Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës, Rozeta Hajdari, tha se ka marrë vendim për masa mbrojtëse ‘anti-damping’ ndaj dy llojeve të produkteve të prodhuara në shtetin e Serbisë.
Damping nënkupton importin e mallrave në Kosovë me një çmim më të ulët të eksportit, sesa çmimi i krahasueshëm për produktin e ngjashëm në tregun e vendit eksportues. Anti-damping është masë mbrojtëse për importin e produkteve nën hetime, pas ankesave të kompanive prodhuese brenda shtetit.
Me vendimin e qeverisë, bëhet fjalë për masën mbrojtëse nga 0.03 centë për kilogram në importin e koncentratit të kafshëve dhe shpezëve dhe për 0.03 centë për blloqet standarde me origjinë nga Serbia. Kompanitë eksportuese të koncentratit janë “Jabuka”, “Gebi”, “Sto Posto” dhe “Beçejka”, ndërsa kompania prodhuese e blloqeve është “Mladost”.
Këto vendime janë marrë pas hetimeve të bëra në treg, të cilat kanë vërtetuar se këto mallra në tregun e Kosovës shiten me çmim më të ulët sesa në tregun e Serbisë.
“Të dyja vendimet janë marrë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin për Masat Anti-damping, si dhe detyrimet tona ndërkombëtare”, tha Hajdari.
Qeveria e Kosovës, edhe në vitin 2016, ka vendosur masa mbrojtëse anti-damping prej 0.02 centë për blloqet standarde 19x19x25, të importuara nga shteti i Serbisë. Por, ky vendim është shfuqizuar në muajin gusht.
Shoqata e prodhuesve të materialit ndërtimor nga argjila, e ka mirëpritur vendimin e Ministrisë.
Mustafë Borovci, kryetar i kësaj shoqate tha për Radion Evropa e Lirë se “vendimi i Qeverisë ndihmon industrinë e blloqeve dhe prodhuesit e Kosovës dhe i mbron nga konkurrenca jo e drejtë dhe sjellja damping e prodhuesve nga Serbia”.
Borovci tha se nga viti 2016 është rritur dukshëm sasia e blloqeve të importuata nga Serbia me çmim më të ulët sesa çmimi i blloqeve të prodhuara në Kosovë.