Protagonizmi i ministrit të Arsimit e rivalizon Haradinajn për takimet në Amerikë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe delegacioni e tij, përveç vizitës në ShBA, kanë hyrë në “luftë” për takime zyrtare, prej të cilave po provojnë t’i përvetësojnë meritat

Dy komunikata të lëshuara nga kabineti qeveritar – njëra nga Zyra e Kryeministrit dhe tjetra nga Ministria e Arsimit, kanë shpërfaqur moskoordinimin mes tyre për të njëjtat takime që i kanë zhvilluar atje.

I njëjti takim, në të dy këto komunikata është paraqitur ndryshe.

Zyra e Kryeministrit dje ka njoftuar se Haradinaj është pritur me nderime të larta nga garda e nderit dhe Guvernatorja Kim Reynolds.

“Në takim u bisedua për forcimin e partneritetit në mes të Kosovës dhe Iowa-së, në shumë fusha me interes të përbashkët, në veçanti ideja e shkëmbimit të studentëve, bashkëpunimi në mes mekanizmave ekonomik, si dhe forcimi i mëtutjeshëm i aspekteve që lidhen me fushën e sigurisë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Në po të njëjtin njoftim të Kryeministrisë, thuhet se Haradinaj është pritur nga Sekretari i Shtetit të Iowa-s, Paul D. Pate, të cilin e ka falënderuar për mikpritjen dhe gatishmërinë e shtetit të tij për ta ndihmuar Kosovën në projektet zhvillimore në shumë fusha.

Për të njëjtat takime, Zyra për media e Ministrisë së Arsimit lëshon një njoftim më ndryshe, duke lënë të kuptohet se takimi ishte i ministrit Shyqiri Bytyqi dhe jo i kryeministrit Haradinaj.

“Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, është pritur sot nga guvernatorja e Iowas, Kim Reynolds, si dhe nga sekretari i Shtetit të Iowas, Paul D. Pate në takime të ndara, në të cilat është biseduar për thellimin e bashkëpunimit mes Iowas dhe Kosovës në fushën e arsimit”, thuhet në njoftimin e MAShT-it.

Madje, MAShT ka lënë të kuptohet se kryeministri në këto dy takime ka qenë vetëm si pjesëmarrës.

“Në këto takime, në të cilat ka marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ministri Bytyqi falënderoi guvernatoren Reynold si dhe sekretarin Pate për të gjitha ato që ka bërë shteti i tyre për Kosovën në të gjitha fushat, e veçanërisht në fushën e arsimit”, thuhet më tej në njoftimin e ministrisë.

Nga komunikatat shihet se kemi të bëjmë me takime të njëjta. Këtë e dëshmojnë edhe disa fotografi në të cilat shihen ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi dhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Ndoshta për t’i mbuluar ngjashmëritë, këto komunikata janë dërguar në ditë të ndryshme. Përderisa Zyra e Kryeministrit njoftimin e ka dërguar dje, MAShT këtë e ka bërë një ditë më vonë./Insajderi.com

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme