Pse u porosit vrasja e Liridonës nga bashkëshorti i saj? Hetimet për “misterin” e krimit, Suedia ia lë autoriteteve të Kosovës! Ç’deklaroi për të kaluarën e Naim Murseli

Autoritetet suedeze kanë deklaruar se po vëzhgojnë nga afër hetimet në lidhje me vrasjen e Liridona (Ademaj) Murseli, krim që dyshohet se u porosit nga bashkëshorti i saj Naim Murseli.


Por Ministria e Jashtme e Suedisë nuk ka treguar nëse është përfshirë direkt në hetime, duke sqaruar vetëm se ambasada e tyre në Prishtinë po ndjek çështjen.

“Ministria suedeze e Punëve të Jashtme mund të konfirmojë se një burrë rreth të 30-ave është arrestuar në Kosovë. Ambasada e Suedisë në Prishtinë po merret me këtë çështje. Dispozitat e fshehtësisë në çështjet konsullore parandalojnë zbulimin e çdo informacioni të mëtejshëm. Të gjitha pyetjet në lidhje me ndonjë hetim policor ia referojmë policisë në Kosovë”, thuhet në përgjigjet e Zyrës për Media të MPJ’së së Suedisë për Gazeta Express.

Gjithashtu edhe policia suedeze ka heshtur kur është pyetur nëse Naim Murseli ka pasur  të shkuar kriminale në këtë shtet.

Ata janë përgjigjur se ligjet e privatësisë nuk ua lejojë që të japin informacione.

“Policia suedeze nuk është në gjendje të ndihmojë me përgjigjet e pyetjeve që ju i keni bërë autoritetit policor në emailin tuaj. Kjo në lidhje me legjislacionin suedez të privatësisë”, thuhet në përgjigjen e policisë suedeze për Express.

Rreth një javë më parë, Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, lidhur me çështjen u shpreh se shteti suedez po punon ngushtë me autoritetet e Kosovës për hetimin e këtij rasti, të cilin cilësoi “mister”.

“Ne jemi duke punuar pandërprerë rreth këtij rasti së bashku me autoritetet lokale të Kosovës. Ky është një rast shumë i ndjeshëm dhe ka shumë mister rreth këtij rasti, nuk mund të them më shumë, jemi duke punuar në këtë rast bashkë me autoritetet”, ka thënë ambasadori.

Pas arrestimit të Naim Murselit, janë ngritur dyshime nëse Suedia do të bëjë kërkesë për ekstradimin e tij dhe nëse një gjë e tillë do të lejohet nga Kosova.

Ministria e Drejtësisë ka deklaruar se ekstradimi nuk lejohet për veprat penale që kryhen në tërësi në territorin e Republikës së Kosovës.

“Sa i përket pyetjes së parë ligji në fuqi në Republikën e Kosovës e përcakton se ekstradimi nuk do të lejohet për veprat penale të kryera në tërësi në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigje.

Sipas Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në çështjet penale, Nenit 6, “Ekstradimi nuk do të lejohet për veprat penale të kryera në tërësi në territorin e Republikës së Kosovës dhe mund të mos lejohet për vepra penale të kryera pjesërisht në territorin e Republikës së Kosovës”.

Vrasja e Liridonës

Ngjarja e rëndë ndodhi në Prishtinë mbrëmjen e së mërkurës (29 nëntor), rreth orës 20:20 ku Liridona Murseli u vra me armë zjarri teksa po kthehej në banesë brenda automjetit ku udhëtonte së bashku me bashkëshortin, Naim Murseli dhe 2 djemtë e tyre të mitur.

Ngjarja ndodhi fare pranë banesës së çiftit në rrugën “Dalip Alshiqi” në një rrugicë pa drita dhe pa kamera sigurie. Vrasja e 30-vjeçares u krye pasi Naum Murseli mori fëmijët e mitur nga automjeti dhe u largua.

Naim Murseli pas vrasjes së bashkëshortes, për të cilën dyshohet se i kishte premtuar 30 mijë euro bashkëfshatarit të tij, Granit Plava, ai deklaroi para hetuesve se ajo u ekzektua nga disa grabitës të armatosur që i kishin bërë pritë në rrugë.

Në versionin e dhënë për hetuesit, ai deklaroi se i tmerruar dhe i fikësuar kishte marrë dy fëmijët nga makina dhe ishte larguar. Por, sipas Naim Murseli, bashkëshortja e tij kishte mbetur në automjet dhe i kishte bërë rezistencë grabitësve, të cilët e qëlluan me armë.

Zbulimi i krimit

Ditën e premte, 1 dhjetor, ai i dha lamtumirën nënës së djemve të tij duke i organizuar edhe ceremoninë mortore në fshatin e tij në Cërmjan të Gjakovës. Naim Murseli, priti dhe përcolli me dorën në zemër miq, të afërm e familjarë të tyre, që shkuan për ngushëllime, si edhe shoqëroi kortezhin drejt banesës së fundit të Liridona Murseli.

Por vetëm disa orë pas ceremonisë së varrimit të 30-vjeçares, Naim Murseli u vendos në pranga së bashku me bashkëfshatarin e tij, Granit Plava dhe nipin, Kushtrim Kokolla, pjesëtar i Forcave Speciale të Kosovës.

Arrestimet u bënë pas një operacioni policor në dy vendndodhje të ndryshme në Gjakovë.

Ndërkohë është gjetur arma e krimit me të cilën dyshohet se u vra Liridona Murseli, si edhe makina e përdorur nga autorët.

Ndërkohë Tomë Dodaj u arrestua të shtunën, më 9 Dhjetor, pasi është personi ku dyshohet se Naim Murseli bleu armën me të cilën bashkëfshatari i tij, Granit Plava, ekzekutoi 30-vjeçaren.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme