Prokuroria Speciale po heton 100 lëndë për krime lufte

Hetimi, ndjekja dhe gjykimi i rasteve të krimeve të kryera gjatë luftës, ka qenë proces mjaft i ndërlikuar në të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë, në të cilat ka pasur luftë, por në rastin e Kosovës, ky proces është paraqitur edhe më i ndërlikuar, vlerësojnë njohësit e çështjeve juridike penale.

Sipas tyre, procesi është ndërlikuar për faktin se hetimi dhe gjykimi i krimeve eventuale të luftës në Kosovë, që nga paslufta e deri kah mesi i vitit 2014, ka qenë kompetencë ekskluzive e ndërkombëtarëve, fillimisht e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) që nga viti 1999 e deri në vitin 2008, të cilin e pasoi Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) deri në mesin e vitit 2014.

Që nga viti 2014 e deri më tash, këtë kompetencë e ka edhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Mekanizmat e drejtësisë, joefikas në rastet e krimeve të luftës

Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Liridona Kozmaqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se thotë se aktualisht janë mbi 100 lëndë që ndërlidhen me krimet e luftës, të cilat janë lëndë në hetime dhe lëndë të pezulluara.

“Në databazën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës figurojnë 59 lëndë që ndërlidhen me krime lufte që janë në hetime, si dhe 44 lëndë të pezulluara”, thotë Kozmaqi.

Lëndët e pezulluara nënkuptojnë rastet e paarritshme për Prokurorinë, për faktin se personat, për të cilët ekzistojnë fletarrestet, nuk u dihet vendndodhja. Në momentin, kur vendndodhja konfirmohet për të dyshuarin e caktuar, lënda e pezulluar riaktivizohet.

Në më shumë se gjysmën e rasteve, me të cilat merret Prokuroria Speciale e Kosovës, hetimet i bëjnë prokurorët e misionit UELEX.

Zëdhënësja e misionit EULEX, Besa Domi, thotë për se ky mision merret me rastet që kanë qenë të iniciuara më parë.

“Momentalisht prokurorët e UELEX-it janë duke punuar në 37 raste të krimeve të luftës, që janë në vazhdim e sipër. Sa i përket hetimeve dhe aktakuzave për raste të krimeve të luftës, që nga fillimi, EULEX-i ka hetuar dhe ka ngritur aktakuza, afërsisht në 250 raste të krimeve të luftës. Momentalisht, në mandatin e tanishëm që e ka EULEX-i, nuk mund të iniciohen raste të reja, përveç në rrethana të jashtëzakonshme, siç parashihet edhe me ligj”, thekson Domi.

Por, ekspertët e së drejtës penale dhe organizatat që monitorojnë punën e mekanizmave të drejtësisë në Kosovë, vlerësojnë se lidhur me hetimin, ndjekjen dhe gjykimin e rasteve të dyshuara për krime lufte, këta mekanizma, qofshin ndërkombëtarë apo vendorë, që nga përfundimi i luftës e deri më tash nuk kanë shënuar rezultate domethënëse.

Sipas tyre, që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 e deri në vitin 2008, UNMIK-u, i cili kishte mandat për rastet e krimeve të luftës, ka shënuar rezultate, fare të vogla dhe të pavërejtura nga publiku. Të ngjashme rezultatet në këtë fushë i konsideron ai edhe ato të EULEX-it, i cili e kishte këtë kompetencë nga viti 2008 deri në vitin 2014, por edhe të Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës, së cilës iu transferua kompetenca që nga mesi i vitit 2014.

Profesori i së Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu,  thotë se bartja e kompetencave për hetimin dhe gjykimin e rasteve për krime lufte nga një mekanizëm te tjetri, e ka ndërlikuar çështjen e procedimit e rasteve të krimeve tëluftës.

“Të dhënat, provat, faktet, të cilat janë mbledhur për këto 15 vjet nga policia dhe prokuroria e UNMIK-ut, si dhe të atyre ndërkombëtar, të EULEX-it, ata me doza ua kanë përcjellë organeve tona. Kjo e ka ndërlikuar punën. Në këtë çështje, punën e ka ndërlikuar edhe për shkak se të dhënat, disa prova që i posedojnë këta ndërkombëtarë, që i kanë mbledhur gjatë këtyre 15 vjetëve, ia kanë transferuar tash Gjykatës speciale për krime lufte (Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar)”, thotë Salihu.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, vlerëson se tash e 17 vjet, ndjekja, hetimi dhe gjykimi i krimeve të luftës në Kosovë, më tepër kanë kaluar siç thotë ai, “në mjegull’.

“Ajo që kemi parë në praktikë është që, edhe përkundër faktit që është themeluar një departament për krime lufte në kuadër të Prokurorisë Speciale, në këtë departament janë caktuar vetëm dy prokurorë që t’i trajtojnë këto lëndë. Numri prej dy prokurorëve tregon, në njëfarë mënyre, vullnetin e vërtetë të institucioneve të Kosovës, se sa kanë interes për t’i hetuar, ndjekur dhe gjykuar krimet e luftës”, vlerëson Miftaraj.

Gjykata Speciale, produkt i joefikasitetit

Në gusht të vitit 2015, Kuvendi i Kosovës pati miratuar ndryshimet kushtetuese, me të cilat u hap rruga ligjore për ngritjen e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, apo siç njihet në opinion, si Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë.

Miftaraj vlerëson se ngritja e kësaj gjykate, është produkt i mosefikasitetit të evidencuar në terren, lidhur me hetimin, ndjekjen dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë.

“Do të thotë, ka ardhur deri tek ajo që edhe faktori ndërkombëtar të bëjë presion, në një mënyrë, që të themelohet një Gjykatë Speciale, e cila do t’i trajtojë krimet e luftës, që ndërlidhen me vitet 1999 dhe 2000, të cilat gjenerohen kryesisht nga raporti i senatorit zviceran Dick Marti”, thotë Miftaraj.

Raporti i senatorit Dick Marti është miratuar në Këshillin e Evropës, në janar të vitit 2011.

Ngjashëm shpreh mendimin edhe profesor Salihu, i cili thotë se organet e drejtësisë, ndërkombëtare dhe vendore në Kosovë, jo vetëm që nuk kishin hetuar rastet e dyshuara eventuale të krimeve të luftës ndaj pjesëtarëve të komuniteteve joshqiptare, por as të atyre eventuale ndaj pjesëtarëve të komunitetit shumicë shqiptar.

“Llogaritet se janë vrarë 20 e më tepër, qoftë pjesëtarë të UÇK-së ose që kanë qenë pjesëtarë të ndonjë formacioni tjetër politik, madje edhe gazetarë, që janë kryer me motive politike, karrieriste. Kështu që, në këtë aspekt ky është më tepër dështim i organeve të drejtësisë së Kosovës”, thekson Salihu.

Sidoqoftë, Prokuroria Speciale e Kosovës është e obliguar që t’i ofrojë bashkëpunim Zyrës së prokurorit të specializuar, thekson Kozmaqi.

“Prokuroria Republikës së Kosovës, në kuadër të përgjegjësive të dala nga legjislacioni në fuqi, do t’i ofrojë bashkëpunim Zyrës së prokurorit të specializuar, sa herë që të jetë e nevojshme dhe në cilindo rast që kërkohet”, thekson Kozmaqi.

Megjithatë, Prokuroria Speciale e Kosovës, pavarësisht punës së Gjykatës Speciale për krime të luftës, edhe më tej do të mund të hetojë, ndjekë dhe gjykojë rastet e krimeve të luftës në Kosovë./REL-Sakte.net/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme