Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, ka thënë se Partia Socialdemokrate, është partia opozitare e cila mund ta “shpëtojë Kuvendin nga kriza”.
“PSD-ja është duke u angazhuar për t’u bërë pjesë e dialogut në bisedimet e mundshme me Serbinë. Dhe nëse ndodhë kjo, nuk ka asnjë pikë dyshimi (edhe pse PSD-ja nuk është pjesë e pozitës), ia mundëson koalicionit qeverisës vazhdimin e të qeverisurit dhe kështu eliminohet kriza që në dukje e kishte Kuvendi”, tha Krasniqi në “Intervistën e Javës” për Koha.net.
Koha.net: Dalim në një çështje tjetër. Keni qenë për dy mandate kryetar i Kuvendit. Si po udhëhiqet sot ai? A është duke kryer si duhet rolin e madh që e ka si institucion? Nëse jo, çka po e pengon?
Krasniqi: Udhëheqja e Kuvendit nëse merren parasysh dallimet e mëdha politike në mes partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës është goxha i vështirë. Në një situatë të tillë, Kryetari i Kuvendit do të duhej ta zbatonte më me konsekuencë Rregulloren e Punës së Kuvendit, pasi ajo është Ligj për drejtimin e Kuvendit dhe nuk duhej të varet nga zemërgjerësia e Kryetarit apo drejtuesi i seancës. Udhëheqja e Kuvendit nuk duhet të bëhet as me zemërngushtësi e as me zemërgjerësi, por sipas normave të parapara e të miratuara nga vet Kuvendi. Konsideroj se pengesa kryesore janë raportet gati armiqësore në mes partive politike pjesëmarrëse në Kuvend (pozitë – opozitë). Por, Kuvendi i Kosovës, ka një krizë në funksionimin e tij, nga e cila është goxha vështirë të dilet, sidomos kur kihet parasysh kultura e komunikimit që është instaluar në Kuvend. Ndoshta këtë gjendje mund ta shpëtojë PSD-ja.
Koha.net: Po thoni Partia Socialdemokrate mund ta nxjerrë nga kriza Kuvendin? Pse mendoni kështu, ose çka më konkretisht mendoni me këtë dhe me rolin e PSD-së?
Krasniqi: Kur them këtë, kam parasysh faktin se PSD-ja është duke u angazhuar për t’u bërë pjesë e dialogut në bisedimet e mundshme me Serbinë. Dhe nëse ndodhë kjo, nuk ka asnjë pikë dyshimi (edhe pse PSD-ja nuk është pjesë e pozitës), ia mundëson koalicionit qeverisës vazhdimin e të qeverisurit dhe kështu eliminohet kriza që në dukje e kishte Kuvendi.
Kujtojmë se sot në orën 14:00, do të mbahet seanca e jashtëzakonshme me kërkesën e 42 deputetëve për miratimin e projekt-rezolutës për dialogun Kosovë-Serbi. Sipas rezolutës e cila pritet të votohet në Kuvendin e Kosovës, kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti do të jetë bashkëkryesues i këtij procesi bashkë me Fatmir Limajn e Nismës Socialdemokrate.
Por, pjesë e konsensusit nuk do të jetë Lëvizja Vetëvendosje, e cila s’mori fare pjesë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes Shefit të Grupit Parlamentar, Avdullah Hoti, tha se nuk do të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme.