Pushteti lavdërohet me uljen e inflacionit, qytetarët ankohen se nuk vërejnë lehtësime

Gazetar: Adnan Qaili

Shifrat zyrtare tregojnë se masat e qeverisë për ngrirje të çmimeve kanë ndikuar në uljen e shpenzimeve të jetesës. Megjithëse qytetarët akoma nuk e ndjejnë dukshëm këtë rënie, nga Ministria e Ekonomisë thonë se çmimet me pakicë të produkteve ushqimore e pijeve joalkoolike për një muaj u ulën për 5,2%.

Maqedonia e Veriut është vendi më i lirë në rajon për sa i përket çmimeve të produkteve ushqimore dhe derivateve të naftës, tha sot ministri Kreshnik Bekteshi, duke theksuar se në muajin prill inflacioni është ulur me 13% dhe krahasuar me muajin tetor, kur nisi tronditja e çmimeve, ulja u përshkallëzua për 6,8%.

“Nëse bëjmë krahasim nga tetori vitit kaluar kur ishte goditja më e madhe e rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore 31,2% sipas raportit të atij muaji, tani vërejmë se që atëherë deri në fund të prillit kemi ulje të çmimeve të produkteve ushqimore 14,7% që është ulja më e madhe se sa rritja e pagave që janë bërë në këtë periudhë në shtetin tonë”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Sipas të dhënave të Entit të statistikave, në muajin prill të vitit 2022 inflacioni ishte 10,5%, që nënkupton se ka rritje në prillin e këtij viti për 2,5%, por tani që energjensat janë ulur, pritet të ketë ulje të reja.

Lidhur me uljen e çmimet e produkteve ushqimore, Bekteshi bëri të ditur se do të vazhdojnë të zhvillojë konsultime me të gjitha odat e tregtisë, organizatat e konsumatorëve. Nëse tregtarët dhe prodhuesit të tjerë nuk i binden këtyre uljeve, paralajmërohet vazhdimi i masave më rigoroze edhe pas 31 Majit.

“Prej janarit kishte rritje të lehtë 0,2% të shpenzimeve por ajo që ishte dakorduar mes Qeverisë dhe bizneseve, nuk u respektua ne shumicë e rasteve nga prodhuesit dhe tregtarët e caktuar dhe ne filluam fiks në atë periudhë të sjellim masa administrative sipas Ligjit të tregtisë. Nëse rastësisht kemi të dhëna të tilla edhe gjatë majit, megjithëse sipas informacioneve tona do ketë ulje, ato masa do të vazhdojnë por mund të jenë edhe më të rrepta”, tha Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Ndërkaq, çmimet globale të ushqimeve në prill u rritën për 20%, krahasuar me marsin e vitit të kaluar, kur ushqimet arritën çmime astronomike. Nga Organizata Ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi – FAO, kanë bërë të ditur se shtrenjtimi më drastik i ushqimit është vërejtur te mishi, orizi dhe sheqeri. Por, kjo organizatë apelon për kujdes në periudhën në vijim sepse masat e zbutura dhe stagnimi i inflacionit mund të shkaktojnë rritje të kërkesës dhe e gjithë kjo mund të rrisë sërish çmimet. /alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme