Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ka takuar ambasadoren e Kanadasë për Shqipërinë, Elisa Goldberg këtë të martë, me të cilën ka diskutuar edhe sulmet kibernetike të ndërmarra nga Irani në vendin tonë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ministrja e Infrastrukturës njofton se ka shprehur gatishmërinë për të mirëpritur mbështetjen e Kanadasë në sigurinë kibernetike.
Balluku: “Kënaqësi të mirëprisja Elisa Goldberg, ambasadoren e Kanadasë për Shqipërinë. Shkëmbyem mendime për mundësitë e bashkëpunimit mes dy vendeve tona. Si një vend lider në teknologjinë e informacionit dhe sigurinë kibernetike, shpreha gatishmërinë për të mirëpritur mbështetjen e Kanadasë në këtë sektor të rëndësishëm. Diskutuam gjithashtu edhe mbi energjinë, ku dy vendet tona kanë pak a shumë sisteme të ngjashme energjetike dhe në këtë pikë eksperienca dhe ekspertiza e tyre është një ndihmë e vyer per ne. E bindur se në të ardhmen e afërt do të kemi një bashkëpunim akoma edhe më të mirë mes dy vendeve tona.”
Gjithsesi, sulmi i parë kibernetik ndaj Shqipërisë ndodhi në korrik të këtij viti, ndaj portaleve shtetërore të shërbimeve online. Si rezultat i hetimeve që u bë nga ekspertët shqiptarë, por edhe nga vendet aleate, u dol në përfundimin se ishte Irani që financoi sulmin.
Brenda 2 muajsh, ndodhi edhe sulmi i dytë. Më 10 shtator, u sulmua sistemi TIMS, duke paralizuar për më shumë se 24 orë shërbimin në pikat e kalimit kufitar.
Prokuroria bën me dije se sulmi ndaj sistemit TIMS që menaxhohet nga ministria e Brendshme dhe sulmi kibernetik ndaj institucionit shtetëror të AKSHI-it po hetohen bashkë. Kjo pasi dy veprimet janë kryer me të njëjtën tipologji dhe sulmi kibernetik ka ardhur nga i njëjti burim.