Që nga formimi i Këshillit për hetime financiare dhe konfiskim të pasurisë, të drejtuar nga Fetai, opinioni nuk ka parë asnjë hap konkret

Gazetar: Zekirija Haxhiu

Në letër tingëllon bukur, ndërsa në praktikë asnjë rezultat. Kanë kaluar një muaj e gjysmë që nga formimi i Këshillit për hetime financiare dhe konfiskim të pasurisë në kuadër të Qeverisë me të cilën udhëheqë zv.kryeministri për Qeverisje të Mirë Arben Fetai, ndërsa opinioni ende nuk është i njoftuar mbi aktivitetet e punës që ka realizuar ky këshill gjatë kësaj periudhe. Qëllimi i formimit të këshillit ishte të mbikëqyrë hetimet e krimeve financiare dhe “të prekë të paprekshmit”. Pyetëm kabinetin e zv.kryeministrit Fetai mbi aktivitetet dhe hetimet që janë ndërmarrë me qëllim zbulimin e korrupsionit të lartë, e nga atje na thanë se Këshilli nuk ka për detyrë të veprojë në raste konkrete.

“Këshilli Nacional për Hetime Financiare dhe Konfiskim të Pasurisë nuk disponon me të dhëna për persona konkretë që janë objekt hetimi dhe nuk ka kompetencë të komentojë nëse bëhet fjalë për ish apo funksionarë aktualë, si dhe të kualifikojë veprime të mundshme kundërligjore”, deklaroi Arben Fetai – Zv.kryeministër për Qeverisje të Mirë.

– Nuk disponojmë me të dhëna
– Nuk kemi kompetencë të komentojmë
– Nuk kemi kompetencë të kualifikojmë veprime kundërligjore

Cili është roli i Këshillit atëherë nëse nuk posedojnë asnjë informacion? Nga atje thonë se Këshilli vetëm ndjekë politikat në fushën e hetimeve dhe propozon masa për përmirësimin e efikasitetit të konfiskimit të pasurisë të fituar në mënyrë të paligjshme dhe për këtë raporton Qeverinë.

Profesori universitar Bashkim Selmani, për Alsat thotë se krijimi i këtij këshilli tingëllon bukur në përputhje me standardet evropiane por se në praktikë nuk është i nevojshëm pasi nuk ka asnjë ndikim në hetime. Edhe ashtu siç thotë Selmani, deri tani nuk kemi parë një qindarkë t’i kthehet shtetit.
“Në praktikë shohim se është vetëm një improvizim për të ruajtur dhe mbrojtur pasurinë e paligjshme sepse ata njerëz që kanë krijuar pasurinë e paligjshme të gjithë i di opinioni dhe askush nuk i ka prekur. Ne pamë rastin e Mijallkovit dhe shumë raste të tjera, jo vetëm që nuk u konfiskuan por përkundrazi ata sot posedojnë kapitalin e shtetit në mënyrë të paligjshme”, Bashkim Selmani – Jurist.

Anëtarë të këshillit janë ministri i Brendshëm, ministri i Drejtësisë, i Financave, kryeprokurori i shtetit, kryetari i Gjykatës Supreme dhe drejtorë të disa institucioneve të tjera. / Alsat.mk.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme