Adnan AZIZI
Në vrasjet dhe likuidimet brenda LPK-së në diasporën shqiptare, që nga vrasja e vellëzerve Gërvalla e deri te vrasja e komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, për të cilat përflitet se të gjitha janë bërë me porosi të bashkëveprimtarëve të ngushtë të Ali Ahmetit ose – ndoshta edhe të atij vetë, ai asnjëherë nuk ka qenë në vendin e ngjarjes. Është i njohur pastaj atentati ndaj dr. Ibrahim Rugovës, të cilin Ali Ahmeti me shokë ishin mbledhur në Tiranë për të ngritur dolli për vrasjen e “kulçedrës së madhe”, por ishin dëshpëruar se ishte plagosur Sabri Hamiti dhe se Rugova ka shpëtuar. Vrasjet me porosi vazhduan edhe gjatë luftës së vitit 2001, kur Ali Ahmeti – sipas zakonit të vjetër – në mënyrë tinëzare thuhet se e kishte porositur vrasjen e Komandant Hoxhës së Tanushës. Ai akuzohet edhe për likuidimin e komandant Telit me shokë. Pse kur u arrestua në Prishtinë komandant Kushtrimi (Harun Aliu), Ali Ahmeti asnjëherë nuk iu përgjigj thirrjes së shokëve dhe avokatit të tij, ndonëse më parë thoshte se “lirimi i tij mund të bëhet me një telefonatë te ndërkombëtarët, sepse unë nuk mund t’i vazhdoj bisedimet për Marrëveshjen e Ohrit pa Harun Aliun”? A mund të sqarojë Ali Ahmeti se si ndodhi që gjatë luftës së vitit 2001 të vriten 120 ushtarë, kurse pas luftës u vranë 600 të tjerë? E, përsëri në të gjitha ngjarjet me epilog tragjik për shqiptarët, si Sopoti, Radishani, Enciklopedia, Monstra, Harun Aliu, Lagja e Trimave etj., Ali Ahmeti nuk ishte aty, por deklaronte se nuk ka qenë i informuar dhe jepte arsyetime banale se nuk ka mundur të bëjë asgjë.
Ali Ahmeti mungoi edhe në seancën e zgjedhjes së Talat Xhaferit si kryeparlamentar. Ku ishte në atë moment heroi që e “shkatërroi Jugosllavinë”?; Ku ishte ministri i parë i Punëve të Brendshme në historinë e Maqedonisë dhe pse nuk ndërrmori asgjë për ta parandaluar incidentin?; Nga kush i mori informacionet Artan Grubi dhe pse nuk i bëri publike për t’i mbrojtur kolegët e tij deputetë?; Kush e informoi Ali Ahmetin që do të ketë incident që ai të mos shkojë në seancë? Pse ai nuk i informoi deputetët e partive të tjera atje?; A mos ndoshta ai deshi që të vriteshin kundërshtarët e tij politikë, ndërsa ai vetë të shpëtojë?; Si u bë që asnjë deputet i BDI-së nuk pësoi asnjë dëmtim, ndërsa Zijadin Sela dhe deputetët e LSDM-së u rrahën pa mëshirë? Pse jeta e Ali Ahmetit qënka aq shumë e vlefshme në krahasim me deputetët tjerë, saqë Zoran Zaevi qenka pajtuar që Ali Ahmeti të mos marrë pjesë në seancë, për të mos iu rrezikuar jeta? Pse jeta e tij të vlejë më shumë se jeta e Bilall Kasamit dhe Zijadin Selës? Dhe, përsëri vijmë në konstatimin se “çdoherë kur rrihen dhe vritën shqiptarët, Ali Ahmeti ‘rastësisht’ ose ‘mrekullisht’ nuk ndodhet në vendin e ngjarjes”. Sepse, sipas Artan Grubit, ai ka pasur informacione nga shërbimet e huaja (cilat janë ato shërbime?) Krejtësisht në fund, mos e harroni deklaratën e një akademiku maqedonas: “Ali Ahmeti është pasuria më e madhe kombëtare e maqedonasve, prandaj çdokush që do të vijë në qeverisje duhet të kujdeset për të më shumë se sa për veten e tij, sepse ne bashkë nuk mund ta bënim kundër shqiptarëve për shumë kohë atë që Ali Ahmeti e bëri i vetëm për vetëm kaq vite”.