Duke komentuar protestën e veteranëve të luftës të paralajmëruar për sot, përgjimet e publikuara në media, dhunën në Kuvend, Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, thotë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq po e humb betejën në terren në raport me kryeministrin Albin Kurti, dhe sipas tij, tani Vuçiq po tenton të nxisë trazira brenda Kosovës përmes luftës hibride. Si nxitje të trazirës, Sveçla e ka konsideruar protestën e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të paralajmëruar për sot.
“Vuçiqi po e humb betejën në terren me Kurtin, prandaj edhe po i kthehet luftës hibride që përmes mekanizmave që ka në kontroll të tentojë të nxisë trazira në Kosovë. Ai po e humb ndikimin në veriun e Kosovës sepse i janë arrestuar kriminelët kryesorë, i janë mbyllur rrugët e kontrabandës dhe i janë shkatërruar laboratorët e drogës e fermat e kriptovalutave. Atij po i dobësohen krahët sepse dora e djathtë e tij dhe njeriu kryesor që mban lidhjen me Moskën, Aleksandër Vulin, para ca ditësh iu sanksionua nga SHBA. Belgjika dhe Britania e Madhe ia suspenduan licencat për prodhimin e armatimit, nën dyshimet se kishte furnizuar me municion e armatim edhe Rusinë e sanksionuar. Në Beograd, çdo të shtune, tash e disa javë ka protesta masive që kërkojnë dorëheqjen e tij, dhe nuk duket se protestat do të ndalen shumë shpejt”, shkroi Sveçla në Facebook.
“I gjendur në një situatë të tillë, ku pozicioni i tij karshi Kosovës po dobësohet dita ditës, me sa duket Vuçiqi ka vendosur që t’i kthehet luftës hibride, që përmes dezinformatave, shpifjeve, krijimit të frikës e mosdurimit, të provojë të nxisë pakënaqësi e trazira edhe në Kosovë. Kjo nuk ka qëllim forcimin e pozicionit negociues të Vuçiqit, por dobësimin e pozicionit të Kurtit. Biseda të zhvilluara në Kuvend, të cilat Lista Serbe i kishte incizuar dhe incizimet ia kishte dorëzuar Vuçiqit, nga dora e Vuçiqit gjetën rrugën e tyre për t’u publikuar në një media në Kosovë”, vijoj Sveçla.
Më tej ai ka thotë se është e çuditshme që protesta e sotme në Prishtinë, që sipas tij vjen si rezultat i keqinterpretimeve, organizohet në të njëjtën ditë sikur në Beograd.
Veteranët e UÇK-së do të mbajnë protestë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë të shtunën nga ora 18:00./21Media