Kohëve të fundit kanë qenë të shpeshta raportimet e mediave për punësimet partiake dhe familjare në Postën dhe Telekomin e Kosovës.
E për këtë, mësohet se është formuar një Komision Hetues Parlamentar, i cili kryesues do ta ketë Visar Ymerin e PSD-së dhe zëvendës Milaim Zekën.
Ky i fundit e ka pranuar iniciativën për themelimin e këtij komisioni, duke pretenduar se ka qenë vetë iniciues i tij.
“S’ka inicues tjerë se krejt i kanë interesat e veta në Postë”, thotë deputeti i NISMA-s. Ai, gjatë bisedës duket i entuziazmuar për arritjen e themelimit të këtij komisioni, duke sqaruar edhe ndarjen e pozitave brenda komisionit hetimor për punësimet në Telekom.
“S’ka lidhje kush është kryetar i komisionit, lidhje ka që u arritë për herë të parë me u ngritë një komision hetimor për Postën dhe Telekomin e Kosovës. Kryetar është Visar Ymeri, nënkryetar jam unë e kështu me rend”, ka thënë Zeka përmes telefonit.
Nga ana tjetër, Visar Ymeri, përmes zëdhënës së PSD-së, Natyra Kuçit, nuk ka dhënë informacione në lidhje me këtë komision, me arsyetimin se komisioni në fjalë ende nuk ka filluar punën.
“Meqenëse komisioni ende nuk ka filluar punën, Visari nuk ka mundësi te jap përgjigje, në pyetjet rreth kësaj teme”, thuhet në përgjigjen e Natyra Kuçit për Reporteri.net.
Sidoqoftë, ky Komision Hetimor do të ketë mjaft punë, pasi anëtarët e saj do të kenë në llupë edhe kolegët e tyre nga politika.
Siç dihet deri tani, Osman Ejupi, i afërt me Nismën, i ka punësuar në Postën e Kosovës të katër fëmijët e tij.
Po ashtu 28 vjeçari Genc Nitaj që u punësua në PTK, rezultoi se është djali i deputetit të AAK-së, ish-gazetarit Muharrem Nitaj.
Edhe Donika Kadaj-Bujupi punësoi bashkëshortin Naser Bujupi si agjent i shitjes në Telekom.
Shaqir Qerimi, 60 vjeçar, ishte i punësuari i radhës, të cilit nuk i doli problem mosha për t’u bërë agjent i shitjes në PTK. Në të njëjtin vend është punësuar edhe vajza e tij Shehide Qerimi si drejtoreshë e Auditimit. Që të dy janë familjarë të Mergim Lushtakut të PDK-së.
Albion Haxhiut, djalit të deputetes Teuta Haxhiu nga AAK, para pak kohe iu bë vendi në kompaninë e famshme për punësime partiake.
Ndryshe, PTK-ja historikisht ka qenë e mbipopulluar me militantë partiakë dhe familjarë të politikanëve. Këtë e shpjegon edhe fakti se Kryesuese e Bordit të kësaj kompanie është Besa Shatri-Berisha, e cila është gruaja e deputetit të AAK-së Bekë Berisha.