Dioqeza e Lezhës dhe ajo e Rrëshenit bashkë me shoqërinë civile do të zhvillojnë sot një marshim homazh për vajzën e vogël që humbi jetën në Himarë pasi u godit nga një gomone.
Dom Gjergj Meta shkruan në “Facebook” se marshimi do të mbahet në orën 19:00 duke nisur nga Kisha në Shëngjin për të shkuar me lule e qirinj drejt bregdetit si një lutje, një dëshirë dhe një protestë që gjëra të tilla, fryt i papërgjegjshmërisë, të mos ndodhin më kurrë e që të gjithëve t’u ofrohet siguri.
POSTIMI I PLOTË
QË TË MOS NDODHË MË!
Të dashur miq,
Sonte në orën 19:00 Dioqeza e Lezhës dhe ajo e Rrëshenit, bashkë me shoqërinë civile Lezhë-Kurbin-Rrëshen, organizojnë një marshim homazh për vajzën e vogël Joanda Avdia që dje gjeti vdekjen në bregdet për shkak të papërgjegjshmërisë.
Ju ftojmë të gjithëve, sidomos pushuesit që ndodhen në Shëngjin që në orën e caktuar të gjendemi te oborri i Kishës së Shëngjinit e prej aty të nisemi në heshtje drejt bregdetit me lule e qirinj në duar.
Kjo është një lutje, një dëshirë dhe një protestë që gjëra të tilla, frut i papërgjegjshmërisë, të mos ndodhin më kurrë e që të gjithëve t’u ofrohet siguri.
JU PRESIM!
Merrni një lule të freskët ose një qiri me vete!/GSH