Protestuesit në Maqedoni: Shqiptarët e kanë shtetin e tyre Shqipërinë – le të shkojnë atje dhe le të shtrojnë platforma

Në Maqedoni protestat kundër gjuhës shqipe po mbahen për dy javë me radhë, nën organizimin e iniciativës qytetare “Për Maqedoni të përbashkët”.

Organizatorët e protestave thonë se do të dalin në rrugë për të protestuar në Shkup dhe qytetet e tjera të Maqedonisë, derisa lideri i socialdemokratëve, Zoran Zaev, ta hedhë tërësisht platformën shqiptare. Ata konsiderojnë se ky dokument është hartuar në Tiranë dhe si i tillë cenon karakterin unitar të shtetit të Maqedonisë.

Ndërkaq, Zaev të premten duke prezantuar programin qeveritar u ka bërë thirrje protestuesve që të kthehen në shtëpitë e tyre, sepse janë të pavërteta spekulimet se do të dënohen qytetarët maqedonas, të cilët nuk e njohin gjuhën shqipe, aq më pak se do të imponohet miratimi i një ligj, i cili është në dëm të qytetarëve maqedonas.

Por, protestuesit thanë se mbeten të zhgënjyer nga Zaevi, i cili nuk pati guxim të shprehet kundër platformës shqiptare, prandaj thanë se do të vazhdojnë me protesta.

“Presidenti i shtetit, Gjorgje Ivanov, nuk guxon t’i ndajë mandatin një njeriu, icili në programin qeveritar synon të imponojë platformën e një shtetit të huaj, platformën e Tiranës. Ne do të qëndrojmë këtu për të mbrojtur themelet e shtetit tonë nga ata që dëshirojnë të arrijnë në pushtet përmes shqiptarëve”, ka deklaruar Bogdan Ilievski, një nga organizatorët e protestave kundër gjuhës shqipe.

Disa nga qytetarët e anketuar nga Radio Evropa e Lirë, thonë se protestojnë kundër zyrtarizimit të gjuhës shqipe në tërë territorin e Maqedonisë.

“Problemi qëndron në atë se përdorimi i gjuhës shqipe imponohet në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë. Njëherësh irriton edhe gjoba prej 5 mijë euro që parashihet për të gjithë ata, të cilët nuk e njohin gjuhën shqipe, kjo nuk përputhet me karakterin e shtetit shumetnik”, thotë Jovanço Bozhinovski.

Përderisa Pero Spasovski, thotë se duhet të formohet një qeveri mes VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së për të penguar realizimin e platformës së partive politike shqiptare.

“Këtu jemi për formimin e një qeverie të përbashkët me LSDM-së vetëm që shqiptarët të heqin dorë nga platforma shqiptare. Ata (shqiptarët) nuk ka se pse duhet të na shtrojnë platformë neve. Ata e kanë shtetin e tyre Shqipërinë le të shkojnë atje dhe le të shtrojnë platforma”, thotë Spasovski.

Nga ana tjetër, Vera, një pensioniste, thotë se do të dalë çdo ditë për të protestuar, sepse sipas saj, shqiptarët janë nën 20 për qind Maqedoni dhe siç shprehet, gëzojnë më shumë të drejta se sa që u takojnë:

“Evropa po i bën presion Maqedonisë. Duhet të ketë regjistrim nëse shqiptarët janë mbi 20 për qind, atëherë kanë të drejtë të gëzojnë të drejta vetëm në ato territore ku janë mbi 20 për qind dhe jo në tërë territorin e Maqedonisë. Por, nëse shqiptarët janë nën 20 për qind, atëherë do të hidhet poshtë dhe Marrëveshja e Ohrit, madje dhe marrëveshja e Përzhinos. Populli më herët duhet të kthjellohej që të mos vijmë në këtë gjendje. Që kur u arrit Marrëveshja e Ohrit, Marrëveshja Kornizë askush nuk e pyeti popullin se çka bëhet me shtetin. Kërkojmë zgjedhje të reja për të arritur qëllimin tonë”.

Ndryshe, në protestat e organizatave që kundërshtojnë marrëveshjen për shqipen, dëgjohen thirrje nxitëse nga më të ndryshmet si “Tradhtar Zaevi” dhe ajo “Shqiptarët platformat duhet t’i imponojnë në Shqipëri, sepse maqedonasit nuk kanë shtet rezervë”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme