Pas konfirmimit nga krerët institucional për ekzistimin e iniciativës franko-gjermane për fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi, po kërkohet transparencë më e madhe për këtë proces, si dhe konsultim me partitë opozitare dhe shoqërinë civile për të arritur konsensus nacional për marrëveshjen finale.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, thotë për KP se është krijuar një momentum i ri për dialogun Kosovë-Serbi, andaj, kërkon nga kryeministri Albin Kurti të bëhet publike çfarëdo draft-propozimi.
Ajo thekson pozicionin e AAK-së për dialogun, ku nënvizohet njohja reciproke dhe respektimi i sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, por edhe organizimit të brendshëm.
“Ajo çka kërkojmë nga zotëri Kurti është që të jetë transparencë në procesin e dialogut, pasi po shohim se kjo qeveri është më jotransparentja sa i përket procesit të dialogut. Tash duhet të bëhet publike (propozimi për kornizë të re të dialogut).
Është një momentum duke parë edhe këto vizitat e shpeshta edhe të zyrtarëve amerikan dhe evropian, për unifikim të qëndrimeve sa i përket çështjes së dialogut. Ajo çka kërkojmë ne që të dialogohet është për marrëveshjen finale që në mes e ka njohjen reciproke, ku respektohet sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës, por edhe organizmi i brendshëm”, thotë ajo.
Nga ana tjetër, njohësi i procesit të dialogut, Gazmir Raci, thotë për Kp se ka një iniciativë nga Gjermania, Franca dhe ShBA-të për dialogun. Kjo, sipas tij, tregon qasjen serioze të kësaj treshe për fazën finale.
Mirëpo thotë se në propozimin e ri, nuk po përfshihet njohja reciproke, por që do të kushtëzohet në momentin e hyrjes së Serbisë në Bashkimin Evropian.
“Ky propozim natyrisht u pranua përfundimisht edhe nga pala e Kosovës. Është mirë që kemi një propozim të harmonizuar mes Gjermanisë, Francës dhe ShBA-ve. Kemi një treshe që duket se po i qaset seriozisht dialogut të Brukselit, por duket se kemi problemin e njohjes nga ana e Serbisë. Njohje kjo që deri vonë ka qenë kusht edhe i faktorit ndërkombëtar…
Njohja si duket është shtyrë për një afat më të mëvonshëm sipas propozimit gjerman dhe duket se palët, sidomos ndërmjetësi i BE-së po luan rolin e përafrimit të qëndrimit mes dy palëve… Tash po dihet se Serbia nuk është e gatshme për të njohur Kosovën, tani për tani, por dihet se Serbia nuk mundet të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian pa e njohur Kosovën, për faktin e thjesht se BE-ja nuk është e interesuar më të marrë në gjirin e saj shtete që kanë probleme me fqinjët e tyre”, thotë Raci.
Krahas kësaj, ai kërkon që propozimi i ri për dialogut të diskutohet edhe me liderët opozitarë.
“Do të ishte mirë që ky draft në Kosovë të diskutohet edhe me liderët kryesor të opozitës në Kuvendin e Kosovës. Njëkohësisht edhe me një pjesë të shoqërisë civile që e monitorojnë dialogun e Brukselit për të pasur një konsensus nacional për çfarëdo lloj teme që dërgon drejt marrëveshjes finale”, shton Raci.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë kësaj jave konfirmoi ekzistimin e një iniciative franko-gjermane për fazën finale të dialogut, por nuk zbuloi ndonjë propozim të mundshëm.
Lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, të enjten qëndroi në Kosovë edhe emisari special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.