Punësim në BE, ja si i mashtronte shqiptarët maqedonasi

Një 40-vjeçar nga Maqedonia është arrestuar nga Antikrimi Ekonomik i Tiranës, pasi dyshohet se ka mashtruar disa persona për punësim sezonal në vende të ndryshme të Bashkimit Europian, shkruan “Panorama”.

I arrestuari është Irfan Ahmeti, 40 vjeç, nga Maqedonia dhe banues në kryeqytet. Burime zyrtare të Policisë së Shtetit thanë se ai është vënë në pranga me akuzën e mashtrimit, pasi është denoncuar deri tani nga 3 të rinj nga Tirana.

Nga hetimet ka rezultuar se ky person, u premtonte të rinjve punësim sezonal, kryesisht në Belgjikë, Gjermani, etj., kundrejt një pagese që shkonte deri në 2 mijë euro. Por, pasi të dëmtuarit udhëtonin drejt këtyre vendeve me shpenzimet e tyre, pasi kishin bërë edhe pagesën e kërkuar nga shtetasi maqedonas, përballeshin me mashtrimin pasi 40- vjeçari nuk u përgjigjej më telefonatave të tyre.

Burimet thanë se dyshohet se, mund të ketë edhe persona të tjerë që mund të jenë mashtruar në këtë mënyrë nga shtetasi i arrestuar këtë arsye Policia u bën thirrje të dëmtuarve që të paraqiten për të bërë kallëzim pranë zyrave të Antikrimit Ekonomik të Tiranës.

“Specialistët e seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar kanë bërë të mundur ndalimin e shtetasit Irfan Ahmeti, 40 vjeç, banues në Maqedoni. Ndalimi i tij u bë, pasi ky shtetas u ka premtuar shtetasve të ndryshëm punë sezonale jashtë vendit duke iu marrë një shumë të konsiderueshme parash”, tha dje zyrtarisht Policia. Ndërsa burimet thanë se Ahmeti ka qenë i proceduar edhe më parë, konkretisht vitin e kaluar, për kontrabandë cigaresh.

MAQEDONASI

Në shkurt të vitit të kaluar, 40-vjeçari Irfan Ahmeti u arrestua në Portin e Durrësit gjatë operacionit të koduar “Eklipsi”, pasi bashkë me dy persona të tjerë u kapën me 550 mijë paketa cigare që u dyshuan se do të kalonin kontrabandë në drejtim të Sllovakisë. Ahmeti u ndalua bashkë me motrën e tij, Gjuljen Samin, 52 vjeçe, lindur në Turqi dhe banuese në Maqedoni dhe Ilir Dengu, 53 vjeç, banues në Tiranë.

Të tre këta persona u arrestuan pasi u kapën me cigare kontrabandë, vlera e të cilave në treg llogaritej deri në 154 milionë lekë të rinj. Por disa ditë pas arrestimit Gjykata e Durrësit i ka lënë të lirë të tre të akuzuarit, duke i ndryshuar masën e sigurisë në detyrim paraqitjeje 2 herë në muaj.

Irfan Ahmeti u lirua pasi pagoi garancinë pasurore prej 10 mijë eurosh. Nga ana tjetër, autoritetet doganore sllovake kanë pretenduar se kompania e cila kishte porositur dhe blerë cigaret në Malin e Zi, nuk figuronte e regjistruar në doganën e shtetit të tyre. Kjo kompani, nuk kishte të drejtë të merrej me produktet e duhanit.

Në përgjigjet që autoritet sllovake, i dërguan Prokurorisë së Durrësit, thuhej se edhe vula me mbishkrimin “Ministria Sllovake e Financave” në dokumentin që pretendohej se ishte lëshuar nga Dogana Sllovake që shoqëronte cigaret kontrabandë, ishte e falsifikuar./Panorama/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme