Krahas ministrive, 21 dokumentet për transparencë dhe llogaridhënie do të duhet të publikohen tash edhe nga komunat. Në rast se komunat nuk kanë uebfaqe, atë mund ta bëjnë nëpërmjet kumtesave në media. Kështu bëri të ditur zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski, raporton Portalb.mk.
“Përdora termin njësitë e vetëqeverisjes lokale, kjo do të thotë se komunat në Republikën e Maqedonisë, të gjitha do të duhet të publikojnë listën e këtyre 21 dokumenteve. Ekziston mënyrë që deri sa nuk kanë uebfaqe, mund të përdorin sherbimet e juaja, nëpërmjet kumtesave që të gjitha këto dokumente të kenë mënyrë se si të plasohen në opinion”, tha Boshnjakovski.
Sa i takon afatit se deri në sa ditë duhet të publikohen të njëjtat, Boshnjakovski tha se: “do të vendoset për këtë në mënyrë shtesë”.
Megjithatë, publikimi i 21 dokumenteve u pa se në shumicën e ministrive, kryesisht shqiptare hasi në “vesh të shurdhër” pasi që edhe pse skadoi afati 15-ditor, të njëjtat nuk i publikuan as edhe dokumentet më bazike që lidhen me transparentën. Afati skadoi, dokumentet nuk u publikuan, të dhëna në praktikë nuk ka kurse ekspertët kërkojnë që kjo inciativë të parashihet me ligj, sërish ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Damjan Mançevski nuk parasheh ligj për 21 dokumentet por se paralajmëroi se do të angazhojë inspektorë që sipas tij sërish nuk do të funksionojë.
“Edhe pse me ligj kjo nuk parashihet, ne do të dërgojmë inspektorë por jo gjithmonë kjo funksionon. Besoj se ju, mediat, qytetarët janë kontrolluesit më të mëdhenj të institucioneve dhe më shumë kështu do të arrijmë rezultate se sa në forma të tjera, me masa represive”, tha Mançevski kohë më parë.
Përndryshe, më 31 tetor të vitit të kaluar, Qeveria e Maqedonisë me kërkesë të Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës ka sjellë vendim ku obligohen të gjitha ministritë, në përjashtim të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Mbrojtje, në afat prej 15 ditësh të publikojnë 21 dokumente në uebfaqet e tyre të internetit si formë revizioni për buxhetin, strukturën organizative dhe transparente të tyre.
Publikimi i 21 dokumenteve parasheh vënie në uebfaqe të informatave për tranparencën dhe llogaridhënien.
Nga ana tjetër, organet shtetërore prej këtij viti, në nivel mujor janë të obliguar të publikojnë sa borxh kanë.