Presidentit të Kosovës Hashim Thaçit i është hapur rruga që ta proklamojë edhe më tutje idenë e tij për korrigjimin e kufijve me Serbinë, sidomos pas dështimit të enjten në Kuvend të rezolutës së iniciuar nga opozita, e cila po që se do të miratohej do t’ia ndalonte të parit të vendit ta paraqiste një ide të tillë.
Për këtë çështje, Natyra Kuqi, zëdhënëse e Partisë Socialdemokrate, ka thënë për “Zërin” se dështimi i rezolutës së opozitës për dialogun ndodhi për faj të partive në pushtet.
“Dështimi i djeshëm i votimit të projekt-rezolutës për dialogun me Serbinë, i iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe të cilën e votuan pa përjashtim të gjithë deputetët e Partisë Socialdemokrate, është vazhdimësi e arrogancës shpërfillëse të pushtetit, por edhe mësim për ata opozitarë që nuk duan ende ta kuptojnë se nëse duam të kemi efekte dhe rezultate konkrete në kundërshtimin e pushtetit dhe të presidentit Thaçi mbetet e domosdoshme që të ndërtojmë një strategji të përbashkët vepruese opozitare për veprim në Kuvend dhe jashtë tij”, ka thënë ajo.
Mirëpo, sipas saj, përpjekja e Kuvendit për ta ndalur Thaçin nuk duhet ndalur me kaq. “Por nuk merr fund procesi i dialogut me Serbinë me mosmiratimin e projekt-rezolutës së djeshme. Dialogu që po pretendon të jetë final ende nuk ka filluar.
E vërtetë se presidenti Thaçi po vazhdon takimet, por po aq e vërtetë është se ‘dialogu final’ nuk ka filluar ende edhe për shkak se presidenti Thaçi nuk e ka legjitimitetin për ta bartur në emër të Kosovës. Kjo përgjegjësi dhe detyrë është e Kuvendit të Republikës, prej ku duhet të burojë platforma, e ekipit negociues dhe e komisionit mbikëqyrës”, ka theksuar ajo.



