Kryetari i Gjykatës së Lartë dhe njëherazi Kryetar i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, Sokol Sadushi, u përcolli një mesazh magjistratëve të sapodiplomuar gjatë ceremonisë së diplomimit, duke theksuar se sfida më e madhe e tyre do të jetë fitimi i besimit të publikut.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Sadushi u shpreh se hyrja në sistemin e drejtësisë nuk përfaqëson vetëm marrjen e një diplome, por edhe pranimin e një përgjegjësie të madhe publike, që kërkon profesionalizëm, integritet dhe karakter.
“Do ta kuptoni se dija juridike, sado e thellë të jetë, është vetëm fillimi i rrugës suaj. Do ta kuptoni se dosjet që do të keni përpara nuk janë vetëm akte procedurale. Pas çdo dosjeje ka një njeri, një familje, një biznes, një interes publik, një konflikt dhe shpesh një ankth njerëzor që kërkon përgjigje.
Do ta kuptoni gjithashtu se vendimet më të vështira nuk janë gjithmonë ato ku ligji duket i paqartë. Shpesh, më të vështirat janë ato vendime ku ligji është i qartë, por rrethanat njerëzore, presioni publik, vetmia e vendimmarrjes dhe pesha e pasojave ju vënë në provë”, tha Sadushi.
Sadushi vuri theksin edhe te sfidat që sjell epoka e rrjeteve sociale dhe medias, duke u kujtuar magjistratëve se vendimet nuk duhet të merren për të kënaqur opinionin publik, por për t’i shërbyer ligjit.
“Ju nuk do të merrni vendime për të kënaqur opinionin publik, por as për t’iu kundërvënë atij. Ju do të merrni vendime për t’i shërbyer ligjit”, u shpreh kreu i Gjykatës së Lartë.
Ai theksoi se autoriteti i një magjistrati nuk buron nga funksioni apo toga që mban, por nga besimi që fiton me sjelljen, arsyetimin juridik, dinjitetin dhe drejtësinë në ushtrimin e detyrës.
Në fund të fjalës së tij, Sadushi la një mesazh simbolik për brezin e ri të magjistratëve:
“Sot Shkolla e Magjistraturës ju jep diplomën. Nesër sistemi i drejtësisë do t’ju japë kompetencën, por besimin nuk do t’jua japë askush. Atë do ta fitoni vetë, çdo ditë, me vendimet që do të merrni dhe me sjelljen tuaj.”
Fjala e plotë
FJALË PËRSHËNDETËSE
Prof. Sokol Sadushi
Kryetar i Gjykatës së Lartë dhe Kryetar i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës
I nderuar z. Drejtor i SHM, E nderuar Znj. Dineke De Groot, Kryetare e Gjykatës Supreme të Holandës,
I nderuar z. Ministër i Drejtësisë,
I nderuar SH.T. Z. Silvio Gonzato, Ambasador i BE në Tiranë,
Të nderuar drejtues të institucioneve kushtetuese dhe të sistemit të drejtësisë,
Të nderuar përfaqësues të medias,
Të nderuar pedagogë, gjyqtarë e prokurorë
Të nderuar magjistratë të sapodiplomuar,
Zonja dhe zotërinjë,
Sot nuk jemi mbledhur vetëm për të shënuar përmbylljen e një rrugëtimi formimi profesional. Jemi mbledhur edhe për të reflektuar mbi përgjegjësinë që e pret çdo magjistrat sapo hyn në sistemin e drejtësisë: të ushtrojë detyrën me profesionalizëm, me integritet dhe me vetëdijen se drejtësia nuk vepron kurrë e shkëputur nga besimi i publikut.
Për këtë arsye, zhvillimi i kësaj konference pikërisht përpara ceremonisë së diplomimit ka një domethënie të veçantë. Ajo u kujton magjistratëve të rinj se hyrja në këtë profesion nuk është vetëm marrje e një titulli, por pranimi i një përgjegjësie publike, që kërkon dije, karakter dhe vetëdije për ndikimin që drejtësia ka në jetën e njerëzve dhe në besimin e shoqërisë.
Prania në këtë sallë e drejtuesve të institucioneve, gjyqtarëve, prokurorëve, pedagogëve, përfaqësuesve të medias dhe magjistratëve të rinj i jep këtij momenti një kuptim më të gjerë se vetë ceremonia e diplomimit. Është një takim mes atyre që kanë mbajtur dhe mbajnë përgjegjësi për drejtësinë dhe atyre që sapo hyjnë në këtë rrugë. Pikërisht kjo ndërthurje e përvojës me fillimin e një rrugëtimi të ri më bën ta shoh këtë ditë jo thjesht si një ceremoni, por si një moment reflektimi për të gjithë ne.
Kam pasur privilegjin ta përjetoj këtë ceremoni për afro tri dekada, si pedagog i Shkollës së Magjistraturës, si Drejtor i saj dhe, vitet e fundit, si Kryetar i Këshillit Drejtues. Kam parë shumë breza të diplomohen, kam ndjerë emocionin e kësaj dite, ashtu siç kam ndjekur më pas rrugëtimin profesional të shumë prej tyre.
Çdo vit kam menduar se si të mos përsëris atë që kam thënë më parë. Me kalimin e viteve kam kuptuar se sfida nuk është të gjesh fjalë të reja, por të mos reshtësh së thëni ato që mbeten të vërteta, sepse, sa më gjatë jeton me këtë profesion, aq më shumë bindesh se drejtësinë nuk e mbajnë në këmbë risitë e momentit, por vlerat mbi të cilat ajo ndërtohet.
Brezat ndërrohen, ligjet zhvillohen, praktika gjyqësore pasurohet, teknologjia ndryshon mënyrën si punojmë dhe shoqëria e sheh drejtësinë me pritshmëri gjithnjë e më të mëdha. Megjithatë, ka disa vlera që nuk vjetërohen kurrë. Ato nuk i përkasin një brezi apo një reforme të caktuar. Ato i përkasin vetë profesionit të magjistratit.
Pikërisht për këto vlera dua të flas sot; jo për dispozitat ligjore që do t’i gjeni në kodet tuaja, as për teknikën e hartimit të një vendimi, të cilën do ta përsosni me përvojë, por për ato cilësi që nuk i mëson asnjë tekst ligjor dhe që nuk maten me asnjë provim.
Shumë prej tyre nuk do t’i kuptoni plotësisht sot. Ato do t’jua mësojë vetë profesioni.
Do ta kuptoni se dija juridike, sado e thellë të jetë, është vetëm fillimi i rrugës suaj. Do ta kuptoni se dosjet që do të keni përpara nuk janë vetëm akte procedurale. Pas çdo dosjeje ka një njeri, një familje, një biznes, një interes publik, një konflikt dhe shpesh një ankth njerëzor që kërkon përgjigje.
Do ta kuptoni gjithashtu se vendimet më të vështira nuk janë gjithmonë ato ku ligji duket i paqartë. Shpesh, më të vështirat janë ato vendime ku ligji është i qartë, por rrethanat njerëzore, presioni publik, vetmia e vendimmarrjes dhe pesha e pasojave ju vënë në provë.
Në ato çaste përgjigjen nuk do ta gjeni vetëm në ligj. Do ta gjeni edhe tek vetja.
Aty do të kuptoni se cilësia më e rëndësishme e një magjistrati nuk është vetëm inteligjenca. Është karakteri për të mbetur i paanshëm kur të tjerët kërkojnë anësi, për të ruajtur qetësinë kur rreth jush ka zhurmë, për të dëgjuar me durim edhe atë që nuk përputhet me bindjen tuaj të parë, për të pranuar se askush nuk është i pagabueshëm dhe se përulësia është shoqëruesja më e mirë e dijes.
Këto kanë qenë gjithmonë sprovat e profesionit, por brezi juaj do të përballet edhe me sfida të reja. Njëra prej tyre është tema që do të na shoqërojë gjatë kësaj dite: marrëdhënia ndërmjet drejtësisë, medias dhe publikut.
Ju do të ushtroni detyrën në një kohë kur fjala përhapet shpejt, perceptimi krijohet shpejt dhe gjykimi publik shpesh paraprin gjykimin institucional. Kjo nuk duhet t’ju trembë, por duhet t’ju bëjë të vetëdijshëm.
Media, rrjetet sociale dhe teknologjia do të vijojnë të ndryshojë. Detyra e magjistratit, megjithatë, mbetet e njëjtë. Ju nuk do të merrni vendime për të kënaqur opinionin publik, por as për t’iu kundërvënë atij. Ju do të merrni vendime për t’i shërbyer ligjit.
Ky mision nuk do të jetë gjithmonë i lehtë. Do të ketë ditë kur do të ndiheni vetëm, jo sepse nuk do të keni kolegë pranë, por sepse ka vendime që askush nuk mund t’i marrë në vendin tuaj. Në ato çaste nuk do t’ju ndihmojë zhurma që vjen nga jashtë, por qetësia që keni ndërtuar brenda vetes.
Pikërisht aty matet edhe autoriteti i vërtetë i magjistratit. Përvoja më ka mësuar se ky autoritet nuk buron nga toga që vesh, as nga funksioni që ushtron. Ai buron nga besimi që frymëzon, i cili nuk fitohet me një vendim të vetëm. Besimi ndërtohet gradualisht, me mënyrën si i dëgjoni njerëzit, me sjelljen në sallën e gjyqit, me cilësinë e arsyetimit, me dinjitetin e qëndrimit dhe me aftësinë për të qenë të drejtë edhe kur kjo është e vështirë.
Kur një magjistrat fiton këtë besim, ai nuk forcon vetëm autoritetin e tij. Ai forcon edhe institucionin që përfaqëson. Kështu ndërtohet, brez pas brezi, besimi tek drejtësia.
Institucionet nuk ndërtohen nga një brez i vetëm. Çdo brez merr prej atyre që kanë qenë përpara një trashëgimi që duhet ta ruajë, ta pasurojë dhe t’ua përcjellë më të mirë atyre që do të vijnë pas. Sot ju bëheni pjesë e kësaj vazhdimësie. Ky është një nder, por mbi të gjitha një përgjegjësi.
Në fund të kësaj fjale dua të theksoj një të vërtetë që, besoj, përmbledh thelbin e këtij profesioni. Sot Shkolla e Magjistraturës ju jep diplomën. Nesër sistemi i drejtësisë do t’ju japë kompetencën, por besimin nuk do t’jua japë askush. Atë do ta fitoni vetë, çdo ditë, me vendimet që do të merrni, me sjelljen tuaj, me çdo zgjedhje që do të bëni gjatë jetës suaj profesionale.
Unë dua të besoj se do ta meritoni. Dua të besoj se brezi juaj do ta bëjë drejtësinë shqiptare më të fortë, jo vetëm përmes dijes dhe profesionalizmit, por edhe përmes karakterit, integritetit dhe dinjitetit me të cilin do ta ushtrojë këtë mision.
Dhe një ditë, ndoshta pas shumë vitesh, kur edhe ju të merrni pjesë në një ceremoni si kjo, do ta kuptoni pse disa fjalë duhen përsëritur vazhdimisht: jo sepse janë të reja, por sepse mbeten gjithmonë të vërteta.
Ju uroj rrugëtim të mbarë, urtësi në vendimmarrje, kurajë në çastet e vështira dhe besim të palëkundur tek drejtësia që do të keni nderin t’i shërbeni.
Ju faleminderit!
The post “Besimin nuk ua jep diploma, por e fitoni çdo ditë me vendimet tuaja”- Sadushi mesash magjistratëve të rinj: Presioni do ju vendosë në provë, duhet t’i shërbeni ligjit appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



