Punët që kishin pagat më të larta në 2025-n në Shqipëri, kryesojnë institucionet ndërkombëtare

Paga mesatare mujore bruto në vend ishte 84 mijë lekë në vitin 2025, nga 77.4 mijë lekë një vit më parë.

Diferencat e pagave janë shumë të larta dhe ato varen nga vendi i punës ku punoni. A e dini cilat janë ato punë ku pagat janë më të lartat. “Monitor” ka bërë një renditje, bazuar në të dhënat e publikuara nga INSTAT.

Në vend të parë renditen institucionet ndërkombëtare, që u japin të punësuarve më shumë se dyfishin e pagës mesatare në vend. Paga mesatare mujore bruto për vitin 2025 ishte 189 mijë lekë, ose gati 2 mijë euro me kursin e sotshëm. Në raport me vitin 2024, rroga është 4% më e lartë.

Në vend të dytë për pagesat më të mira janë “Aktivitetet Financiare dhe Sigurimit”. Puna në bankë apo dhe sigurime ka qenë gjithnjë e preferuar për ata që kanë mbaruar ekonomikun. Mesatarisht një punonjës banke mori 160 mijë lekë në muaj në 2025-n, ose 6.7% më shumë se vitin e mëparshëm (+10.1 mijë lekë). Kjo është rritja më e lartë e pagës në vlerë në 2025-n, nga të gjitha aktivitetet.

“Informacioni dhe Komunikacioni” ka shënuar rritjen të lartë të pagës në vlerë nga të gjitha aktivitetet e tjera. Punonjësit e IT-së janë tashmë ndër më të paguarit në vend, me 127.4 mijë lekë në muaj, 10 mijë lekë më shumë se një vit më parë (+8.9%).

“Industria nxjerrëse” është një punë e voshtre, por që ofron nivelin e katërt më të lartë të pagave në vend, me 109 mijë lekë në muaj, por që ka rënë me gati 3% në raport me 2024-n.

“Aktivitetet Profesionale, Shkencore dhe teknike” janë një sektor që janë rritur me shpejtësi vitet e fundit. Në 2025-n ata i paguanin punonjësit mesatarisht me 105 mijë lekë në muaj (+8.7 mijë lekë).

Paga në shtet u rrit me shpejtësi 3 vitet e fundit, teksa qeveria e përdori si strategji për të barazuar rrogat me rajonin si dhe për të nxitur privatin. Paga mesatare në “Administrimi publik dhe i mbrojtjes” arriti për herë të parë mbi 100 mijë lekë në 2025-n (104.5 mijë lekë), ndërsa në 2022-n ishte 72.5 mijë lekë, duke u rritur me 44% brenda tre vitesh.

Aktiviteti i “Furnizimi me Energji Elektrike, Gaz e Avull dhe me Ajër të Kondicionuar” kishte një pagë mesatare 102.7 mijë lekë në 2025-n (+7 mijë lekë). Edhe ky sektor lidhet indirekt me shtetin, pasi punëdhënësit më të mëdhenj janë ndërmarrje publike si OSHEE, apo KESH.

Në arsim, paga mesatare iu afrua për herë të parë nivelit prej 100 mijë lekë (99.3 mijë lekë). Edhe për mësuesit, paga u rrit me shpejtësi tre vitet e fundit, pas politikës së ndjekur për gjithë punonjësit shtetërore. Në 2022-n arsimi paguhej mesatarisht me 70 mijë lekë, ose 30 mijë lekë më pak sesa sot.

Në të njëjtën linjë edhe “Shëndetësia dhe veprimtari të tjera sociale” ka parë një rritje të shpejtë në tre vitet e fundit, por paga mesatare është më e ulët se ajo e mësuesve. Në 2025-n, mesatarja e këtij aktiviteti ishte 92 mijë lekë, nga 68 mijë lekë në 2022-n, me një rritje prej 24 mijë lekësh.

Me një rritje të fortë vitet e fundit janë dhe pagat për “Shërbime në shtëpi”. Në 2014-n, ky aktivitet kishte një pagë mesatare prej 29.5 mijë lekësh, sa 65% të mesatares vjetore të atij viti (45.5 mijë lekë).

Në 2025-n, paga mesatare e punonjësve të shtëpisë arriti në 77 mijë lekë, ose sa 91% e pagës mesatare. Rritja e kërkesës për këtë shërbim, së bashku me formalizimin e punonjësve, teksa një pjesë e tyre janë të huaja, kryesisht filipineze, ka ndikuar në këtë tendencë.

Ndër aktivitetet që i ka rritur më shumë pagat në 2025-n janë dhe pasuritë e paluajtshme, teksa shumë agjenci real estate janë hapur vitet e fundit. në 2025-n, ky aktivitet paguante mesatarisht 84 mijë lekë, ose 8 mijë lekë më shumë se një vit më parë (+10.7%). Edhe në ndërtim pagat u rritën me 12% në një vit, në 69 mijë lekë.

Pagat në Akomodimi dhe aktivitetet e shërbimit të ushqimit, ndonëse po rriten (+11.8%0 si rrjedhojë e kërkesës për punonjës turistikë, mbeten më të ulëtat në vend, përveç bujqësisë, me përkatësisht 56.4 mijë lekë në muaj, nga 55.5 mijë në bujqësi./Monitor

The post Punët që kishin pagat më të larta në 2025-n në Shqipëri, kryesojnë institucionet ndërkombëtare appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme