Më 24 tetor, 40 gjyqtarë dhe 13 prokurorë nga komunitetet joshumicë, kryesisht të përkatësisë serbe nga veriu i Kosovës kishin bërë betimin para Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për integrimin e gjyqësorit në veri që ndërlidhet me zbatimin e Marrëveshjen për Drejtësi, të arritur në Bruksel, më 10 shkurt 2015, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Një ceremoni e betimit ishte përgatitur edhe më 17 tetor, por që në Zyrën e Presidentit nuk ishin paraqitur gjyqtaret dhe prokurorët serbë.
Mënyra e betimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë ishte bërë temë debati, pasi në media ishte raportuar se ata do ta bëjnë “betimin neutral”, ku nuk do të ketë tekst të njëjtë me betimin që e bëjnë gjykatësit shqiptarë të Kosovës. Zyra e Presidentit ndërkohë nuk kishte cekur mënyrën e betimit, duke publikuar fotografi nga ceremonia, ndërkohë që Presidenti Thaçi kishte uruar të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët e rinj, duke iu ofruar mbështetje në punën e tyre të përditshme.
Deputeti i pavarur i Kuvendit, Korab Sejdiu, ka publikuar sot dokumentet e siguruara të ditës së betimit të këtyre gjyqtarëve dhe prokurorëve, pasi javën e kaluar i kishte kërkuar ato nga Presidenca e Kosovës.
Sejdiu thotë se këta gjyqtarë dhe prokurorë janë emëruar pa dhënë betim të njëjtë sikur që e japin të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e tjerë që kyçen në sistemin e drejtësisë të Republikës së Kosovës.
Sipas tij, ata janë emëruar duke nënshkruar deklarata që në asnjë vend nuk përmendin Republikën e Kosovës ose Kushtetutën e Republikës së Kosovës, por ndër të tjera përmendet vetëm Kosova, legjislacioni i Kosovës dhe konkluzionet e dakorduara për proces të integrimit – pra nuk shprehet në asnjë mënyrë lojaliteti i gjyqtarëve dhe prokurorëve në fjalë ndaj shtetit të Kosovës.
Shkrimi i plotë i deputetit Sejdiu:
Javën që shkoi, kërkova nga Presidenti i Republikës së Kosovës informata lidhur me emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në katër komunat në veri të Kosovës, për të vlerësuar nëse të njëjtit janë integruar në sistemin e drejtësisë të Republikës së Kosovës duke dhënë betim ndaj Republikës së Kosovës dhe Kushtetutës dhe ligjeve të saj. Falënderoj sinqerisht Zyrën e Presidentit për informatat të cilat i kanë dërguar brenda afatit ligjor, pra, një praktikë shumë e rrallë në institucionet tona.
Unë pranova nga Zyra e Presidentit: 1) kopje të Dekreteve të emërimit të gjyqtarëve (shih foto për një shembull); 2) kopje të Dekreteve të emërimit të prokurorëve (shih foto për një shembull); 3) kopjet e deklaratave të nënshkruara nga gjyqtarët (shih foto për një shembull); 4) kopjet e deklaratave të nënshkruara nga prokurorët (shih foto për një shembull); 5) tekstin e deklaratës në gjuhën shqipe (shih foto për një shembull); dhe 6) foto nga ceremonia e emërimit. Pasur parasysh se kam kërkuar të gjitha të dhënat lidhur me këtë rast, nga përgjigja e Zyrës së Presidentit nënkuptoj se nuk ka ndonjë informatë tjetër të rëndësishme lidhur me këtë ngjarje.
Mbetet për të gjithë të shqyrtoni këto të dhëna të të vlerësoni nëse kjo nënkupton integrim të këtyre gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë të Republikës së Kosovës. Por, gjatë këtij vlerësimi, disa fakte qëndrojnë të pakontestueshme:
• Janë dhënë koncesione të dhimbshme dhe të shumta për të integruar gjyqtarët dhe prokurorët në fjalë në sistemin e drejtësisë së Republikës së Kosovës;
• Këta gjyqtarë dhe prokurorë janë emëruar me dekret të njëjtë sikur të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e tjerë në Republikën e Kosovës;
• Këta gjyqtarë dhe prokurorë janë emëruar pa dhënë betim të njëjtë sikur që e japin të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e tjerë që kyqen në sistemin e drejtësisë të Republikës së Kosovës;
• Këta gjyqtarë dhe prokurorë janë emëruar duke nënshkruar deklarata që në asnjë vend nuk përmendin Republikën e Kosovës ose Kushtetutën e Republikës së Kosovës, por ndër të tjera përmendet vetëm Kosova, legjislacioni i Kosovës dhe konkluzionet e dakorduara për proces të integrimit – pra nuk shprehet në asnjë mënyrë lojaliteti i gjyqtarëve dhe prokurorëve në fjalë ndaj shtetit të Kosovës.
Koha do ta tregojë nëse gjyqtarët dhe prokurorët në fjalë janë integruar në sistemin e drejtësisë të Republikës së Kosovës dhe nëse do të punojnë për këtë vend, pavarësisht të dhënave të paracekura që i ndava me ju.