat përfshijnë ndalimin e daljes nga vendbanimi, konfiskimin e dokumentit të udhëtimit, paraqitjet e herëpashershme në gjykatë, por edhe ndalimin e përdorimit të çdo aplikacioni të internetit në celular dhe pajisje të tjera, si dhe ndalimin e mbajtjes së kontaktit me personat me të cilët ai shkëmbente pornografi me fëmijë përmes profileve të internetit jashtë vendit”, njoftojnë nga Prokuroria Themelore Publike Shkup.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, pas marrjes së informacionit nga policia në Gjermani për një hetim për abuzim seksual të fëmijëve dhe posedim dhe shpërndarje të materialit të abuzimit seksual të fëmijëve, si dhe për faktin se bëhej fjalë për një profil në aplikacionin “Telegram”, me numër telefoni dhe adresë IP nga Republika e Maqedonisë, Sektori për Krimin Kibernetik i Ministrisë së Brendshme ndërmori masa dhe aktivitete për mbledhjen e provave.
“Pas identifikimit të përdoruesit, më 20.gusht.2025, pas marrjes së një Urdhri nga Gjykata Themelore Penale Shkup për bastisje të një shtëpie dhe ambienteve ndihmëse, dhe një urdhri për bastisje të një sistemi kompjuterik dhe të dhënave kompjuterike, urdhrit për sekuestrim të përkohshëm të të dhënave kompjuterike, njësiti i policisë nga sektori për Krimin Kibernetik kryen një bastisje në shtëpinë e F.M. 27 vjeçar, gjatë së cilës u gjetën dhe u sekuestruan sende për procedurë të mëtejshme”, thonë nga MPB.
Sipas policisë menjëherë pas kontrollit, 27 vjeçari me iniciale F.M. është ndaluar në stacionin policor në Gazi Babë dhe menjëherë është njoftuar prokurori publik i Prokurorisë Publike Shkup, për procedurë të mëtejshme. /Alsat.mk



