Qeveria miraton politikat e përfshirjes sociale deri në 2028! Dokumenti: Të papunët, personat me nivel arsimor më të ulët e banorët e zonave rurale, në rrezik më të lartë varfërie

VOLTIZA DURO/ Këshilli i Ministrave miratoi ditën e djeshme Dokumentin e Politikave të Përfshirjes Sociale 2024-2028.


qeveria-keshilli-i-ministrave

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave vendosi: Miratimin e Dokumentit të Politikave të Përfshirjes Sociale 2024-2028, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministritë dhe institucionet e tjera përgjegjëse, të përcaktuara në Dokumentin e Politikave të Përfshirjes Sociale, për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare””,-thuhet në vendimin e qeverisë.

DOKUMENTI I PLOTË

Dokumenti i Politikave të Përfshirjes Sociale synon të ketë ndikim të drejtpërdrejtë tek institucionet publike dhe të prodhojë rezultate të prekshme për jetën e qytetarëve nëpërmjet treguesve të matshëm. Dokumenti synon të përqendrohet në masa të zbatueshme që shkojnë përtej koncepteve dhe planeve. Për këtë arsye, standardet krahasuese të monitorimit me bazë performancën dhe objektivat përkatëse konsiderohen kyçe për të garantuar përparimin në zbatimin e masave të përfshirjes sociale. Metodologjia e DPPS-së për monitorimin e përfshirjes sociale duhet të garantojë krahasueshmërinë e treguesve kryesorë të përfshirjes sociale me ato të shteteve anëtare të BE-së dhe të shteteve që janë aktualisht në proces anëtarësimi në BE, si dhe të japë informacion mbi specifikat e problemeve të përfshirjes sociale që rrjedhin nga procesi i veçantë i tranzicionit në Shqipëri.

“Përparësitë kryesore tematike gjatë periudhës së zbatimit të këtij dokumenti janë paraqitur në mënyrë të përmbledhur në pikat e mëposhtme: Krijimi i Grupit të Statistikave të Përfshirjes Sociale (GSPS) për të siguruar qëndrueshmërinë në përkufizime dhe në përdorimin e treguesve; Garantimi i mbledhjes dhe analizës së të dhënave administrative për gjininë, përkatësinë etnike dhe aftësinë e kufizuar; Përgatitja dhe botimi i një fjalori tematik me termat e përfshirjes sociale, i cili do u shpërndahet të gjitha institucioneve publike, instituteve kërkimore dhe organizatave joqeveritare. Hartimi dhe zbatimi i anketave cilësore periodike/tematike për përfshirjen sociale në Shqipëri, të cilat fokusohen tek intensiteti, shkaqet dhe llojet e përjashtimit social;”,- thuhet në dokument.

Më tej në këtë të fundit bëhet me dije se disa pika të tjera të rëndësishme janë: Përgatitja e një raporti vjetor për përfshirjen sociale në Shqipëri, mbështetur në anketat dhe të dhënat cilësore ekzistuese dhe të ardhshme; Nxitja e dialogut mbi politikat për përfshirjen sociale në Shqipëri përmes një kalendari aktivitetesh dhe një konference kombëtare të përvitshme për përfshirjen sociale, si dhe përmes veprimtarive periodike; Krijimi i një Strukture Burimore Teknike (SBT) për analizën e përfshirjes sociale dhe varfërinë.

“Ekzistojnë edhe një sërë përparësish, që janë pjesë e të gjithë gamës së prioriteteve të përfshirjes sociale: Përmirësimi i njohurive të administratës publike, për të realizuar një analizë sasiore dhe cilësore të të dhënave të përfshirjes sociale dhe zbatimin e politikave përkatëse. Ngritja e kapaciteteve dhe ofrimi i trajnimeve me synim të qartë forcimin e kapaciteteve të administratës publike në nivel qendror dhe vendor, si dhe për të garantuar që përfshirja sociale është pjesë përbërëse e politikave në nivel kombëtar dhe vendor. Një strategji komunikimi për përfshirjen sociale që merr në konsideratë të gjitha nivelet e qeverisjes, sektorin privat dhe aktorët e shoqërisë civile”,-nënvizohet në Dokumentin e Politikave të Përfshirjes Sociale.

Si politikë, përfshirja sociale është thelbësore në promovimin e qëllimeve të politikave të gjera për rritje dhe zhvillim si dhe për adresimin e shkaqeve të shumëfishta të deprivimit dhe varfërisë. Fushat kryesore të matjeve dhe monitorimit përfshijnë: Niveli i varfërisë. Në vitin 2019 shkalla e varfërisë ishte 10%, që tregon një rënie të madhe nga shkalla e vitit 2016 prej 23,9%. Një rikuperim i fuqishëm u krye në vitin 2021. PBB-ja reale u rrit në 8,5%, duke u rikuperuar plotësisht nga recesioni i shkaktuar nga pandemia. Nga ana tjetër, rritja nuk solli rritje të punësimit krahasuar me nivelin e para pandemisë, ai mbeti 12% edhe në vitin 2021 (për grup-moshën 15-64 vjeç). Të dhënat ekzistuese tregojnë se grupet e popullatës që përballen me një rrezik më të lartë varfërie janë të papunët, personat me nivel arsimor më të ulët, banorët e zonave rurale dhe të vetpunësuarit në bujqësi. Aksesi në punësim është qartësisht një parakusht thelbësor për përfshirjen sociale./Gazeta Panorama

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme