Punëtorët teknikë dhe të sigurimit të UP-së në pritje të vendimit për pagën minimale, paralajmërohen greva

Shoqata e Punëtorëve të Sigurimit Fizik në Universitetin e Prishtinës dhe Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat, më 02.06.2026 mbajtën një konferencë për media, ku shprehën pakënaqësitë lidhur me moszbatimin e vendimit për pagën minimale për punëtorët teknikë dhe të sigurimit në UP.

Përfaqësuesit e tyre thanë se sipas informacioneve që posedojnë, vendimi për rritjen e pagës është nënshkruar nga Rektorati, por ende janë në pritje të konfirmimit zyrtar.

Ata paralajmëruan se nga nesër (03.06.2026) do të nisin grevën, nëse marrëveshja nuk finalizohet gjatë ditës së sotme.

Kryetari i Shoqatës së Punëtorëve të Sigurimit Fizik në Universitetin e Prishtinës, Arsim Gjinovci tha se punëtorët kanë nisur grevën për shkak të pagave të ulëta dhe moszbatimit të vendimit të Qeverisë për pagën minimale.

“E kemi paralajmëruar një grevë qysh dje për shkak të pagave të ulëta. Për shkak se nuk është marrë parasysh vendimi i Qeverisë në Rektorat, sot, këtu jemi disa punëtorë dhe e kemi filluar grevën, por sipas do informatave, marrëveshja u nënshkrua në Rektorat dhe po presim çdo orë, ose çdo dhjetë minuta me u konfirmu… Kështu që ne jemi këtu, punën se kryejmë derisa të kemi diçka zyrtare.” – tha Gjinovci.

Ai theksoi se punëtorët aktualisht paguhen 386 euro dhe kërkesa e tyre është vetëm zbatimi i vendimit të Qeverisë për rritjen e pagës minimale.

Sipas Gjinovcit, përgjegjësia për situatën nuk qëndron te kompania që i punëson punëtorët, por te institucionet që nuk kanë zbatuar vendimin.

“Ne nuk jemi kundër kompanive, se kompanitë nuk kanë faj. Këtu ka faj Rektorati. Po ata po më duket i kanë çelur sytë dje, kur e kemi paralajmëruar grevën… Sipas informatave, Rektorati e ka nënshkruar vendimin për rritje. Tash kompania është duke pritur çdo moment, me email zyrtar, me shku me nënshkru me Rektoratin rritjen.” – theksoi ai.

Ndërkaq, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi deklaroi se punëtorët do ta marrin edhe rritjen e pagës të cilën e kanë pasur nga 1 janari.

“Ne megjithatë po e presim dokumentin e kompanisë, po sipas të gjitha gjasave, besoj që brenda një ore do të na sjellë. Dhe vendimi do të jetë që paratë për rritjen retroaktive të pagës minimale do ta kenë nga 1 janari. Do ta kenë [pagën] me rritje në muajin maj që shkoi, dhe normal, paga e tyre që nga 1 korriku do të jetë konform vendimit të Qeverisë së Kosovës” – potencoi Azemi.

Megjithatë, ai paralajmëroi se kërkesat e punëtorëve nuk përfundojnë me pagën minimale dhe se gjatë muajit korrik mund të organizohen protesta dhe greva të reja.

“Megjithatë, duhet ta kemi të qartë, ne kemi thënë dhe po e themi prapë; në korrik do të fillojnë protestat dhe grevat, sepse ne nuk ndalemi me pagën minimale. Paga minimale në kushte normale nuk mund t’u jepet punëtorëve. Minimumi që e kemi paralajmëruar edhe Rektoratin, sado që ata mund të flenë mirë një muaj ose dy, por megjithatë për pagën për 600 euro nuk heqim dorë” – tha tutje ai.

Azemi shtoi se sindikata ka pasur bashkëpunim të mirë me kompaninë, ndërsa përgjegjësinë për vonesat e sheh te Rektorati i Universitetit të Prishtinës.

“Dhe paramendojeni, sa miliona euro jepen vend e pa vend, e mos të paguhet së paku djersa minimale e këtyre punëtorëve…” – tha Azemi.

Lidhur me pretendimet e Gjinovcit dhe Azemit, KALLXO.com kontaktoi edhe Universitetin e Prishtinës dhe është në pritje të një përgjigje nga ana e tyre, për të konfirmuar çështjen e marrjes së vendimit për pagën minimale të këtyre punëtorëve.

Ndërkaq, KALLXO.com kontaktoi përsëri Jusuf Azemin, kryetarin e Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat dhe ai e ri-konfirmoi se akoma nuk kanë pranuar dokument zyrtar për këtë çështje, dhe se janë ende në pritje të atij konfirmimi.

KALLXO.com më 03.03.2026 pati raportuar se edhe gjatë kësaj periudhe punëtorët teknikë dhe të sigurimit në Universitetin e Prishtinës paguhen me pagë nën minimale nga kompanitë e kontraktuara.

Në muajin mars, KALLXO.com ka raportuar se punëtorët teknikë marrin pagë 320 euro bruto, kurse ata të sigurimit fizik kanë pagë të përcaktuar 350 euro bruto.

Tutje, lidhur më këtë, punëtorët e sigurimit fizik patën deklaruar për KALLXO.com se marrin pagë 386 euro në muaj, pasi paguhen edhe për orët e punës shtesë.

Paga minimale në Kosovë nga data 01.01.2026 është 425 euro bruto, kurse më 01.07.2026 do të hyjë në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës që kjo pagë do të jetë 500 euro bruto.

Grupi i operatorëve ekonomikë “SCHAFBERGER JR.GMBH” dhe “ERIK Sh.P.K” është i kontraktuar për pastrimin e hapësirave të Universitetit, kurse kompania “Defence Security Sh.P.K” është e kontraktuar për sigurimin fizik të objekteve të tij.

Jusuf Azemi, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat në emisionin “KALLXO Përnime” më 27.02.2026 pati deklaruar se punëtorët teknikë dhe të sigurimit fizik në Universitetin e Prishtinës marrin pagë 292 euro dhe se nuk po respektohet paga minimale për ta.

Ai pati treguar se si e ka trajtuar Inspektorati i Punës një kërkesë për inspektim të cilën e kanë deponuar, e në të cilën tha se kishin deklaruar se rreth 300 punëtorë në UP marrin pagë 292 euro.

“Punëtorët teknikë dhe të sigurimit fizik edhe sot marrin pagë (nën minimalen) jashtëligjshëm, d.m.th nuk e marrin as pagën e tetorit të vitit 2024. Ne kemi kërkuar nga këta, ta inspektojnë dhe ta vërtetojnë. Ne po flasim që nuk është edhe paga minimale 350 euro kur ka qenë në tetor të vitit 2024.” – pati thënë Azemi në emisionin “Kallxo Përnime”.

Tutje, më 31.10.2025, Qeveria në detyrë e Kosovës, ka miratuar propozimin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për rritjen e pagës minimale nga viti 2026 nga 350  euro bruto në 500 euro.

Kurse, më 28.08.2024, Qeveria e Kosovës kishte vendosur që paga minimale të jetë 350 euro bruto për punë me orar të plotë. Ky vendim ishte përcaktuar të hyjë në fuqi më 01.10.2024.

Në anën tjetër, punëtorët teknikë dhe të sigurimit fizikë të UP-së më parë, kanë protestuar e mbajtur grevë për shkak të kërkesave të tyre për rritjen e pagave.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme